E Diel, 1 Nëntor 2026

Felps, shtatë medalje në Pekin vlejnë 1 milion dollarë



Nëse Majkëll Felps do të fitojë dhe dy garat që i kanë mbetur, ai do të grumbullojë tetë medalje të arta, më shumë se çdo sportist tjetër në një Olimpiadë të vetme, duke e shndërruar amerikanin në olimpistin më të madh në botë të të gjitha kohërave. Felps i ka të gjitha energjitë për të mposhtur Mark Shpicin, i cili ka fituar shtatë medalje në not gjatë Lojërave Olimpike të vitit 1972. Majkëll Felps duket se ka lindur për të qenë një nga legjendat më të mëdha të notit, por edhe një prej sportistëve më të mëdhenj të planetit. Medaljet e arta të fituara e konfirmojnë më së miri këtë, duke e bërë sportistin me më shumë medalje të arta në planet. 23-vjeçari nuk ndalet, madje të gjithë janë në garë për të përcaktuar se sa të arta do të fitojë ai gjatë gjithë jetës së tij, pasi ai është ende i ri, dhe sigurisht askush nuk e vë në dyshim se forma e tij do të zgjasë edhe në “Londër 2012”.
7 medalje, 1 milionë dollarë
Për rezultatet e tij flasin medaljet, 48 të tilla në total, prej tyre 36 ari, por për jetën e tij faktet janë edhe më intriguese për njeriun që pëlqen shakatë, por edhe muzikën rrep e hip-hop.
Sponsori i tij “Speedo” përpara Lojërave Olimpike “Athinë 2004” bëri të ditur se kishte përtëritur sponsorizimin e veshjeve të rekordmenit botëror deri në vitin 2009, dhe shuma që kompania paguan është jo e vogël: 1 milion dollarë, nëse Felps do të fitojë shtatë medalje ari në “Athinë 2004” ose në “Pekin 2008”. Në Athinë fitoi gjashtë dhe nuk mundi t’i fitojë paratë, por në Kinë i ka gjitha mundësitë. Ka fituar gjashtë deri tani dhe në ka në dispozicion edhe dy gara. Edhe një tjetër medalje dhe do të ketë në xhep 1 milion dollarë. “Sigurisht do ta ndihmojnë atë për të qenë më i motivuar për shkak të vëmendjes së medias”, - tha Stu Isak, një zyrtar i lartë i kompanisë “Speedo”.
I famshëm, por jo shumë i paguar
Felps nuk është ndër sportistët më të paguar në Amerikë. Të paktën jo në dhjetë të parët. “Forbes” e rendit atë në 20 sportistët me më shumë të ardhura, por të paktën nga notarët ai fiton më shumë. Fitimet vjetore të 23-vjeçarit janë rreth 5 milionë dollarë në vit, shumë pak po ta krahasosh me Tajger Uds, golfistin numër një botë. Vitin e kaluar edhe pse fitoi shtatë medalje në Kampionatin Botëror dhe vendosi pesë rekorde, Majkëll fitoi vetëm 200 mijë dollarë. Dhe krahasoni: bejzbollisti amerikan Hideki Matsui fion 19 milionë dollarë në vit, ndërsa basketbollisti gjerman që luan për Dallas Maveriks fiton 18 milionë dollarë në vit. Felps ka nënshkruar kontratë me disa kompani: “Visa”, “Omega”, “Speedo” dhe “Matsunichi” dhe bën reklamë për kompani telekomunikacionesh. “Matsunichi”, një kompani që prodhon “Mp3-player” dhe pajisje të tjera elektronike i jep më shumë se 1 milionë dollarë në vit. Majkëll Felps është një i “varfër” kur e krahason me fitimet që arrijnë emrat e tjerë të mëdhënj. Tajgër Uds ka fituar gjatë karrierës së tij afërsisht 100 milionë dollarë. Piloti i Formula 1, Fernando Alonso fitoi gjatë vitit 2007 afërsisht 35 milionë dollarë, futbollisti Ronaldinjo rreth 32 milionë dollarë, tenisti Roxher Federer po kaq, ndërkohë që Devid Bekam diku te 24 milionë dollarë në vit.
Një mal me medalje
Majkëll Felps ka lindur më 30 qershor 1985 dhe është fituesi deri tani i 12 medaljeve të arta, duke mbajtur njëkohësisht shumë rekorde botërore në aktivitete të ndryshme. Majkëll Felsp fitoi tetë medalje në Lojërat Olimpike “Athina 2004” (6 ari e 2 bronzi), duke u barazuar me gjimnastin rus Aleksandër Ditayin për më shumë medalje të çdo lloji. Në total ka fituar 14 medalje: 12 ari e 2 bronzi, duke qenë sportisti me më shumë medalje olimpike në Lojërat Olimpike moderne. Felsps është votuar si notari më i mirë në botë në vitet 2003, 2004, 2006, 2007 si dhe notari më i mirë amerikan i vitit në 2001, 2002, 2003, 2004, 2006, 2007. Gjatë karrieës së tij ka fituar 46 medalje: 38 ari, 6 argjendi e 2 bronzi në të gjitha kampionatet ku ka marrë pjesë: Lojërat Olimpike, Kampionatet Botërore dhe Lojërat Panamerikane të Paqësorit.

