E Diel, 1 Nëntor 2026

Lista me 77 ushtarakët që mund të tërheqin pensionet



Anilejda Shëmbitraku

Gazeta “Albania” publikon listën me 77 emrat e ish-ushtarakëve, të cilëve u është dërguar urdhër-pagesa në qendrat paguese. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), për këta përfitues llogaritja është bërë duke filluar nga data 01.07.2009.
ISSH-ja bën të ditur se do të shikojë me procedurë të përshpejtuar të gjitha dosjet e ish-ushtarakëve, ish-punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të të gjithë përfituesve të tjerë, duke iu llogaritur përfitimin brenda 48 orëve nga momenti i mbërritjes së dosjes pranë zyrave të drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore (DRSSH-ve) nga institucionet ku janë përcjellë dosjet e secilit përfitues.

Përfituesit
Përfituesit e parë janë brezi i fundit i ushtarakëve, pra i atyre që u ka lindur e drejta për të përfituar nga ligji, nga data 27.06.2009 e deri sot. “Me mbërritjen e dokumentacionit nga institucionet përgjegjëse për personin përfitues, inspektori i bashkon ato në dosjen përkatëse dhe brenda 2 ditëve llogarit masën e pensionit sipas përcaktimeve ligjore”. Grupi i dytë i përfituesve janë ushtarakët e vjetër. Grupi i tretë është ai i ri llogaritjes së përfitimit. Të gjithë ushtarakëve që përfitojnë pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensione suplementare do t`u rillogaritet përfitimi sipas ligjit të ri. Pas konfirmimit të listave të ISSH-së nga ministritë e linjave, inspektori i ISSH-së bën krahasimin e të dhënave dhe në rast se janë të njëjta, atëherë bën ri llogaritjen e pensionit dhe përftimeve të tjera në bazë të ligjit të ri, pra me pagë referuese dhe pa tavanin e dy pensioneve minimale.

Rillogaritja
Rillogaritja e pensionit të pleqërisë për ushtarakët që kanë dalë në reformë do të fillojë me kërkesën e personit të interesuar, së cilës i bashkëlidhet vërtetimi për pagat referuese të periudhës së trajtimit me pagesë në reformë. Pra, kjo kategori duhet të shkojë në Ministrinë e Mbrojtjes për të marrë pagat referuese për vitet që është trajtuar me pagesë kalimtare, deri në mbushjen e moshës së pensionit. Pas rillogaritjes së pensionit, diferencat, pra shtesat, do të jepen vetëm për pensionet nga data 1 korrik 2009 e në vazhdim. Përfitues të tjerë janë edhe ushtarakët që kanë gjetur punë gjatë kohës që do të merrnin pension. Bëhet fjalë për personat të cilëve u ka lindur e drejta për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, por nuk e kanë ushtruar ose e kanë ndërprerë atë për arsye të punësimit apo të vetëpunësimit.

Fatura

Efektet financiare parashikohen deri në 35 milionë lekë në muaj

Efektet financiare lidhur me pensionet suplementare të ushtarakëve që kanë përfituar pension pleqërie para vitit 1991 parashikohen rreth 35 milionë lekë në muaj, ndërkohe që do të vazhdojnë të trajtohen dhe të rillogariten pensionet aktuale të parakohshme për 9603 ushtarakë, të cilët kanë përfituar nga ligji i mëparshëm, 382 ish-policë dhe 4761 pensione suplementare të njohura aktualisht, si dhe përfitimet e reja me efekt financiar rreth 30 milionë lekë në muaj. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe parashikohet t’i shtrijë efektet financiare nga data e hyrjes në fuqi e Ligjit Nr. 10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë se Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në RSH, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe Shërbimit Informativ Kombëtar”.

Vendimi për pensionet e ushtarakëve

6 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›