E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çollaku e mbyll me vendin e 28-të



Atleti Dorian Çollaku i “dhuroi” Shqipërisë zhgënjimin e radhës. Hedhësi i çekiçit, i cili mban edhe rekordin kombëtar me 76.96 metra, rezultat i arritur në Finlandë, e hodhi çekiçin në “Pekin 2008” në largësinë 70.98 metra duke zënë edhe vendin e 15-të në Grupin B nga 16 pjesëmarrës në këtë grup, duke lënë pas vetëm argjentinasin Inacio Huan Sera me 70.16. Më i miri i këtij grupi ishte polaku Szymon Ziolkovski me 79.55 metra, ndërsa në Grupin A ishte hungarezi Kristain Parz me 80.07 metra. Çollaku në provën e parë e hodhi çekiçin në 69.14 metra, në të dytën 69.84 metra dhe të tretën 70.98 metra, teksa për t’u kualifikuar për në finale Dorianit i duhej ta hidhte “hekurin” të paktën mbi 76 metra. Gjithsesi, rezultati i 31-vjeçarit është më i mirë se ai i arritur në Lojërat Olimpike “Athinë 2004”, ku arriti në 70.06 metra. Në renditjen përfundimtare Doriani u rendit i 28-ti nga, duke mos u kualifikuar në fazën finale të kësaj disipline.
“Mbretëresha” shqiptare do të përfaqësohet së fundi me Klodiana Shalën, e cila do të garojë në 400 metra. Sportisti i fundit shqiptar që do të garojë në “Pekin 2008” është mundësi Said Prizreni në mundjen e lirë në peshën 65 kg.
REKORDI I ROVENWS
Notarja shqiptare Rovena Marku nuk arriti të kualifikohej për në fazën gjysmëfinale të garës 50 metra stil i lirë, por megjithatë ajo theu rekordin kombëtar me gati 0.60 sekonda, çka ishte edhe objektivi i saj në Olimpiadën kineze. 23-vjeçarja, e cila mori pjesë më ftesë në “Pekin 2008”, me kohën 28”15 u rendit e pesta nga tetë pjesëmarrës në baterinë e pestë dhe e 58-ta në botë. Më e mira e këtij grupi ishte hungarezja me 27”19, pra gati një sekondë më shpejt se Marku. Në planin personal ky rezultat mund të quhet shumë i suksesshëm pasi ajo theu rekordin kombëtar, kur në Kampionatin Botëror të Melburnit ajo arriti kohën 28”76.
Në “Athinë 2004” notarja shkodrane kishte arritur kohën 30”51, çka “Pekin 2008” është një përmirësim i dukshëm për Rovenën.
Një ditë më parë, notari Sidni Hoxha vendosi një rekord kombëtar në garën 50 metra stil i lirë për meshkuj. 16-vjeçari Hoxha u rendit i 63-ti midis 97 pjesëmarrësve.

Rezultatet e Shqipërisë në “Pekin 2008”
Garat e zhvilluara

PESHËNGRITJE
Romela Begaj, 58 kg: vendi i gjashtë nga 12 sportistë
Erkand Qerimaj, 77 kg: vendi i 13-të nga 30 sportistë
Gerti Trasha, 69 kg: i skualifikuar, dështoi në stilin e shkëputjes

XHUDO
Edmond Topalli, 81 kg: e eliminuar në raundin e parë

NOT
Sidni Hoxha, 50m/stil i lirë: vendi i 63-të nga 97 sportistë
Rovena Marku, 50m/stil i lirë: vendi i 58-të
Trajner: Dashamir Bregu

QITJE
Lindita Kodra
25 m pistoletë me zjarr: vendi 40-të nga 44 sportistë
10 m pistoletë me ajër: vendi 35-të nga 41 sportistë
MUNDJE:
Elis Guri, Mundje klasike, 96 kg: vendi i 8-të nga 20 sportistë

ATLETIKË
Dorian Çollaku, çekiç: 15 gusht, vendi i 15-të midis
Trajnerë: Taulant Stërmasi, Vaso Selenica

Për t’u zhvilluar

ATLETIKË
Klodiana Shala, 400 m: 16 gusht (12:00-13:00)
Dorian Çollaku, çekiç: 15 gusht, (10:40-11:40)
Trajnerë: Taulant Stërmasi, Vaso Selenica

MUNDJE
Said Prizreni, M.e lirë, 65 kg: 19 gusht (09:30-10:30)
Trajnerë: Sulejman Hoxha

Dukuri
Medaljet dhe varfëria e rajonit ballkanik

Dashamirësit olimpikë shqiptarë nuk duhet të vuajnë shumë me “fatin” e sportistëve të saj në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, për mungesën e medaljeve, pasi edhe vendet tona fqinje apo të pellgut tonë nuk e kanë shijuar një gjë të tillë. Kështu, Greqia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Qipro nuk e kanë shijuar ende një medalje. Tre vendet e vetme nga rajoni ballkanik që kanë marrë medalje janë Rumania, Turqia e Bullgaria. Rumania ka numrin më të madh të medaljeve nga vendet ballkanike: 4 në total, 1 ari, 1 argjendi e 2 bronzi. Medaljen e artë Rumania e ka fituar në xhudo për femra për peshën deri në 48 kg, të argjendtën në skermë. Dy të bronzit, një në skermë dhe një shumëgarësh gjimnastikor.
Turqia nga ana e saj ka marrë 1 medalje argjendi në peshëngritje për ferma deri 48 kg dhe 1 bronzi në mundje greko-romake deri në peshën 84 kg. Bullgaria, më një sport shumë herë më të përparuar se ne ka marrë vetëm një medalje bronzi në mundjen greko-romake për meshkuj në peshën deri 74 kg.
D.Frashwri

