Flamurtari pezullon 6 titullarë
Pas barazimit ndaj Shkumbinit, plas te Flamurtari. Drejtuesit e klubit kuqezi kanë vendosur të pezullojnë pa afat 6 lojtarë titullarë, të cilët deri më tani janë konsideruar si ndër më të rëndësishmit e skuadrës vlonjate. Lajmin e konfirmon për “Panorama Sport”, vetë shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi. Sipas këtij të fundit, është marrë një masë e tillë ndaj kapitenit Halim Begaj, portierit Shpëtim Moçka, mbrojtësve Bledjon Guga, Marko Bashiç dhe Orjad Beqiri, e gjithashtu sulmuesit Marjus Ngjela. Duket se barazimi i fundit ndaj peqinasve, ka bindur edhe më shumë drejtuesit, me në krye presidentin Shpëtim Gjika, që të ndërmarrin një masë të tillë. Pezullimi pa afat i titullarëve kuqezi është bërë për mungesë impenjimi dhe thyerjeje të rregullores së brendshme të klubit.
“Duke parë këtë gjendje aspak të mirë në skuadër, vendosëm të pezullojmë lojtarët: Moçka, Beqiri, Begaj, Bashiç, Guga dhe Ngjela. Nga sot e tutje, ata janë në një pezullim paafat. Tashmë është koha që lojtarët të tregohen më vigjilentë, sepse rezultatet flasin vetë. Është një kampionat, ku Flamurtari nuk ka qenë rezultativ dhe për këtë duhen ndëshkuar përgjegjësit. Vendimi i pezullimit të lojtarëve u mor, në bazë të kontratave, rezultatit dhe të rregullores së klubit. Natyrisht, nëse një nga këto shkelet, normalisht do të ketë largime të ndryshme. Shkak i pezullimit ka qenë edhe loja e dobët e tyre në ndeshjet e fundit, e sidomos ndaj Shkumbinit” Është ky konfirmimi i numrit dy të klubit vlonjat, Geri Çipi.