E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i arit shënon rekord të ri

Çmimi i arit ka arritur një nivel rekord duke u tregtuar me 1 mijë dollarë për 28 gramë (1 ounce, njësi matëse në SHBA, e barabartë me 28.3495231 gramë). Është hera e parë që arrihet kjo shifër dhe sipas analistëve, kjo ndodh për shkak të dollarit të dobët dhe frikës për recesion në ekonominë amerikane. Këto shqetësime po i detyrojnë investitorët të hedhin sytë nga të tjera burime siç është ari, në vend të aksioneve të kompanive të ndryshme apo parave kesh. Që nga fillimi i vitit, vlera e arit është rritur me rreth 20 për qind, pasi më herët, gjatë 2007-ës, ishte rritur po ashtu me 32 për qind. Sipas analistëve, çmimi i arit do të qëndrojë i lartë, për sa kohë që do të ekzistojë edhe frika për dollarin dhe ngecjen ekonomike. "Çdo lajm i keq për ekonominë amerikane, rrit më shumë çmimin e arit", thonë ekspertët. "Së pari, sepse forcon kthimin e rolit të tij si një aset i sigurt dhe së dyti, sepse rënia e dollarit shtyn për ulje të mëtejshme të normave të interesit nga rezerva federale amerikane", shtojnë ata. Dollari ndërkohë vazhdon "pikiatën" e tij kundrejt monedhave të tjera, përfshirë euron dhe jenin japonez. Për të parën herë që nga 1995-a, dollari është këmbyer me më pak se 100 jen japonezë, ndërsa ka shënuar rënie të mëtejshme edhe kundrejt euros, e cila është këmbyer në tregje me 1.562 dollarë. Analistët parashikojnë se monedha amerikane mund të bjerë akoma më shumë, ndërsa më shumë detaje për humbjet e pësuara nga bankat dhe fondeve të munguara për shkak të investimeve të përqendruara në tregun e trazuar imobiliar në SHBA. Shumë kompani kanë raportuar miliarda dollarë humbje çka edhe ka bërë që tregjet e kreditimit të ngrihen, ndërkohë që është krijuar edhe një ambient ku ka shumë më pak para të disponueshme për t‘u marrë hua nga konsumatorët dhe bizneset. Në të njëjtën kohë ka edhe shenja gjithnjë e në rritje që tregojnë se SHBA është në prag të recesionit. Të dhënat zyrtare tregojnë rënie të konsiderueshme të shitjeve në muajin shkurt. Kjo u është shtuar lajmeve të tjera të këqija si një tkurrje e sektorit të shërbimit dhe një shkallë në rritje e papunësisë, më e larta në pesë vitet e fundit. Pavarësisht uljes agresive të normave të interesit dhe masave të Shtëpisë së Bardhë për të stimuluar shpenzimet e konsumatorëve, pritet që të ketë rënie të mëtejshme në SHBA. Analistët theksojnë se kjo do të dobësojë më tej dollarin dhe do të rrisë inflacionin. Sipas ekspertëve të ekonomisë, pavarësisht ndërhyrjeve të autoriteteve, gjendja nuk pritet të përmirësohet. Një situatë e tillë, e zymtë, paralajmërohet jo vetëm nga rritja e çmimit të arit, por edhe nga rritja e çmimeve në përgjithësi dhe rënia e pandalshme e dollarit amerikan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›