Klod Duro “mund” brazilianin Rivaldo

Omonia Nikosia fiton 1-0 ndaj AEK-ut të Athinës në kryeqytetin grek, shqiptari Klodian Duro mund brazilianin Rivaldo. Dy surprizat më të bukura që ofroi takimi midis ekipit qipriot dhe atij grek në ndeshjen e parë të turit të dytë eliminator të Kupës UEFA. Mesfushori i Kombëtares shqiptare dëshmoi se është në superformë dhe një nga lojtarët më të mirë të Omonias, duke u shndërruar në një lider të padiskutueshëm në lojën e qipriotëve, teksa ka fituar edhe një “sfidë” ndaj një kampioni të madh siç është Rivaldo, i cili ka luajtur për fanellat e ekipeve më të mëdha të botës siç janë ato të Barcelonës, Milanit.
Klodi bëri një lojë përfekte në mesfushë, duke pasur dëshirë të madhe për të fituar, aq sa edhe në ndonjë rast sporadik e teproi për shkak të ndërhyrjeve të ashpra ndaj tij, teksa u ndëshkuar edhe me karton të verdhë përpara së të zëvendësohej në minutën e 77-të nga Kajafas, ndërsa Rivaldo u zëvendësua vetëm dy minuta ëm pas në të 79’. Ndërsa shtypi grek ishte thuajse në zi: “Panagia mou” (Oh nëna ime!), shkruante në faqen e parë gazeta greke “Score”; “Dramë shqeto”, ishte titulli i madh i “Goal Neës” - ai qipriot është në ekstazë, pasi të mërkurën edhe Anorthosis Famagusta i portierit Arjan Beqaj kishte fituar 3-0 me Olimpiakosin e Pireut në turin e tretë të Ligës së Kampioneve.
Klodian Duro është si zakonisht një nga të thirrurit e trajnerit Ari Han për ndeshjen miqësore kundër Lihteshtejnit, takim që do të luhet më 20 gusht në Tiranë, ku dhe do të përcaktohet formacioni fillestar i ndeshjes zyrtare kundër Suedisë, më 6 shtator. Sulmuesi Besart Berisha ka zënë një vend titullari me Rozenborgun e Norvegjisë (një ish-skuadër e Jahmir Hykës), duke luajtur për 77 minuta në humbjen 2-1 kundër Djudagardenit të Suedisë. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Kristi Vangjeli, luajti nga minuta e parë në fitoren 1-0 të ekipit të tij, Aris i Selanikut kundër kroatëve të Slaven Belupos. Vangjeli luajti për 53 minuta në këtë takim. Mesfushori i majtë Altin Haxhi, qëndroi gjatë gjithë kohës në bankinë në barazimin 2-2 të ekipit të tij qipriot Apoel i Nikosias kundër serbes Cervena Zvezda.

Partizani shndërrohet në kantier

Sokol Bulku, ish-lojtari i Tiranës e Elbasanit, por dhe me një të kaluar te Partizani e te Kastrioti është rikthyer në shtëpinë e kuqe, teksa të enjten zhvilloi edhe stërvitjen e parë nën urdhrat e trajnerit Hasan Lika. Mesfushori 30-vjeçar, i cili është aktivizuar për herë të parë në sezonin 1995-1996 me Tiranën (11 sezone me bardheblutë, 161 ndeshje, 6 gola), ka veshur më parë fanellën e Partizanit në tre edicionet: janar 2005-dhjetor 2006, dhe sezonin e plotë 2006-2007. Me skuadrën e Partizanit, Bulku i “vogël” (nofkë për ta dalluar atë nga Ervin Bulku, kur të dy luanin me Tiranën), ka shënuar 4 gola në 33 ndeshjet e aktivizuara. Për Partizanin, pas nënshkrimit të portierit 30-vjeçar Orges Shehi (325 ndeshje në Superligë), i cili do të jetë edhe kapiteni i skuadrës së kuqe për sezonin e ri pas largimit të Ardit Beqiri, kontratën e re e firmosi edhe 26-vjeçari Dritan Babamusta. Mesfushori durrsak do të luajë kështu sezonin e tij të tretë me të kuqtë, për të cilët ka luajtur 47 ndeshje e duke shënuar vetëm 3 gola, nga 20 të tillë që ka shënuar në total, duke përfshirë edhe aktivizimet me Teutën (185 ndeshje).
Partizani e ka rigjetur veten pas “shokut” në Kupën UEFA, ku edhe pse bëri një paraqitje të mirë në ndeshjen e e parë të turit të parë eliminator të Kupës UEFA kundër boshnjakëve të Shiroki Brijeg (0-0), humbi turpshëm në Tiranë 3-1. Presidenti Xhani pas zyrtarizimit të sponsorit të ri, qipriotëve të “Cyprys Building Construction” është në kërkim të kompletimit të skuadrës me lojtarë cilësorë. Së fundi, përveç sulmuesit 20-vjeçar Xhulian Rrudho, i cili ka luajtur në Itali me Ankonën, Kievon, Sansovinon e Skafatezen, të kuqtë i janë rikthyer edhe pistës braziliane, ku nga katër lojtarët që kanë sjellë DVD-të, dy prej tyre kanë mundur të bindin drejtuesit e klubit. Partizani ka qenë “streha” e parë masive e futbollistëve nga vendi Ronaldos e Ronaldinjos, madje fanellën e kuqe e kanë veshur rreth 15 futbollistë brazilianë, ku më të spikaturit kanë qenë, Abilio, Karioka, Xheradinjo, Kardek, Xhunior, Marselinjo, etj.

16 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›