Hervin Çuli sjell në Metropol “Zonjën e bujtinës”
alma mile
Konsiderohet si i pari portret i gruas “moderne”, i asaj që merr në duart e veta frenat e punëve, që di të drejtojë, por edhe t’i sjellë vërdallë meshkujt. Në kohërat moderne, Mirandolina do të quhej një sipërmarrëse e suksesshme. Ajo drejton një bujtinë dhe përpiqet me të gjitha mënyrat t’i shkojë biznesi mbarë. Si personazh i vërtetë, apo i stisur ka jetuar në shek. XVIII, por i shkon fare mirë për shtat Shqipërisë së fillimshekullit XXI.
“E zonja e bujtinës” është komedia, e cila pritet të ngjitet së shpejti në skenën e Teatrit të Metropolit nga regjisori Hervin Çuli. “E zonja e bujtinës”, apo siç njihet ndryshe edhe “Mirandolina”, si heroina e kësaj pjese, është vepra më moderne e reformatorit të teatrit italian, Carlo Goldoni. Sipas konceptit regjisorial, boshti qendror i konfliktit të kësaj vepre është përballja e dy gjinive, e mashkullit dhe e femrës, e lashtë sa vetë jeta. Goldoni si një mjeshtër i madh i karaktereve, ka pikturuar Evën dhe Adamin me një kolorit shumë modern. Në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore, ai ngre lartë figurën e Mirandolinës, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale. Nuk ka sesi në botën shqiptare, fatkeqësisht me një kulturë tejet maskiliste, kjo vepër të mos jetë një apel për emancipim. “Çdo ditë ne prekim që nga ekranet e televizioneve e deri tek tavolinat e kafeneve prepotencën e burrave ndaj grave. Ndoshta ditën që, si atëherë kur lindi jeta, dy sekset do të kenë një raport të barabartë, ndoshta do të zbuten konfliktet, do të rriten më mirë brezat e mundet që të gjithë do të jemi më të lumtur. Kjo është Mirandolina, asgjë më shumë se kaq”, thuhet në konceptin regjisorial. Sipas regjisorit Hervin Çuli, vepra i qëndron besnike kohës kur është vendosur, pra do të jetë një vepër me kostume të ‘700-ës. Ndonëse ajo trajton një problematikë therëse, siç është ajo e barazisë gjinore dhe e ndryshimit të një mentaliteti të vjetër, regjisori ka vendosur ta trajtojë me gjuhën e kohës kur është shkruar, por me një përshtatje të vogël nga ana e tij, në mënyrë që teksti të rrjedhë më natyrshëm në gojët e aktorëve. Kështu që nuk duhet t’i trembemi një vepre era myk. Regjisori pretendon të sjellë një vepër të freskët dhe moderne, pavarësisht se nuk tenton ta afrojë në kohë dhe të vendosë në një kontekst më bashkëkohor. Nuk i pëlqen fjala “risi” ndaj thotë se kjo vepër do të jetë reflektim i shpirtit të tij, i gjithë kulturës dhe eksperiencës që ka fituar gjatë viteve të karrierës si regjisor. “Do të fus shumë elementë të “commedia dell’arte”, si kostumet elementët e karnavaleve, etj”, thotë Çuli. E duket se këto janë elementë të preferuar në veprat e vëna në skenë prej tij. Kujtojmë “Kopraci”-n e Molierit, vënë në skenën e Teatrit Kombëtar disa vjet më parë, ku përveç kostumeve të kohës, një peshë jo të vogël në pjesë kishin personazhet e nxjerrë nga bota e karnavaleve si lolot, rrëfimtari i shtuar nga vetë regjisori, apo skena-karrocë lëvizëse, si në kohën e Molierit. Për të sjellë këtë vepër tek publiku, regjisori ka përzgjedhur një kast aktorësh, ku gërshetohen ata me përvojë me të rinjtë, të cilët kërkojnë të bëjnë një emër. Kështu në kastin e aktorëve shquajmë emrat e Fatos Selës, Eni Janit, Adelina Muçës, Genc Fugës, etj. Provat kanë ditë që kanë nisur e tanimë puna është në kulmin e vet. Personazhet janë shkëputur nga letra e tanimë kanë marrë formë tek aktorët. Premiera do të jetë në datën 14 nëntor në Teatrin e Metropolit.
Në qendër të komedisë është Mirandolina, pronarja e një bujtine, një grua e shkathët dhe me një sens praktik, e zgjuar dhe me një intuitë të zhvilluar. Ajo refuzon kërkesat e mëtonjësve të shumtë fisnikë, kontë, markezë e kalorës, për hir të dashurisë për një borgjez të vogël Fabricion, të cilit ajo vetë i kërkon që të martohen. Sipas kritikëve, kjo zgjedhje e Mirandolinës, nuk ishte gjë tjetër veçse një tregues i raporteve të reja mes borgjezisë dhe fisnikërisë, në kohën kur Goldoni shkroi këtë vepër. Ishte viti 1752, koha e reformës në teatër, ku ai vetë jep një kontribut të jashtëzakonshëm. Ai krijon një model ndryshe të personazhit femër dhe e shkruan veprën në gjuhën italiane, në mënyrë që ajo të jetë e kuptueshme për të gjithë. Siç shkruan vetë Goldoni, “Zonja e bujtinës” është vepra “më morale, më e dobishme dhe më edukative”.