Nafta arrin "kulmin", më shumë se 110$ për fuçi
Nëse do të kishim të bënim me një atlet, padyshim që do të ishte sportisti më i mirë në botë për rekordet që po thyen, por fatkeqësisht bëhet fjalë për naftën bruto ose arin e zi. Për të gjashtën ditë me radhë nafta ka vazhduar të thyejë rekorde, duke arritur në çmimin 110.20 dollarë për fuçi, një tjetër shenjë për këtë trend të rritjes, për të cilin analistët shprehen se nuk do të ndalet lehtë. Me gjithë thyerjen e rekordit më të fundit, pas pak orësh çmimi ka zbritur në 109.92 dollarë në bursën e Nju Jorkut. Sipas analistëve, rritja e çmimit është pasojë e rritjes së kërkesës për naftë bruto nga vendet me ekonomi në rritje, ndërkohë që vendet anëtarë të OPEK-ut kanë vendosur që të mos shtojnë prodhimin duke shtuar etjen e botës për arin e zi.