E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grate e Politikanëve

 LilJana  - Milo jashë Parlamentit  ...në kurs për patentë Ani JaupajKa disa njerëz tipikë të cilët sapo i takon të duket se i ke njohur prej kohësh. Mbase të sjellin ndërmend një të afërmin tënd, apo kanë atë energjinë e lindur që i bën të komunikojnë me çdokënd sikur të njiheshit edhe më parë. Këtë shije familjariteti të linte Liljana Milo, bashkëshortja e politikanit e historianit Paskal Milo. Të hyje me të në Ministrinë e Ekonomisë, institucion në të cilin është e punësuar, duhet ta llogarisje mirë kohën. Përshëndetej me të gjithë pas cdo hapi që hidhte. Kështu kanë qenë gjithnjë mardhëniet e saj me njerëzit, pavarësisht se në ç’post është, ajo apo i shoqi. Meritë që ajo vetë ja vesh pak edhe vendit të lindjes e origjinës, Vlorës, sado që në këtë pikë mund të hasen edhe kundërshti apo të ngacmohet ndonjë buzëqeshje “rivale”. Që të kursesh në kohë, duhet gjithashtu të llogarisësh që Liljana ecën vetëm në këmbë, pavarësisht distancave. Starti i mëngjesit mund të mos jetë aq i vrullshëm, ama pasdite, kur e ka lënë punën pas, ecja është e zgjatur, i shijon më shumë. Ky detaj mund të jetë një tregues i formës së saj të mirë fizike. Përpos pasionit të të gjitha kohërave, notit që duke qenë se e ka ndarë së pari edhe me bashkëshortin e më pas edhe me fëmijët, vetëm sa është përforcuar. Nuk kish si të ishte ndryshe...çdo të thotë për ju të  jesh gruaja e një politikani?Para së gjithash do të thotë të jesh pranë bashkëshortit veçanërisht në momentet e vështira të politikës, në orët vendimtare të saj, në përkrahjen shpirtërore e emocionale për të cilën një politikan  ka aq shume nevojë. Të qenit bashkëshortja e një politikani është e lidhur edhe me një lloj sakrifice ndaj personalitetit vetjak, ndaj hapësirave që egoja vetjake do të dëshironte të shfrytëzonte, por për shkak të rolit publik të cilin vesh një grua politikani, shpeshhere i duhet të heqë dorë, ose të paktën të spostohet paksa. Natyrisht, roli publik përmban në vetvete një sërë detyrimesh ndaj jetës publike, kujdesin ndaj figurës shembullore që sipas meje duhet të jetë karakteristike jo vetëm për politikanin por dhe për familjen e tij.Si dhe sa ndikon gruaja te burri politikan... Kur u shpreha më sipër për përkrahjen shpirtërore e emocionale kisha parasysh vërtet përkrahjen shpirterore, në formën e kujdesit, në formën e dhënies se kurajos pse jo dhe në formën e të dëgjuarit të problemeve që lindin thjesht nga fakti i të qenit politikan. Por çdo gjë ndalet këtu, nuk shkon më tej. Politikani MILO i drejtohet vetvetes e bashkëpunëtorëve të tij në politikë, ndoshta dhe historianit MILO kur është fjala për vendime në këtë fushë.Si i ka rezistuar lidhja juaj martesore tallazeve të politikës?Të duash dikë do të thotë ta pranosh atë ashtu siç është, pa u përpjekur të ndryshosh personalitetin e tij. Të pranosh nuancat e të përpiqesh të kompletosh këto nuanca, shpeshherë në emër jo vetëm të dashurisë në çift por mbi të gjitha në emër të respektit ndaj partnerit. Ndjenjë e cila duhet të qëndroje gjithnjë në bazë të një raporti miqësor, e sidomos në bazë të një raporti martesor