Çmimet e frutave dhe perimeve vazhdojnë të jenë të larta në të gjitha tregjet
Lizeta Duro
Edhe pse ka kaluar gati një javë nga blerjet për festat e fundvitit çmimet e produkteve ushqimore në tregjet e pakicës, dyqane apo supermarkete vazhdojnë të mbeten të pandryshuara. Tregtarët shprehen se i kanë ulur çmimet por jo në mënyrë të ndjeshme pasi edhe ata vetë i kanë blerë shtrenjtë këto produkte që përpara festave. Në të vërtetë këtë rritje të çmimit të produkteve të “shportës” e vunë re si konsumatorët ashtu edhe autoritetet e kontrollit të cilët thanë se do të merreshin të gjitha masat që çmimet të mos pësonin rritje drastike. Si gjithmonë për rritjen e menjëhershme të çmimeve, tregtarët e shumicës akuzojnë ata të pakicës për abuzime ndërsa këta të fundit shprehen se çmimet ia u përcakton shumica.
Konsumatorët
Konsumatorët vazhdojnë ti lënë bosh tregjet edhe një javë mbas festave duke konsumuar akoma produktet që kanë blere para tyre. Edhe pse tregtarët shprehen se ndryshe nga vitet e tjera, këtë fundvit nuk pati blerje me sasi përkundrazi sipas tyre, festat e fundvitit 2010 u karakterizuan nga një konsum modest të shqiptarëve, në krahasim me vitet e mëparshme, blerjet e produkteve ushqimore nuk kanë filluar akoma. Ata që e vuajnë më shumë këtë fakt janë shitësit ambulantë që ndodhen përgjatë rrugëve të Tiranës, pasi ata shesin në kushte jo të favorshme dhe shprehen se kanë dalë me humbje këtë vit, pasi për shkak të ngricave dhe kohës së gjatë të kaluar në arka frutat dhe perimet janë kalbur.
Çmimet
Si çdo vit, çmimet e frutave dhe perimeve pësojnë një rritje të menjëhershme në raste festash. Këtë vit u vu re një rritje më e lartë se vitet e tjera që arriti deri në 50 lekë më shumë për kg. Rritje drastike pësoi edhe çmimi i mishit dhe nënproduktet e tij. Ditët e fundit të vitit u shitëm 30-50 lekë më shumë perimet si domatja, patatja, kastraveci, qepa, spinaqi, speca, patëllxhanët, lulelakra, ullinjtë, etj., si dhe frutat: molla, portokallet, hurma, mandarinat, shegët, bananet, gështenjat, kumbullat etj. Rritje kanë pësuar gjithashtu nënproduktet e qumështit si dhe produktet e tjera si: vaji, mielli, sheqeri, orizi që janë disa nga produktet më të përdorura nga amvisat.
Tabela e çmimeve të frutave dhe perimeve, lekë/kg
domatet 220
qepë 70
spinaq 200
patëllxhanë 250
ullinj 250-350
sallata jeshile 180
speca 260
patatet 90
mandarina 120
hurma 150
portokalli 120
rrushi 300
dardha 250
shega 300
banane 30
gështenja 180
kumbulla 150
Mollë 140
Coca-kola 220
Rama inauguron punimet për asfaltimin e Rrugës së Kavajës
Fillojnë punimet për riasfaltimin dhe sistemimin e rrugës së Kavajës, (nga Qendra deri tek 21 Dhjetori”), me të gjithë elementët e nevojshëm infrastrukturorë, duke siguruar standartet e duhura cilësore për lëvizshmërinë në këtë aks strategjik të kryeqytetit. Sipas Bashkisë këto masa po merren me qëllim sigurimin e elementëve të nevojshëm dhe duke synuar standarte të reja bashkëkohore, sa i përket lëvizshmërisë. I pranishëm në inspektimin e punimeve, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama u shpreh: se brenda shumë pak ditësh, kjo rrugë kryesore e kryeqytetit do të rishtrohet tërësisht, duke u vënë në dispozicion të mjeteve, e rindërtuar dhe njëkohësisht duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin. “Duke i falenderuar përsëri qytetarët për durimin e këtyre pak ditëve, është fare e qartë që me një menaxhim më të mirë të trafikut dhe me një vetëdije më të lartë qytetare në drejtimin e mjeteve, qarkullimi në këtë qytet nuk ka pse të jetë problem. Megjithëse sot është i zënë njëri aks dhe punon vetëm aksi tjetër, praktikisht qarkullimi është krejt i lirshëm, gjë që tregon qartë se problemi ynë kryesor me qarkullimin është në radhë të parë një problem menaxhimi dhe vetëdije; menaxhimi nga ana e strukturave shtetërore të Policisë të shtetit dhe vetëdije nga ana e qytetarëve” u shpreh Rama.
Kryebashkiaku tha gjithashtu se me këtë ritëm dhe me të gjithë projektet që Bashkia ka, do ritet ndjeshëm cilësia e jetës edhe gjatë këtij viti. Sipas Ramës, brenda shumë pak ditësh i gjithë ky aks strategjik për qytetin do të jetë i rishtruar dhe në dispozicion të qytetarëve.
6 Janar 2011