Çmimi albanologjik për Topallin, Malcolm, Cabannes e Drinin
21/12/2008 Mbyllet Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar i Albanologjisë
Është mbyllur dje simpoziumi shkencor ndërkombëtar i albanologjisë, i mbajtur për tri ditë në Tiranë. I organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, simpoziumi, që synon të shndërrohet në traditë, ka vlerësuar me “Çmimin e albanologjisë” tri veprat më të votuara nga vetë studiuesit.
Kështu, është vlerësuar me “Çmimin e albanologjisë”, si vepër themelore në shqip “Fonetika historike e shqipes”, të autorit Kolec Topalli. Për veprën në gjuhë të huaj çmimi i është dhënë Noel Malcolm për veprën “Kosova”, ndërsa si vepër themelore me grup autorësh është vlerësuar “Mbishkrimet e Butrintit” e Pierre Cabanes dhe Faik Drinit.
Çmimi iu dha autorëve shoqëruar me një statuetë artistike, një diplomë dhe me një vlerë monetare të paracaktuar 3000 euro. Ndërkohë veç këtyre çmimeve nga të pranishmit i është dhënë një çmim special edhe Eric Hamp, indoevropianit të njohur amerikan, i pranishëm në simpozium, i cili ka kontribuar së shumti në studimin krahasues të shqipes me gjuhë të tjera.
“Çmimi i albanologjisë”:
1) Vepër themelore në shqip - “Fonetika historike e shqipes”, Kolec Topalli.
2) Vepër themelore në gjuhë të huaj - “Kosova”, Noel Malcolm.
3) Vepër themelore kolektive - Les souscriptions de Bouthrotos (“Mbishkrimet e Butrintit”), Pierre Cabanes dhe Faik Drini.
Topalli
Historia e fonetikës shqipe...
I vlerësuar për veprën e tij “Fonetika historike e gjuhës shqipe”, Kolec Topalli vëren se, megjithatë, është më i rëndësishëm fakti i organizimit të këtij aktiviteti sesa çmimi. “Në radhë të parë vlerësoj aktivitetin, vlerësimin e vlerave më të çmuara në fushat e ndryshme të albanologjisë. Kanë marrë pjesë autorë të ndryshëm nga gjithë bota, deri Shtetet e Bashkuara. Duke qenë se më zgjodhën mua për të më dhënë çmimin e parë për veprat e autorëve shqiptarë, natyrisht ndihem i vlerësuar nga këto personalitete, sepse të gjithë kanë dhënë votën e tyre. Mendoj se vlerësimi u përket edhe të tjerëve”, - u shpreh Topalli.
“Fonetika historike e gjuhës shqipe” e Topallit është një vepër sintetizuese dhe përgjithësuese, e cila botohet pas disa studimeve të realizuara prej tij në këtë fushë. Autori ka nisur të punojë dhe të botojë artikuj të kësaj natyre që në vitet ’70. Më vonë ka hartuar tetë monografi: katër për sistemin zanor, katër për sistemin bashkëtingëllor, në të cilat ka paraqitur çështjet më të rëndësishme të kësaj fushe. “Në fund erdhi koha që gjithë këto studime duheshin ballafaquar me realizimet më të mira të arritura prej gjuhëtarëve të tjerë në këtë fushë, duke filluar që nga Gustav Majer, Norbert Jokli, për të ardhur tek Eqrem Çabej, Martin Camaj etj.” Kjo vepër sintetizon mendimin bashkëkohor final për rezultatet më të mira që janë arritur në fushën e fonetikës historike. Në “Fonetika historike e shqipes” janë paraqitur edhe teza të tjera dhe janë bërë përpjekje për të zgjidhur ato probleme që kanë mbetur pezull dhe pazgjidhur deri në ditët e sotme. “Mendoj se kjo vepër do t’u shërbejë studiuesve të gjuhës, indoevropianistëve, por njëkohësisht dhe ballkanologëve, helenistëve, romanistëve, deri studentëve të universiteteve, sidomos atyre që përgatiten për master dhe doktoraturë”, - nënvizon studiuesi Topalli.
Pierre Cabanes: Gati një botim i dytë për Epirin
Janë epigrafe në gjuhën greke të zbuluara në Butrint. Japin të dhëna për traditat ilire të asaj kohe në Butrintin e dikurshëm, pjesë e Epirit. “Mbishkrimet e Butrintit” me autorë Pierre Cabanes dhe Faik Drini, në fakt është vetëm fillimi i një pune “deshifruese” për arkeologun dhe studiuesin francez Cabenes. Duke rrëfyer për mbishkrimet e asaj kohe, ai vëren se Greqia Veriperëndimore dhe Shqipëria e Jugut kanë pasur organizime thuajse të njëjta për sa i përket organizimit politiko-shoqëror.
