Shkëmbim zjarri në kryeqytet, arrestohen dy të dyshuar
TIRANE- Shkëmbim zjarri në kryeqytet mes dy personave në lagjen Laprakë. Policia arreston dy të rinjtë me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj njëri- tjetrit dhe atë të mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.
Franc Kaloshi, 20 vjeç, dhe Gëzim Doda, 33 vjeç, banues në Laprakë janë konfliktuar mes tyre të dielën në rrugën "Vangjel Noti", pas një konflikti për motive banale, që kishin pasur në një lokal. Ndërkaq, pak kohë pas grindjes, të dy personat i kanë zënë pritë njëri tjetrit duke qëlluar me një automatik "Kallashnikov" dhe një pistoletë "TT".
Pavarësisht të shtënave mes tyre, asnjë prej personave nuk ka pësuar dëmtime apo plagë. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes pas lajmërimit të marrë, për të nisur hetimin e ngjarjes. Nga këqyrja e zonës ku është kryer shkëmbimi i zjarrit, prej eskspertëve kriminalistë janë gjetur dhe administruar dy gëzhoja armësh.
Një gëzhojë, sipas burimeve të policisë, ishte model 54, ndërsa tjetra i përkiste modelit 56. Që në vendin e ngjarjes hetuesit e policisë, kanë mundur të identifikojnë autorët e shkëmbimit të zjarrit mes dy personave.
Ndërkaq, disa orë pas ngjarjes, agjentët e policisë mundën të arrestonin të dy personat e dyshuar, ndërsa blutë kanë bllokuar njërën prej armëve me të cilat dyshohet të jetë përdorur në vendin e ngjarjes. Ndërkaq, dy personat e konfliktuar, Franc Kaloshi, e Gëzim Doda, janë arrestuar nga zyra e hetimit të krimeve ndaj jetës, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.
Të dy të arrestuarit kanë mbajtur qëndrime mohuese në fillim përpara oficerëve të policisë, gjatë marrjes së tyre në pyetje prej tyre, por dëshmitë e marra kanë vënë dy të dyshuarit përballë faktit të kryer duke bërë që ata të pranojnë pjesërisht veprimet e kryera.