Çmimi i energjisë, ERE skeptike për nivelin e humbjeve
Kërkesa e OSSH-së për të rritur tarifat e energjisë elektrike për vitin 2010, duket se shihet me skepticizëm nga Enti Rregullator i Energjisë. Një ndër pikat kyçe ku OSSH argumenton nevojën për të rritur tarifat e energjisë është niveli i humbjeve në rrjet, që sipas tyre, pretendohet të jetë 35.7 për qind. Por nuk janë të të njëjtit mendim ekspertët e ERE-s, të cilët mendojnë se kjo shifër është 3.7% më e lartë se niveli zyrtar i pranuar. Kjo siç duket do të jetë një ndër pengesat ku ERE do të jetë skeptike për rritjen e çmimit të energjisë, duke mos aplikuar kështu nivele shumë të larta, ashtu siç i ka kërkuar OSSH-ja. Në fund të muajit shtator, OSSH ka dërguar pranë ERE-s kërkesën për rritjen e energjisë. Për vitin 2010, OSSH kërkon të rrisë çmimin dhe për ta bërë këtë zyrtare, i ka drejtuar institucionit përgjegjës kërkesën për miratimin e vendimit. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për vitin 2010. Sipas procedurave ligjore, ERE pritet të shqyrtojë brenda një periudhe 12-ditore kërkesën e paraqitur nëse ajo është konform rregullave dhe do t’i kërkojë OSSH-së të paraqesë brenda 10 ditëve treguesit për energjinë elektrike, si dhe t'i publikojë tarifat në tre prej gazetave më të njohura në vend. Kërkesa e OSSH-së për rritje të çmimit të energjisë është mbështetur edhe nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, si dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit. Ata e argumentojnë këtë mbështete dhe nevojë për të rritur tarifat e energjisë me faktin se deri më tash energjia është shitur nën kosto. Pak ditë më parë Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike bëri kërkesë zyrtare të ERE-s për rritje të çmimit nga 0.5 lekë për kilovat/orë në 0.9 lekë për kilovat. OSSH ka kërkuar që tarifat aktuale të rriten me mbi 20%, por enti pritet të vendosë në muajin dhjetor sesa do të jenë ato.
Sipërmarrjet e përbashkëta, mundësi më të mira financimi
Nëse do të gjendeshin mundësitë e financimit për zhvillimin e sipërmarrjeve kolektive, atëherë kjo do të ishte një mundësi shumë e mirë për zhvillimin ekonomik. Një projektligj i ri i krijimit të ndërmarrjeve kolektive dhe mundësive të financimit të tyre, nëpërmjet zhvillimit të sistemit financiar, do të jetë një mbështetje për bizneset në të ardhmen. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka shqyrtuar nen për nen projektligjin për sipërmarrjen e investimeve kolektive. Drafti parashikon forcimin e sistemit të fondeve kolektive të investimit në Shqipëri. Ekspertët në komision kanë shpjeguar se investitorët individë zakonisht janë më të prirur drejt investimeve afatshkurtra, ndërkohë që investitorët institucionalë janë më të prirur të jenë pjesë e strategjive të investimeve afatgjata në tregun e titujve ose ndryshe në bursë, duke ndihmuar kështu në krijimin e tregut të qëndrueshëm. Ky ligj do të krijojë mundësi për zhvillimin e sistemit financiar vendas, duke shtuar kështu tabanin për efikasitetin e Bursës së Tiranës. Funksionimi i Bursës do të krijojë hapësirën për zhvillimin dhe rritjen e tregut të titujve.