Skeda personale

Emri: Majkëll
Mbiemri: Felps
Ditëlindja: 30.06.1985
Vendlindja: Baltimorë
Vendbanimi: An Arbor, Miçigan
Shtatlartësia: 1.93 metra
Pesha: 84 kg
Sporti: Noti
Medaljet: 46
Trajneri: Bob Boumen
Hobi: bejsbolli, futbolli, videogejmet
Nofka: MP
Notari favorit: Pablo Morales.

Të hash si Felps

Të hash atë që konsumon Majkëll Felps është një punë vërtetë e vështirë. Një gazetar i “The Guardian” e ka provuar dhe nuk ia ka dalë dot.

Mëngjesi

Tre vezë të zjera të vendosura në sandviç, me djathë, sallatë jeshile, domate, qepë të zjerra dhe majonezë, dy filxhanë kafe, një omelëtë, një tas me qull, tre feta tosti francez, tre kekë çokollate

Dreka
Një pjatë me makarona, dy sanduiçë me proshutë e djathë, majonezë dhe një numër shishesh me pije energjike.

Darka
Një pjatë me makarona, një pica dhe disa shishe me pije energjike

KURIOZITETE

Olimpiada e parë

Felps morri për herë të parë në një Olimpiadë në “Sidnej 2000” duke notuar në garën e 200 metrave stil flutur. Rezultati vendi i pestë, por ishte ende një 15-vjeçar, por që premtonte rezultate të mëdha, të cilat erdhën në “Athinë 2004” e “Pekin 2008”.

Rekordi i parë

Në moshën 15 vjeç e 9 muaj, ai theu rekordin e 200 metrave delfin duke u bërë rekordmeni më i mitur në historinë e notit. Kur ishte më i rritur, por ende një adoleshent 17-vjeçar, ai i fitoi vetes dy rekorde botërorë dhe dy amerikanë.

Notari i picave

“Unë po ha shumë pasta dhe pica, po ha shumë karbohidrate, por unë edhe fle gjumë sa të kem nevojë. Nuk mund të them se e kam të lehtë me gjumin, por përpara janë Lojrat Olimpike dhe unë duhet ta bëj patjetër”, - thotë Felps.

Djalë i vetëm

Felps lindi dhe u rrit në Baltimore, u diplomua në “Touson Haj Skull” (203) dhe është djali i vetëm me dy motra. Babai (Fred) punon në Policinë e Merilandit, ndërsa nëna Debi, punon si mësuese në shkollën e mesme. Prindërit e tij janë të ndarë.

Shtatë vjeç në ujë

Felps filloi të notojë qysh në moshën shtatë vjeç nën influencën e motrës së tij. 10 vjeç ai mban rekordin në Amerikë për moshën e tij. Të gjithë shohin te ai një notar të madh, dhe kulmi i parë është kualifikimi për “Sidnej 2000” kur ishte vetëm 15 vjeç.

Trup për ujë

Felps, 193 metra i gjatë, ka një trup ideal për të notuar. Ai ka një gjoks petë dhe krahët e tij mund të hapen deri në 208 cm. Majkëll ka këmbë relativisht të shkurtra që reduktojnë rezistencën e ujit, por këmba e tij ka masën 49.5.

6 herë më shumë

Duke iu referuar një artikulli të botuar në gazetën britanike “The Guardian”, Felps ushqehet çdo ditë me 12 mijë kalori, ose gjashtë herë më shumë se një mashkull normal i rritur. Ai noton shtatë orë në ujë dhe mban një regjim rigoroz.

Zona Miks

Pëlqen hip-hop

“Unë dëgjoj hip-hop dhe rep në mënyrë që të përqendrohem. Kjo më bën të harroj gjithçka dhe të mos gaboj. Kam shumë këngë të reja në pajisjen time MP3, s’kam shumë preferenca, por ndoshta Jang Xhizi”.

Beson te Zoti

“Kur garoj nuk mendoj aspak. Zoti? Unë besoj, nuk po them se jam thellësisht fetar. Në kishë shkoj vetëm në ditën e pushimit. Unë jam mirënjohës për këtë talent që kam”.

Vezë e proteina

“Çfarë hani për mëngjes? Zakonisht para garave, ushqehem me drithëra ose pure. Pas stërvitjes, vezë dhe shumë proteina”.

Arrestohet i dehur

Në nëntor të vitit 2004, në moshën 19 vjeç, Felps u arrestua pasi kishte drejtuar makinën në gjendje të dehur. Ai u shpall fajtor dhe ndëshkua nga gjykata me 18 muaj për t’u folur studentëve kundër pijes dhe pagoi 250 dollarë gjobë.

6 Medaljet e arta të Felpsit
në “Pekin 2008”

15.08.2008
Majkëll Felps (SHBA)
Not, 200m shpinë
1:54,23

13.08.2008
SHBA si ekip
Not, stafetë stil i lirë, 4x200m
6:58,56 minuta (Rekord Botëror)

13.08.2008
Majkëll Felps (SHBA)
Not, 200m flutur
1:52,03 minuta (Rekord Botëror)

12.08.2008
Majkëll Felps (SHBA)
Not, 200 m stil i lirë
1:42,96 minuta (Rekord Botëror)

11.08.2008
SHBA si ekip,
Not, 4x100m stafetë stil i përzier
3:08,24 minuta

10.08.2008
Majkëll Felps (SHBA)
Not, 400 metra shpinë
4:03,84 minuta (Rekord Botëror)

16 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›