Testi politik i Gërdecit
Mosdija nuk është arsye për shfajësim për qeverinë. Çfarë pritet, është një reagim dhe marrje përgjegjësie morale dhe politike e besueshme dhe e sinqertë para popullit për të dëshmuar kështu një politikë moderne që të lë vend për të ardhmen.
Ndërkohë, e njëjta sfidë është dhe para opozitës. Kryefjala e pas-Gërdecit për të është dorëheqja e kryeministrit dhe dorëzimi i imunitetit, për të cilën organizohen mitingje, thirren konferenca për shtyp, bëhen thirrje për mosbindje civile, shpallet mosnjohje e kryeministrit aktual, ndonse i zgjedhur demokratikisht etj. Ndërkohë që imuniteti nuk varet prej vullnetit individual, në thelb dhe dorëheqja nuk mund të kërkohet apo imponohet si dikur më parë, por thjesht pritet dhe jepet, kur prej ballafaqimit mes pasojave të veprimit apo mosveprimit të subjektit në fjalë dhe standardit të synuar gjerësisht nga klasa politike dhe individualisht rreth moralit në politikë, të parat janë kompromentuese. Ajo është reflektim i personit nën presionin e standardeve të tij morale dhe të të tretëve si familja, miqtë, kolegët apo opozita, reflektim ky që vështrohet pareshtur nga opinioni publik e më gjerë, mbi bazën e të cilit evoluojnë dhe qëndrimet politike deri në zgjedhjet e ardhshme.
Opozita, deri më tani e parcelizuar, gjeti emëruesin e përbashkët në kërkesën për dorëheqje. Fatkeqësia e Gërdecit është një ngjarje e paharrueshme, ndaj opozita, sikurse qeveria, ka rastin, urojmë të vetëm, të përcaktojë një standard referues të të sjellurit në opozitë për brezat e ardhshëm të politikës. E para ishte respektimi i dhimbjes dhe përulja e heshtur ndaj saj. E dyta është marrja e përgjegjësisë përkatëse morale e më tepër në mosekspozimin dhe denoncimin në kohë të rrethanave të rrezikshme që ekzistonin. E treta është impenjimi, bashkëpunimi e solidarizimi me strukturat përkatëse shtetërore e jo të tilla në lehtësimin e dhimbjes për banorët fatkeqë që minuta iu duket orë dhe njëkohësisht me të nxitja e transparencës dhe ekspozimit të fajtorëve të tragjedisë, në respekt të plotë të ligjeve dhe rregullave të shtetit ligjor që, ndonëse nuk është në maturi, meriton një shans.
Nëse është normale për një opozitë të denoncojë një qeveri që i shpëtoi situata nga duart, të vetëhetojë përmes një komisioni parlamentar përkatës implikimet e mundshme, të mbështesë prokurorinë në punën e saj me informacione që mund të rezultojnë në heqje imuniteti të subjekteve që mund të jenë të implikuara, të mbështesë popullin në grumbullime simbolike në emër të jetës, mbetet për diskutim një kërkesë për dorëheqje, kur ajo thjesht mbetet në ndërgjegjen e individit dhe të partisë që e propozoi atë.
Nëse një kryeministër nuk jep dorëheqje, atëhere kur është e domosdoshme të bëhet ajo, në zgjedhjet e ardhshme i humburi do të jetë ai dhe partia e tij, pikërisht sepse kompromentuan standardin e pushtetit, gjithnjë duke supozuar se elektorati beson se ka vend për një gjë të tillë dhe nuk harron, siç ka ndodhur rëndom më parë. Opozita ka rastin të demonstrojë parimësi dhe të ngrejë vërtet lart standardin e të bërit të saj, njëlloj si dje në pushtet ngriti më tej standardin e qeverisjes, me të cilën krahasohet e tashmja. Ajo nuk duhet thjesht të kapitalizojë asete politike prej një fatkeqësie njerëzore, gjë që do të ishte shumë e lehtë dhe e thjeshtë, por të denoncojë jashtë pasioneve të panevojshme dhe fjalorit të vjetër rolin dëshirëlënës të qeverisë në tragjedinë e Gërdecit dhe t'ia lërë vetë popullit ta kuotojë atë më lart në zgjedhjet e radhës.
Roli i opozitës në një atmosferë të ndezur është të administrojë pasionet dhe mllefet e njerëzve të pakënaqur dhe jo t'i ndezë më tej ato. Gjithkush mund të humbasë, nëse pasioni zbret në sheshe dhe vihen kushte me çdo çmim. 1997 ishte një fatkeqësi e madhe për t'iu harruar mësimi kaq lehtë. Viktima të tij ishin elektorati i thjeshtë pa dallim ngjyre që, përveçse humbi kursimet e tij, u vra, u plagos, u degdis, thjesht për ricikluar politikat partiake kaq zhgënjyese në vite për imazhin e vendit. Në vend të flamujve partiakë, sheshet duhet të shpalosin simbolet qytetare dhe vendin e tërsëllimave dhe kërcënimeve politike duhet ta zënë debatet parlamentare, ekspozimet mediatike, lëvizjet qytetare etj.
Shoqëria jonë ka shumë probleme dhe, nëse partitë tundohen prej shesheve, ato duhet të organizohen dhe të ngrenë zërin dhe për drogën, trafikun e njerëzve, shërbimet publike dëshirëlënëse, zgjidhjen e pronësisë etj., sikurse të mos harrojnë dhe Vlorën, ku po ndërtohet në injorim flagrant të vullnetit të popullit dhe të mos presin, derisa, qoftë larg, të ndodhë ndonjë hata dhe të turren në manifestime si kofini pas të vjelit, sikurse më 1997 opozita nuk i kundërshtoi në kohë piramidat financiare, thjesht e vetëm se etja për pushtet i tundoi më shumë se misioni për shtetin.
Opozita duhet të krijojë precedentin e besimit te shteti dhe të durimit në kohëzgjatjen e funksionimit të ingranazheve të tij. Në rast se ajo kërkon të krijojë një momentum antiqeveri, nuk është e thënë se ajo mund të mbahet aktive vetëm me mitingje në seri, por dhe me përdorim efikas të medias dhe kontakteve në bazë që përcjellin rilindjen e shpresës dhe garantojnë mosharrimin e të tashmes së ngarkuar me probleme. Mbushja e shesheve nuk mund të shërbejë më si kriter vlerësimi për kuotat e politikës jo thjesht se gjysma tjetër rri e vështron nga shtëpitë, por se evokon kohëra që kërkojmë t'i harrojmë, kur shteti ligjor sfidohej nga emocionet dhe pasionet e rrugës. Janë sondazhet ato që vlerësojnë dinamikën e popullaritetit të politikës dhe mbeten votimet ato ku ndryshimet e kërkuara mund të materializohen.