Ndaj ky fakt është një prej tyre që e ka shtyrë të thellohet në punën e tij, këtë herë duke e lidhur me Epirin grek.
- Zoti Cabanes ju jeni një nga autorët e veprës “Mbishkrimet e Butrintit”, ç’rëndësi kanë këto mbishkrime dhe çfarë dëshmojnë ato?
- Në fakt, është një dëshmi për një ansambël më të gjerë. Ka rreth 600 mbishkrime, që kanë të bëjnë me lirimin e skllevërve në Butrint. Në qoftë se do ta krahasojmë këtë numër mbishkrimesh me një tjetër qendër të rëndësishme siç është Delfi, kjo e fundit nuk ka më shumë se 1400 vendime për lirimin e skllevërve. Duket se është një çikë më tepër se dy herë më shumë nga Butrinti. Kjo është një dëshmi për rëndësinë e këtyre mbishkrimeve jo vetëm për këtë rajon. Gjithashtu mbishkrimet tregojnë se qytetërimi në Butrint ishte po aq i zhvilluar sa qytetërimet e tjera, pavarësisht specifikave.
- Çfarë e nxiti interesin tuaj për këto mbishkrime? Cili ishte kontakti juaj i parë me to?
- Kam ardhur në Shqipëri në vitin 1971 i shtyrë nga një profesor, Louis Robert, që është një nga mjeshtrit e epigrafisë. Ai vetë ka ardhur në Shqipëri për herë të parë në vitin 1965. Kur u kthye në Francë, më kërkoi dhe më tha se duhej të vija patjetër në Shqipëri, në Butrint, e të shikoja këtë material kaq të pastër, duke më theksuar se “ka një material arkeologjik dhe mbishkrimor shumë të pasur”. Kështu që ia dedikoj atij orientimin e jetës sime shkencore.
- Sapo thatë se po bëni gati një vëllim tjetër për studimet mbi Epirin, cili është konkretisht objekti në këtë studim vijues?
- Çfarë kam parashikuar unë te vëllimi i dytë, ka të bëjë me Epirin grek: Dodona, Ambrakia, Polisi, që janë qendra kryesore atje. Në shkurt parashikoj të shkoj në Janinë për të mbledhur gjithë këto dorëshkrime, që janë për t’u botuar. Në antikitet rajonet e Greqisë Veriperëndimore dhe të Shqipërisë së Jugut kanë organizime thuajse të njëjta për sa i përket organizimit politiko-shoqëror.
Noel Malcolm: Libri për Kosovën kundër propagandës serbe
Vepra e tij është e lidhur krejtësisht me Kosovën. Para saj historiani dhe gazetari i njohur anglez Noel Malcolm kishte shkruar edhe një libër për Bosnjën. Kështu, e botoi në vitin 1998 dhe ia dha për ta botuar në Prishtinë edhe Veton Surroit. “Më vjen mirë që e botova para luftës, sepse politikanët në Uashington dhe Londër kishin mundësi ta lexonin kur morën vendimin për të ardhmen e Kosovës. Shpresoj të kem ndikuar për mirë”, - shprehet Malcolm pas marrjes së “Çmimit të albanologjisë” në Tiranë, ndërsa shpjegon se arsyet që e nxitën të botonte këtë libër mbi Kosovën ishin për të kundërshtuar propagandën dhe pretendimet serbe. “Unë si historian jam shumë i interesuar për historinë e Ballkanit dhe kam shkruar një libër për historinë e Bosnjës gjatë luftës së saj. E kam shkruar librin me qëllim që të kundërshtoj propagandën serbe për luftën e Bosnjës. Duke shkruar atë libër, mendova se ishte i nevojshëm një libër edhe për historinë e Kosovës, sepse problemi ishte i një çështjeje politike të përzier me pretendime historike të serbëve të pabazuara në fakte. Nuk ekzistonte asnjë libër në Perëndim për historinë e Kosovës përveç librave që ishin botuar në përgjithësi për ish-Jugosllavinë dhe ishte sipas pikëpamjes së Beogradit. Shpresoj se kam shkruar jo si ideologjist, por si historian”, - vijon historiani i njohur. Për të ka qenë pak e vështirë të gjente dokumentet ku të mbështetej për studimin për shkak të mungesës së bibliotekave ku mund të gjenden libra për historinë e Ballkanit. “Unë kam punuar në Londër, në Paris dhe në Romë, por kryesisht në Vjenë, Vatikan, Uashington dhe në Venedik. Në librin tim ka një mungesë: nuk kam studiuar në arkivat e Turqisë, sepse nuk e njoh gjuhën osmane. Në arkivat e Austrisë dhe të Italisë kam gjetur dokumente dhe besoj se kam gjetur ato që duheshin”, - sqaron Malcolm.