E Diel, 1 Nëntor 2026

Çorientimi politik, si kurs zyrtar i opozitës

02-07-2011 / Redaksionale

Në Partinë Socialiste çorientimi politik është bërë aq i organizuar saqë duket të jetë i programuar si një kurdisje ore dore. Kanë dy vjet që bëjnë rreshtore dhe zvarritje, dhe tani si papritur, të gjithë kanë diçka për të thënë mbi drejtimin e opozitës, dhe partisë socialiste. Dje për shembull patëm lajmin se deputeti Arben Malaj si ekonomist i është futur sipërmarrjes së një lëvizjeje për një “Politikë të re”, duke rimarrë kështu një slogan të mëparshëm të Ramës. Nga auditorët e një Universiteti privat shumë të njohur, UET,  Arben Malaj nënvizoi rëndësinë e PS-së për të “qartësuar vendimmarrjen politike” duke kërkuar “Rishikimin e marrëdhënieve me organet kushtetuese”. Deputeti socialist theksoi gjithashtu se “Pushteti i përqendruar te kryetari (Edi Rama) është me pasoja negative”. Deputeti socialist paralajmëroi se do të zhvillojë një tur në të gjithë vendin për të prezantuar platformën e re. Këtu do të jemi për të konstatuar zhvillimet më të reja të bursës së kapitaleve politike të PS-së.
Megjithatë këto ditë ka pasur edhe ngjarje të tjera që kanë të bëjmë më Partinë Socialiste dhe lidershipin e saj busull-humbur. Kështu ka qenë letra me porosi e Erjon Braçes kundrejt shefit Rama, që ka zgjuar xhelozinë e deputetëve të tjerë të furrikut socialiste. I pari që ka reaguar për dashurinë  e thënë ndryshe të Braçes drejt Ramës, ka qenë Fatmir Toçi, i cili vlerëson se  shqetësimet e ngritura nga kolegu i tij, Erjon Braçe në letrën publike drejtuar kreut të PS-së, Edi Rama  duhet të thuhen së pari brenda strukturave të partisë dhe jo në media. Sigurisht Toçi i Ramës harron të sqarojë se është kryetari aktual i PS-së, që ka narkotizuar strukturat dhe forumet e Partisë Socialiste.
Gjithsesi ky Toçi është i shqetësuar nga këto protagonizmat politike, edhe pse ai me këtë ndërhyrje publike po bëhet vetë protagonist. Një tjetër deputet i Partisë Socialiste, Andis Harasani shprehet hapur se Edi Rama ka dështuar në udhëheqjen politike të opozitës dhe të PS-së. Ai thotë se “Janë pikërisht këto shqetësime që më kanë shtyrë mua, z. Islami dhe z. Malaj të jemi në parlament thjesht për të treguar që duhet të ushtrojmë detyrën tonë kushtetuese. Janë këto shqetësime, të cilat lanë z. Malaj dhe mua deri në mëngjes duke diskutuar për buxhetin. Kjo është detyra jonë dhe shqetësimi ynë dhe duhet kuptuar që kjo nuk është asgjë më shumë se ajo çka kryetari i partisë bënte me detyrën e tij si kryetar bashkie kur shkonte çdo ditë në punë”. Zërat kritikë ndaj drejtimit të Ramës kanë marrë shpejtësi të papritur.
Kuptohet vetiu se deputetët tek Partisë Socialiste janë në hall të madh. Kanë kuptuar se me një lider si Rama s’kanë për të ardhur kurrë në Pushtet sepse frymëzimi dhe epërsia morale e opozitës ndaj qeverisë Berisha jo vetëm që nuk ekziston, por është në favor të qeverisë, e cila edhe pse me ritme jo aq të shpejta, po ecën e sigurt drejt stadit “Shqipëria vend i zhvilluar”. Synimi është 2017-a.
Kryeministri Berisha ka theksuar se investimi në infrastrukturë është hapi i parë sipërmarrjes më të madhe të marrë ndonjëherë në këtë vend. Rrugët e reja, themeli i ëndrrës “Shqipëria, vend i zhvilluar”. Mirëpo kundër kësaj iniciative është ende në funksion agjenda konfliktuale e Ramës, i cili ka humbur dy sfidat e fundit elektorale përballë kreut të PD-së dhe Qeverisë. Këto humbje janë reflektuar edhe në humorin e brendshëm të opozitës. Sot janë të paktë njerëzit e këtyre partive minore që mendojnë dhe besojnë se Rama do mund të arrijë të galvanizojë jo vetëm anëtarët e partive opozitare, por edhe pjesën gri të votuesve, që vendosin se kush do të qeverisë. Nga zgjedhjet e 8 majit Rama ka humbur pothuajse të gjithë kapitalin politik ndërkombëtar dhe besueshmërinë e qytetarëve të Tiranë, çka nuk është pak në qoftë se ke bërë plan të jesh kryeministër, qoftë larg një ditë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›