pa te cilin ky i fundit nuk mund të ekzistojë. Po tani që angazhimi i Z. Milo nuk është në pozicionin e mëparshëm politike?Im shoq ende vazhdon të jetë në politikë dhe i angazhuar në jetën politike të vendit. Natyrisht që gjatë 17 viteve  me aktivizimin e tij pranë institucioneve partiake, më pas parlamentit e më vonë si Ministër i Jashtëm, edhe ritmet e jetës ndryshuan. Nuk është pjesë e legjislaturës aktuale por mbetet shumë aktiv, nga jeta partiake apo duke u aktivizuar mjaft në jetën akademike e universitare, pra për të qenë e sinqertë nuk është se ka ndryshuar së tepërmi ritmi i jetës tonë më mosqenien e tij si deputet në Parlament.Le të flasim për fillimet e angazhimit në politikë të burrit tuaj: Po sakrifikohej koha që më parë i përkiste familjes a studimeve?Zakonisht në këto raste sakrifikohet koha që i takon familjes në meritë të kohës për punën. Me rritjen e angazhimeve politike u rritën dhe detyrimet publike dhe befas gjendesh në një realitet të ndryshuar e kërkon të jetosh më intensivisht.Gjithsesi ndërmjet detyrimeve të aktivitetit politik, punës si deputet, im shoq gjithnjë është përpjekur të ruajë për familjen esencën e ditës, duke qenë prezent në momentet e duhura.Po më parë, përpara angazhimit politik, si ka qenë rritmi i ditës së të dyve?Mund të them se është im shoq ai që gjithnjë ka qenë dhe është prezent në orarin e drekës për familjen që kur fëmijët ishin në moshë të vogël, kjo edhe pse profesioni i tij i parë si pedagog në Universitet ia mundësonte një gjë të tillë, ndërkohë që mua më është dashur të respektoj oraret administrative e të gjendem pranë familjes në pasditen e vonë. E përfshirja në politikë? Duhet të ketë pasur momente delikate, edhe për ju... Si keni reaguar?Gjatë karrierës politike të këtyre viteve më është dashur shpesh herë të përjetoj momente delikate të profesionit të tim shoqi e t’i gjendem pranë tyre, duke e dëgjuar, mbështetur e ndonjëherë dhe këshilluar nga pikpamja e një njeriu të tretë e asnjanës. Në fund të fundit një partneritet e martesë funksionon nëpërmjet mirëkuptimit, gjetjes së gjuhës së përbashkët dhe mbështetjes emocionale që partnerët kanë mundësi dhe nevojë t’ia falin njëri-tjetrit.Po fëmijët, ç’qëndrim mbanin ndaj vonesave të gjata të punës së babait?Fëmijët ne i kemi mësuar që në moshë të vogël të jenë të pavarur e kjo u ka dhënë mundësinë të zhvillojnë karakter të fortë, natyrisht që roli i babait është tepër i rëndësishëm në familje por im shoq i është dedikuar gjithnjë fëmijëve me shumë ngrohtësi e përkushtim dhe gjithnjë ka gjetur mundësinë, pra edhe në momentet e një axhende tepër të ngjeshur diplomatike në vitet 97-2001, tu ofrojë fëmijeve vëmendjen e tij të pakushtëzuar.Fakti që Z.Milo spao ka nisur kursin për të marrë patentën është tregues që koha e lirë sapo ka mbërritur... Po sapo e ka nisur në fakt por nuk është vonë. Ne jemi të dy energjikë dhe mendojmë që asnjëherë nuk është vonë për asgjë. Tani jemi në rritme normale jetese, përpiqemi të dy t’i kushtojmë më shumë vëmendje një shëtitjeje në ajër të pastër, të udhëtojme në fundjava brenda vendit apo jashtë, një pasion i vjeter ky, si dhe të kalojmë më shumë kohë me