Shpërthimi shkakton 41 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur
Shpërthimi i një bombe në një treg të populluar në Peshauar, në veriperëndim të Pakistanit ka shkaktuar të paktën 41 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur. Sipas Ministrisë së Brendshme 40 nga të plagosurit janë në gjendje kritike për jetën. Pamjet e transmetuara nga mediat vendase tregojnë makina dhe dyqane të shkatërruara si pasojë e shpërthimit. Po në Peshauar, ka ndodhur një sulm ndaj makinave të furnizimit të trupave të NATO-s në Afganistan. Gjashtë kamionë me karburante janë djegur. Sipas policisë lokale, mjetet ndodheshin të parkuara përpara një hoteli, në periferinë e qytetit. Sulmet deri tani nuk janë marrë përsipër nga asnjë grup terrorist që vepron në vend.