Çoçoli: Ngërçi politik po ndikon në turizëm

Analisti për çështjet ekonomike, Fatos Çoçoli i ftuar në studiot e “Ora News”, ka folur për situatën në vend. Sipas tij, edhe pse klima ekonomike është më mirë se më parë, ngërçi politik po ndikon në turizmin shqiptar.
Çoçoli theksoi gjithashtu se konsumi në vend është tkurrur ndjeshëm, dhe se nivelet e konsumit lënë shumë për të dëshiruar.
“Është ulur ndjeshëm konsumi në vend. Problemet që hasëm pas zgjedhjeve të 8 majit, u përcollën me tension të jashtëzakonshëm 2 muaj më vonë. Qytetarët nga stresi, frenuan dorën e tyre të konsumit. Sipas Bankës së Shqipërisë, për këtë 6 mujor të parë konsumi nuk ka qenë në nivelet e dëshiruara”, u shpreh analisti ekonomik.
Sipas tij, miratimi i Gjykatës Administrative do të ishte një ndihmesë e madhe jo vetëm për biznesin, por edhe për shtresa të tjera të shoqërisë.
“Me afatin 30 ditor realizohet gjithçka. Çështja e Gjykatës Administrative, duhet të zgjidhet në momentin e sezonit të ri të parlamentit. Këtë nuk e kërkon vetëm ekonomia, por ky është një problem edhe social edhe shoqëror. Është një apel nga të gjitha shtresat e popullsisë, miratimi sa më parë i gjykatës adminsitrative”, nënvizoi ai.
Po ashtu Çoçoli ka theksuar se remitancat e emigrantëve kanë rënë dhe se jo e gjithë masa e popullsisë është kënaqur nga rritja ekonomike.