miqtë e përhershëm që në fakt janë edhe një thesar i vërtetë në jetë. Lydra - Meidani,i kthehet ritit të kafes së pasdites Rexhep Meidani, ndoshta, nuk e kishte pikasur ende vështrimin e kaltër të studentes, apo ndofta nuk kishte dashur ta pikasë meqenëse menjëherë pas atij muajit të parë do t’i duhej të largohej. Tre vitet e ardhshëm ishin planifikuar në Francë për specializim. Asnjë trishtim nga asnjëra palë, nuk është i tyre rasti i dëshpërimeve të gjata. Asgjë ende nuk kishte nisur. Rikthimi i pedagogut të fizikës do ta gjente studenten në vitin e fundit të fakultetit. Këtu... historiza e tre viteve më parë, do niste të merrte formë...“Paris, reunion parents!”(Paris, mbledhje me prindër!). Kështu i kishte të ruajtura në desktopin e kompjuterit të zyrës, zarfin e verdhë të vogël me fotot e Parisit, Lydra Meidani. Kështu i kishte ruajtur e bija, e ëma sa herë i shihte, qeshte me to. Kjo ishte ikona e dytë më e klikuar në kompjuter, e para ishte “skype”, dritarja e vogël e komunikimit që e lidhte me të birin, të bijën, përditë. Lydra Meidani nuk e fsheh posesivitetin ndaj tyre, paçka se mosha e fëmijëve e kufizon. Nëse do ishte si atëherë, kur krahas pozicionit të nën drejtoreshës së shkollës së mesme “Ismail Qemali” kishte edhe “barrën” e zonjës së parë, nuk do të kishte kohë për kuriozitetet e saj të vogla ndonjëherë me devijime nga boshti i bisedës. Po ajo kohë është mbrapa, kështu që Lydra mundet ta shtrijë bisedën sa të dojë, aq sa të qeshë pastaj kur sheh nënshkrimet në fotot që i dërgon e bija pas vizitave të tyre në Paris, ku “mblidhen”. ***Syzet me skelet të kuq që vinte sa herë i afrohej ekranit të kompjuterit apo listave të notave të nxënësve, vetëm sa i jepnin sportivitet portretit të Lydra Meidanit. Mandej, përtej tryezës së punës, rikthehej buzëqeshja e një kohe që ishte vetëm e saja. Flokët biondë të kuruar njësoj në përditshmëri, janë po ata që kujtojnë gjithnjë të gjithë brezat e nxënësve që kanë kaluar nga “Ismaili’. Përparsja e bardhë bën që t’i largohesh pak idesë së një gruaje që kujdeset gjithnjë me kohë të plotë për veten, duke ju qasur më shumë rolit të mësueses. Madje, asaj të matematikës!Në fakt kjo degë, as që i kishte shkuar në mend ndonjëherë e as që e kishte përmendur ndonjëherë në ato bisedat e “mëdha” që bënin mes shoqesh në kohët e gjimnazit. Nuk ishte ndër projektet e saj për të ardhmen. ç’kishte parë e dëgjuar në libra, në u quajtshin tendenca, të atyre viteve, i ishin konvertuar në filozofi a gazetari. “Këto ishin degët në modë atëherë, në vitet ’75 “. Po ja që tendencat e modës Lydra nuk pat mundësi t’i ndiqte. Rezultatet e mira në olimpiadat e matematikës, për dreq, kishin vulosur një pjesë të fatit të saj. Ose më mirë të tërën. Sepse sapo të hynte, në muajin e parë të vitit të parë në fakultetin e shkencave, do shihte atë që më pas do të bëhej bashkëshorti i saj. Prandaj nuk u bë asnjëherë pishman që ditët e para të rrugës së saj të re i nisi në aksion, ku njëri prej pedagogëve, do t’i shoqëronte. ***Rexhep Meidani, ndoshta, nuk e kishte pikasur ende vështrimin e kaltër të studentes, apo ndofta nuk kishte dashur ta pikasë meqenëse menjëherë pas atij muajit