E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i bukës, Tatimet zgjerojnë kontrollet

17/08/2010 Pas verifikimit të abuzimeve, aksioni u shtri në të gjithë vendin

Deri tani janë gjobitur 20 subjekte me vlerë 3,5 milionë lekë

Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve ka shtrirë kontrollet jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë territorin e vendet mbi ato subjekte që tregtojnë me shumicë miell si dhe mbi furrat e bukës. Burime zyrtare pranë këtij institucioni, konfirmojnë se kontrollet janë përforcuar pas konstatimeve të abuzimeve me çmimet. Ditët e fundit, Tatimet nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit Tatimor, kanë zhvilluar kontrolle në subjektet e tregtimit të miellit dhe furrave prodhuese të bukës, në Tiranë dhe në Durrës. Gjatë kontrolleve të ushtruara në 120 subjekte, në këto qytete u evidentuan 20 subjekte që kanë rritur në mënyrë fiktive çmimin e bukës; në 27 subjekte u vendosen gjoba me vlerë 3 milionë 500 mijë lekë, si dhe u sekuestruan 10 ton miell i pashoqëruar me faturë. Këto kontrolle do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim, me qëllim uljen e evazionit fiskal dhe moslejimin e rritjes në mënyrë abuzive të çmimit të bukës. Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve do të marrë të gjitha masat për ndëshkimin dhe parandalimin e këtij fenomeni. Ndërkohë, Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve njofton të gjithë konsumatorët dhe subjektet tatimpaguese që të denoncojnë rastet abuzive të ngritjes së çmimit të bukës. Prodhimi vendas i grurit mbulon vetëm 10-15 për qind të nevojave për grurë, ndërsa sasinë tjetër të tij, prodhuesit e miellit janë të detyruar që ta blejnë në tregjet ndërkombëtare duke iu nënshtruar ecurisë së bursës së drithërave. Megjithatë rritja e çmimit të bukës në tregun vendas erdhi e menjëhershme, duke krijuar situata abuzive me çmimet nga ana e prodhuesve apo tregtarëve. Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve garanton se do të marrë të gjitha masat administrative për ndëshkimin dhe parandalimin e këtij fenomeni. Madje, DPT-ja u kujton konsumatorëve edhe numrin e vënë në dispozicion të tyre për çdo ankesë të vërejtur, që është 0800 14 14, në të cilin të interesuarit mund të telefonojnë falas për të denoncuar rastet abuzive të ngritjes së çmimit të bukës. Rritja e çmimit të bukës është bërë publik në disa medie edhe përmes Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Rënia me gati 20 për qind e prodhimit të grurit në Rusi për shkak të të nxehtit dhe thatësirës së madhe duket se i ka dhënë sinjalet e saj të para edhe në Shqipëri.

Situata

Çmimi i bukës në Tiranë u rrit me 10 lekë në të gjitha furrat e bukës menjëherë sapo u paralajmërua nga disa prodhues buke. Aktualisht vendi ynë mbjell çdo vit 100 mijë hektarë grurë dhe prodhohen 400 mijë ton miell. Po kaq ne i sigurojmë edhe nga importi prej vendeve të tjera, ku Rusia zë më shumë se gjysmën. Përpara viteve ‘90 në Shqipëri mbilleshin çdo vit 200 mijë hektarë grurë. Megjithatë, ekspertët vendas deklarojnë se rritja e çmimit është abuzive, pasi importuesit e marrin grurin nga vende periferike që nuk kanë lidhje me Rusinë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›