E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Kriza politike po mban peng ekonominë dhe vlerën e lekut

SHKRUAN: Blerina Hoxha 26-08-2011 10:50

Situata politike në vend pas zgjedhjeve të 8 Majit, paqëndrueshmëria e tregjeve financiare botërore dhe borxhi publik në rritje kanë qenë disa faktorë që kanë ndikuar negativisht kursin e këmbimit të lekut gjatë muajve të fundit, investimet e huaja direkte dhe kanë frenuar rritjen ekonomike. Renditjen e faktorëve që kanë ndikuar në rënien e monedhës vendase në kursin e këmbimit dhe në zhvillimet ekonomike në tërësi e ka dhënë Banka e Shqipërisë në një analizë për zhvillimet më të fundit në ekonominë e vendit. Duket se situata e paqëndrueshme politike në vend e ka ndikuar ekonominë në të gjitha nivelet e saj, duke përfshirë edhe reputacionin e monedhës vendase. Gjithashtu më parë Banka e Shqipërisë kishte lajmëruar se prej krizës politike rritja ekonomike është frenuar dhe investimet e huaja kanë rënë në mënyrë të ndjeshme. Si rezultat i këtyre faktorëve, ecuria e kursit të këmbimit ka vijuar të ndjekë një prirje në rënie të ritmeve të nënçmimit të monedhës vendase edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011. Stabilizimi i situatës politike në vend pritet të rigjallërojë investimet dhe konsumin, të cilët do të mund të përfitojnë nga përmirësimi i likuiditetit të sistemit bankar dhe orientimi më i madh i bankave drejt gjenerimit të fitimit. Për sa i përket vlerave mesatare, tremujori i dytë i këtij viti ka shënuar një rënie vjetore prej -0.53% nga tremujori paraardhës dhe 0.64% nga i njëjti tremujor i vitit 2010. Një prirje e tillë e indeksit, sipas Bankës Qendrore, duket se vjen si pasojë e një kërkese relativisht më të lartë për valutë dhe pakësim të prurjeve valutore nga investimet e huaja dhe nga prurjet e emigrantëve. Këto zhvillime duket se konfirmohen edhe nga indeksi i presioneve të tregut valutor, i cili pas një rritjeje të përshpejtuar gjatë vitit 2009, paraqitet relativisht i qëndrueshëm gjatë vitit 2010. Ndërkohë, edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit aktual ky tregues reflekton një ulje nga tremujori i mëparshëm e një stabilizim të presioneve nënçmuese. Analiza e zhvillimeve individuale të monedhave kryesore të shportës në tregun e brendshëm të shkëmbimeve valutore, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, pasqyron një dobësim të pozitave të monedhës vendase me 1.64% kundrejt euros dhe një forcim të saj me 3.58% kundrejt dollarit. Dobësimi sezonal i monedhës vendase në raport me monedhën europiane gjen mbështetje në rritjen e kërkesës nga sektori publik dhe rritjen e importeve, si dhe në reduktimin e prurjeve pre-sezonale që karakterizon periudhën. Nënçmimi i lekut ndaj euros ka rezultuar në terma mesatarë mujorë në 0.35%. Ky raport gjatë muajit qershor preku për herë të parë nivelin historik, 142.84 lekë për euro. Nënçmimi i dollarit në raport me monedhën europiane mesatarisht me 5.31% në terma tremujorë pasqyron valën pozitive të tregjeve financiare në lidhje me ristrukturimin e borxhit grek dhe treguesit jo dhe aq optimistë në lidhje me rritjen e ekonomisë amerikane, pas rezultateve të paraqitura nga FED në fund të muajit prill. Ndërsa në një material studimit të fundit të ekspertëve të Bankës së Shqipërisë në lidhje me ekuilibrin e monedhës vendase në kursin e këmbimit vërehet se një rritje e borxhit të qeverisë në përgjithësi perceptohet si rrezik më i lartë, duke ulur kështu dëshirën për të mbajtur më shumë zotërime në monedhën vendase.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›