të parë do t’i duhej të largohej. Tre vitet e ardhshëm ishin planifikuar në Francë për specializim. Asnjë trishtim nga asnjëra palë, nuk është i tyre rasti i dëshpërimeve të gjata. Asgjë ende nuk kishte nisur. Ishte bërë vetëm prezantimi i parë. I mjaftueshmi për tu ruajtur në kujtesë, aq sa një ringacmim, të mund të hapte dyert. Në fakt Lydra nuk beson në dashurinë me shikim të parë, prandaj edhe insiston të sqarojë se asgjë, as edhe një shikim ndryshe nga të tjerët, atë muaj, nuk u pat shkëmbyer. Rikthimi i pedagogut të fizikës do ta gjente në vitin e fundit të fakultetit. Kështu që, historiza e tre viteve më parë, do niste të merrte formë. Ende edhe sot, pas 30 vitesh, Lydra vetëm sa buzëqesh kur i ngacmon atë kohë duke dhënë vetëm përgjigje të shkurtra pa zbukurimet e një historie dashurie. Interesi i pedagogut ndaj studentes, nuk ka kaluar pa u ndjerë nëpër korridoret e fakultetit të shkencave, vetëm se kujtimet e saj nuk duan të shpërfaqen për të gjithë. Ato pak muaj që kishin mbetur pas rikthimit të Rexhep Meidanit nga Parisi, do t’i mbajë vetëm për vete, për të nisur më pas një tjetër kapitull. ***Shikimet e ëmbla vijuan e u forcuan jashtë mureve të rëndë të asaj godine që vetëm romantizëm nuk të ndjell. Ishin mbyllur të gjitha dosjet me shifra, ishin të lirë të shiheshin ku të donin pa u parë nga të gjithë. Kishin kaluar me kohë ato ankthet e mëngjeseve do ta shoh s’do ta shoh?! Duhej vetëm kurorëzimi final, që të vinte më pas në jetë djali, Denioni, si për t’i hapur rrugën motrës dy vite më pas. Punët shkencore në fizikë të Rexhep Meidanit, mësimdhënia e zonjës së tij, dhe dy vogëlushët që ju kishin mbushur shtëpinë, i kishin dhënë jetë një familje të re. Brenda kuadratit të tyre, kishin krijuar disa zakone që u diferenconin ditët. Dreka do ishte përherë në shtëpi, përherë bashkë. Ora 7 e pasdites do t’i gjente patjetër duke fjalosur e mbledhur tok të gjitha ngjarjet e ditës, tek gjerbnin kafen deri sa.......ngjarjet do të ndryshonin kryekëput. Gjithë rehatia e viteve të gjata do tronditej me emërimin e beftë, sekretar i përgjithshëm! “Unë kisha dashur që Rexhepi të niste të angazhohej politikisht, nevojiteshin intelektualë, por nuk e pata menduar postin e rëndësishëm kaq shpejt”. Ritmet e tjera të ditës në fillim do ishin pak hutuese, të panjohura. Imazhi i babait në tryezën e punës po zbehej për shkak të angazhimeve. Udhëtimet e Meidanit jashtë shtetit kishin qenë gjithëherët të pranishëm, po tani situata ishte e re. Për më tepër që fare afër do të vinte emërimi tjetër e më i rëndësishmi. Nuk do ishte më Lydra që do rrudhte buzët për shkak të orareve të gjata të punës së të shoqit apo ndonjë hatërmbetje pse iu anulua kafja e orës 19 : 00. Të dy, burrë e grua, po zhvendoseshin me shtëpi. Presidenti i Republikës bashkë me zonjën e parë, mbi tapetin e kuq, po ecnin drejt vilës presidenciale. Drekat e përditshme nuk mund t’i pretendonin më, as kafen e buzëmbrëmjes. Mos u çudisni as nëse ndonjë ditë, u qëllonte të takoheshin vetëm në takime zyrtare, në mbledhje a delegacione. Përshëndetja e kësaj situate ishte një shkëmbim shikimesh. Për të folur më pas në gjuhë zyrtare, si dikur me atë