E Diel, 1 Nëntor 2026

AKUSH: Akti Normativ, drejt Gjykatës Kushtetuese



Anilejda Shëmbitraku

Përfaqësuesit e Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë kanë deklaruar për gazetën “Albania” se do t`i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të hedhur poshtë Aktin Normativ. Sipas tyre, ky akt është antikushtetues dhe cenon të drejtat financiare dhe sociale të ushtarakëve të të gjitha shtresave.

Efekti
Akti Normativ është kundërshtuar gjerësisht nga të gjitha përfaqësitë e grupeve të interesit që ai prek. Kjo për shkak të ndryshimeve të mëdha që ky akt, tashmë i ligjëruar, do të sjellë në përfitimet suplementare të tyre. Projekti, përsa u takon përfitimeve, parashikohet t`i shtrijë efektet financiare nga data e hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 10 142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shërbimit të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm”. Ndërsa norma e re e kontributeve ka hyrë në fuqi nga data 1.1.2011. Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës së një përfitimi. Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion.

Pensionet
Para këtyre ndryshimeve, neni 4, paragrafi 2, i Ligjit Nr. 10142, thoshte: “Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës së një përfitimi. Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Me këtë vendim, tashmë, për efekt të llogaritjes së përfitimeve, paga referuese neto është paga që rezulton pas zbritjes, nga paga referuese, të kontributit të detyrueshëm të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor, plus tatimin mbi të ardhurat personale, plus kontributin suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga. Paga mesatare referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese sipas periudhave të qëndrimit në atë gradë apo funksion.

Penalizimet
Dëmtimi që iu bën ushtarakëve Akti Normativ

Sipas presidentit të AKUSH-it, mesatarja e përllogaritjes së pagës referuese bruto dhe neto shkel disa parime kushtetuese:
1- Shkelet e drejta e fituar deri sot, që nuk kufizon llogaritjen e pensioneve.
2- Shkelet e niveli i arritur jetik në rast të uljes së pensioneve.
3- Shkelet parimi i sigurisë juridike. Në harkun kohor 18 muaj, janë miratuar disa akte ligjore, si: Ligji Nr. 10142, datë 24.5.2009, VGJK Nr. 33, datë 24.6.2010, VKM Nr. 793, datë 24.09.2010.
4- Shkelet parimi i fuqisë prapavepruese, vetë llogaritja e pagës referuese bruto dhe neto për të gjithë karrierën e një ushtaraku është absurde dhe penalizon ushtarakun me zbritjet e sigurimeve shoqërore dhe tatimet. “Nëse pagesa aktuale e pensionit të parakohshëm është 17 603 lekë dhe ka filluar në 1.1.1999 me nivel 8000 lekë, të barabartë me tërë pensionistët në shkallë vendi, nuk mund të abuzohet me shifra paradoksale 10-15-fish më të mëdha në krahasim me pensionistët e tjerë siç spekulohet në shtypin e ditëve të fundit”, - thekson Çako.
5- Shkelen parime të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, duke diskriminuar këtë shtresë sociale, të cilën asnjë vend i botës demokratike nuk e politizon dhe as e penalizon.

Kontributet
Ushtarakët duhet të paguajnë 5% kontribute

Një ndryshim tjetër në Ligjin Nr. 10142 është bërë në nenin 5, pika 3. Në këtë pikë thuhej se “personat e përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji, gjatë kohës që janë aktivë, paguajnë kontribut
shtesë në masën 2 për qind të pagës referuese”, ndërkohë që masa e kontributeve me vendimin e Këshillit të Ministrave, ka ndryshuar nga 2% në 5%. Kontributet shtesë llogariten mbi pagën referuese mujore, në përputhje me të njëjtat rregulla, procedura afat-pagese dhe kontribute, si për sigurimin shoqëror të detyrueshëm.

Akti normativ
Ndryshimet që ulin përfitimin e ushtarakëve
1- Paga referuese mbi të cilën llogariteshin pensionet u nënshtrohet taksave.

2- Rritet niveli i kontributeve që duhet të paguajnë ushtarakët nga 2% në 5%.

3- Pensioni i parakohshëm është 1.5% e pagës mesatare referuese mujore neto.

Pensioni i parakohshëm
Me ndryshimet e reja, qeveria ul masën e pensionit të parakohshëm, çka do të thotë që pensionistët do të përfitojnë më pak lekë nga sa përfitonin. Kështu, pensioni i parakohshëm për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit është 1.5 për qind e pagës mesatare referuese mujore neto, për çdo vit shërbimi. Ndërkohë që me ligjin që ende është në fuqi, pensioni i parakohshëm për këtë kategori personash është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me Ligjin Nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Kërkesa për përfitim, sipas përcaktimeve të pikës 1, të nenit 28, të Ligjit Nr. 10.142, datë 15.5.2009, nga personat që e drejta u ka lindur, por nuk është ushtruar, mund të ushtrohet deri më 31.12.2010 dhe përfitimi do të jepet nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të sipërpërmendur. Shumat e pensioneve të parakohshme, të rillogaritura, kur rezulton shtesë mbi shumat e përfituara më parë, i paguhen përfituesit me këste, sipas përcaktimeve, me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me parashikimet në buxhetin e vitit përkatës.

6 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›