E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, PS-PD votojnë pro

 

PD tërhiqet nga propozimi që i jepte të drejtën e kundrafirmës Kryeministrit në dekretet e Topit

TIRANË- Komisioni parlamentar i Ligjeve ka miratuar me shumicë votash propozimet PS-PD për ndryshimin e sistemit zgjedhor nga i përzier në proporcional rajonal. Me votat kundër të përfaqësuesve të LSI-së dhe PBDNJ-së, komisioni ka votuar pro amendimit të Kushtetutës në nenet 64, 65 dhe 68, nene që kanë të bëjnë pikërisht me përcaktimin e sistemit zgjedhor, numrin e deputetëve, zonat zgjedhore etj.

Mbledhja

Mbledhja e djeshme e Komisionit të Ligjeve ka nisur me deklaratën e deputetes demokrate, Arenca Trashani, e cila në fjalën e vet ka bërë të ditur vendimin e grupit parlamentar demokrat për tërheqjen nga propozimi për ndryshimin e nenit 93 të Kushtetutës, sipas të cilit, Kryeministrit kërkohej t'i jepej e drejta e kundrafirmës në dekretet e Presidentit. Kjo ka hapur debatin me përfaqësuesit e partive të vogla, Spiro Peçin e PBDNJ-së dhe Spartak Brahon e LSI-së, të cilët e kanë konsideruar të paligjshme futjen për diskutim të propozimeve shtesë për ndryshime në Kushtetutë të bërë në mbledhjen e fundit të komisionit nga deputetja e Trashani. "Si do diskutojmë nen për nen diçka që nuk është propozuar? Le të bëhen propozimet pasi të vijnë me 28 firma dhe të hyjnë në një diskutim tjetër",- u shpreh Peçi. Ndërkohë që ndaj këtij qëndrimi ka reaguar kryetari i komisionit, Fatos Beja, i cili është shprehur se "Paketa Trashani" është futur në diskutim konform rregullores dhe ligjeve në fuqi, pasi është lexuar një javë më parë në komision. Sipas tij, nuk është e domosdoshme që për çdo propozim shtesë që mund të bëjë çdo anëtar i këtij komisioni, të paraqesë 28 firma deputetësh. "Asnjë propozim nuk mund të dalë nga komisioni dhe të shkojë në seancë pa 28 firmat dhe kjo është procedurë e qartë. Ne nuk mund të kërkojmë 28 firma, për çdo propozim që bën çdo deputet",- tha Beja.

NdryshimetPavarësisht kundërshtimit të vazhdueshëm të partive të vogla, komisioni ka hyrë në diskutimin e amendamenteve kushtetuese nen për nen, duke filluar nga ato që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve kanë marrë në shqyrtim dhe kanë miratuar ndryshimin në nenin 64, të Kushtetutës, ku përcaktohet se Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë të zgjedhur me sistem proporcional me zona shumë emërore. Gjithashtu, pika 2 e këtij neni përcakton që zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial. Komisioni ka miratuar edhe ndryshimin e nenit 65 me përcaktimin se Kuvendi zgjidhet për katër vjet, dhe mandati i tij fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon me mbledhjen e parë të Kuvendit të ri. Një tjetër ndryshim i miratuar ishte edhe ai i bërë në nenin 68, ku sanksionohet kandidimi me lista të mbyllura kandidatësh. Në të njëjtën kohë dje është miratuar edhe shfuqizimi i pjesës 12 të Kushtetutës, që ka të bëj me KQZ-në. Në fund, komisioni me votat e deputetëve të PS-së, PD-së dhe PDK-së (Arian Madhi i PR-së abstenoi, ndërsa Peçi i PBDNJ-së dhe Braho i LSI-së votuan kundra) miratoi dhe në tërësi nenet që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore.

Propozimet e miratuara

Neni 64

Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë të zgjedhur me sistem proporcional me zona shumemërore. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.

Neni 65

Kuvendi zgjidhet për katër vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon me mbledhjen e parë të Kuvendit të ri.

Neni 68

Kandidatët paraqiten me lista shumemërore. Renditja e tyre në këto lista nuk mund të ndryshojë pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Ligji zgjedhor përcakton kriteret e regjistrimit të kandidatëve.

Shfuqizohet pjesa 12 e Kushtetutës për KQZ-në.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›