të shifrave. ***Më shumë se emocion, Lydra e quan përgjegjësi atë që ju desh të përballonte kur i shoqi mori postin e kreut të vendit. Nëse më parë ishte mësuar që të mos e ndërronte asnjëherë drejtimin e rrugës, çdo mëngjes, për të shkuar në shkollën “Ismail Qemali” tani gjithçka kishte ndryshuar. Asnjë adresë nuk ishte më fikse. Deri në vitin 1997, Lydra edhe përgjumësh do ta gjente rrugën e punës, do njihte nxënësit kudo që të ishin. Drejtimi i ri që i mori jeta, e la mësimdhënien doemos në hije. Avantazh ishin edhe marrëdhëniet e hershme me kolegët, nëse për disa orë mësuesja e matematikës nuk mund të ishte e pranishme në shkollë, ndonjëra prej tyre ishte përherë disponibël për ta zëvendësuar. Kjo ishte një ndër arsyet kryesore që zonja e parë e vendit nuk u shkëput për asnjë ditë nga shkolla, megjithëse përparësi të tjera kishte në dorë. Të qenit e pranishme në konferenca e seminare të ndryshme, kërkonte përkushtim jo të vogël. Duhet të lexonte e të përballej me situata që deri atëherë, siç ishte e zhytur në botën e shifrave, nuk i kishte dëgjuar. Sa herë në kohën e lirë u drejtohej shembujve të huaj. Duke nisur që nga prezenca e me radhë, ç’bënin zonjat e tjera që ishin në pozicionin e saj. Fillimi ishte i ankthshëm, megjithatë ajo gjendja e frikës nuk u zbeh as me kalimin e kohës. Madje edhe tani Lydra është e bindur se nëse nuk do të ishte frika në mes, punët nuk do të shkonin për mbarë, siç shkuan. Vërtet që tani, kur i qëllon të gërmojë mes atyre dosjeve për të cilat ka punuar asokohe, mendon se mund të kishte bërë edhe më mirë. “Problemet e fëmijëve, një ndër gjërat me të cilat merresha, kishin qenë fushë e panjohur për mua, kështu që bëja aq sa mundja”. Ndërkaq nga miqtë, familjarët madje edhe nga fëmijët, kishte mbetur vetëm kujtimi i kohërave kur kishin gjithë të dielat e lira për t’i kaluar me njëri -tjetrin. Në vitin e parë që Rexhep Meidani u bë president, i ati i Lydrës u nda nga jeta. Kështu që nevojitej përkushtim edhe ndaj nënës. Kohë të cilën ajo rropatej për ta gjetur. Gjeti edhe një zgjidhje të dobishme për të ëmën e saj e për të bijën, i bëri të dyja tok. Kështu asnjëra nuk do të ishte vetëm e as ajo nuk do të shqetësohej në çdo çast se ç’ishte duke bërë njëra apo tjetra sepse djali ishte nisur për të studiuar në Amerikë. Deri sa...***...Jeta iu rikthye normalitetit. Përfundimi i mandatit të presidentit do t’i kthente të gjithë në jetesën e dikurshme. Në atë drekën e përhershme që burrë e grua ishin mësuar ta hanin bashkë e në kafen e orës 19:00 kur flisnin për gjithë ngjarjet e ditës së secilit. Vetëm se, nëse dikur ishin mësuar të kishin edhe fëmijët nëpër këmbë, tani janë vetëm të dy. Djali dhe vajza janë larguar për studime. Kështu që nënës s’i mbetet veç të krijojë një “miqësi” tejet të ngushtë me telefonin, të shohë e stërshohë fotot që e bija i dërgon nga Parisi pas çdo here që prindërit shkojnë për vizitë, e të përdor atë ikonën e preferuar në desktopin e kompjuterit të zyrës, “skype”. Nëse nuk do të ishin këto rite të reja në funksion të komunikimit etër-bij, mund të thuhët se gjithçka është kthyer si më parë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›