E Shtunë, 31 Tetor 2026

E gremisëm, a ndërroi jetë?

E rrëzuam apo ndërroi jetë partia-shtet? E rrëzuam, i bëmë edhe “ceremoninë e varrimit”, porende nuk e kemi përcjellë në atë “botë”. Pse? Se kur ndërron jetë një organizëm, ose groposet, ose mbetet mbi tokë e kalbëzohet mes nesh, duke lëshuar mikrobe dëmtuese, deri vdekjeprurëse. Kështu ka ndodhur gjatë shekujve me monarkitë absolute, kështu ndodh edhe me diktaturat e neo-t.

Partia-shtet, sidomos me aparatin e saj konceptual politik e ideologjik, e me prapambetjen relative të ndërgjegjes, megjithëse e rrëzuar, mbijeton edhe në demokraci.Mbijeton se ende tek ne demokracia e pluralizmi politik nuk janë formësuar tërësisht.

Ligji i dosjeve e i pastërtisë së figurave politike u aprovua pa opozitën e pa mendimin e specializuar shkencor. Pse? Se ligjet formulohen për të zgjidhur probleme e kundërshti, që kanë lindur në realitetin shoqëror, në shtresa e grupe të veçanta, e jo për të krijuar probleme, kundërshti e pengesa të reja. Në një shoqëri demokratike s’ka hapësirë për ligje që shprehin e mbrojnë interesa të ngushta familjare e klani; por për ligje që i hapin rrugë funksionimit të pavarur të institucioneve e pushteteve në shtetin e së drejtës. Ndaj, në krijimin e ligjeve të tilla kërkohet pjesëmarrje aktive, jo vetëm e të dy krahëve të politikës, por kur është e nevojshme edhe e qytetarëve, sidomos të specialistëve shkencorë, vendas e ndërkombëtarë. Si rrjedhojë, kur një ligj nuk gjen aprovimin e opozitës, të grupeve të interesit e deri të qytetarëve, nuk duhet nominuar si i tillë, ai në thelb është antiligj.

Një qëndrim e një veprim i tillë, nga ana e pozitës e nga disa deputetë të qendrës (që ishin deputet të PS-së), siç na u shfaq në mënyrë teatrale në televizion, s’do shumë për ta menduar e për ta nominuar si monist e punist, që krijon probleme e kontradikta të reja, e rrudh hapësirat e pushteteve, sidomos të atij gjyqësor. Ajo që të bën përshtypje është qëndrimi i pozitës ndaj ndërkombëtarëve. Pa bërë histori, por të të thotë Anglia e SHBA-ja, e organizma të tjera të specializuara demokratike ndërkombëtare, “mos u nxito, se ky ligj është i komplikuar e do edhe pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë…” dhe ti pohon se është “ligj historik”, të bën të mendohesh e t’i thërrasësh kujtesës. Këto vende kanë histori shekullore në demokraci, ndërsa ne kemi vetëm 18 vite. Karshillëku në politikë është karakteristikë e bajraktarit, diktatorit, e jo e demokratit.

Desha t’i përfundoj këto radhë me ndryshimin e madh cilësor mes metodës shkencore (që është udhërrëfyese për demokratët) dhe metodën klasore (që është mjet në duart e diktatorëve).

Në të parën arrijnë të prekin realitetin ashtu siç është, të kuptojnë ndryshimin e zhvillimin e tij, të kthejmë fytyrën plotësisht nga qytetari, të analizojmë drejt veten tonë nën pasqyrën e provave dhe gabimeve, madje edhe fajeve, të kuptojmë hapësirat dhe kufijtë e pushteteve në shtetin e së drejtës.

Ndërsa metoda e dytë të mbyll e te ndrydh tek e djeshmja, pa mundur të vështrosh e të analizosh të sotmen, pa mundur të kuptosh nevojën e ndryshimit e të zhvillimit të realitetit, në të cilin jetojmë. Koha ecën pa na pyetur ne, ne duhet të lëvizim në “rrotën” e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›