Kur kalon Malin magjik
Kur lexon një libër të mirë, hierarkia e letërsisë që ke njohur dhe raporti me të ndryshojnë vetiu. Vjen natyrshëm ngacmimi për të vendosur një rend të ri, pra për të nxjerrë në krye atë që sapo ke mbaruar, edhe pse je i vetëdijshëm se ende nuk ke kënduar sa duhet dhe se akoma nuk e ke ndër duar tekstin më të mirë të jetës së kufizuar faqe përjetësisë së letrave.
Ndoshta kjo ndodh edhe pse lënda e sapopërfunduar është më e freskët se të tjerat dhe memoria jonë kapriçoze dhe selektive sot nuk ka shumë vend për të gjithë dhe gjithçka. Kur lexon librin Mali magjik të Tomas Manit, me të vërtetë një gjë e njëmendtë ndodh në brendi, dhe sakaq letërsia që ke lexuar deri tani nuk është më e para. Ka ardhur koha për një fron të ri. Mali magjik është një pretendent i padiskutueshëm.
Libri dyvolumësh është një takim i vazhdueshëm i kujtdo që e lexon me diçka të përtejme, me përmasa shpesh të parrokshme nga të gjithë ne që bëjmë një jetë të zakonshme. Nuk është nevoja që të ketë furtunë dhe zhvillime dramatike për ta bërë gjithë çka lëviz në këtë roman të veçantë dhe unike, megjithëqë moti i ashpër dhe ngjarjet e hidhura nuk mungojnë aspak. Është, në fakt, stuhia e brendshme dhe koha jo e butë e njeriut, masës, dilemave të tij, që feksin nga kreu i librit deri në sosje.
Jo më kot quhet një Roman Idesh.
Libri nis me një rrugëtim nga rrafshina gjermane për në majat e epërme të Zvicrës të një inxhinieri të ri, që quhet Hans Kastorpi. Destinacioni është një sanatorium i famshëm në Davos. Atje shkohet për tu shëruar nga sëmundjet e mushkërive, ose për të mbajtur frymën e fundit në rastet e pashpresa. Në kreshtat e Davosit nuk ka më zhvillim, teknologji, sipërmarrje dhe halle të përditshme. Bota këtu është prej mishit e gjakut, shpirtërore dhe humane. Njeriu është masa e gjithçkaje. Beteja e vazhdueshme e jetës me vdekjen dhe hilet e shëndetit vetëm sa i nxjerrin më shumë në dritë mundimet e tjera më të rëndësishme të homo-sapiensit. Çfarë është koha, si rrjedh ajo. Kush quhet progres dhe cbën njeriu për këtë. Ligështitë e pamjaftueshmërisë dhe fataliteti para orëve të mëdha dhe të palumtura, si lufta. Kisha dhe politika. Një muze i madh i asaj çka po ndodhte atëbotë këtu e një shekull me parë, por përnjëmend edhe i asaj çka po ngjet sot e kësaj dite. Kjo është galeria ku na zhyt nobelisti Tomas Man, për të cilin vazhdimisht duhet të sigurohesh nëse me të vërtetë ka jetuar shumë dekada më parë, apo është ende gjallë me çka shkruan në Malin e tij magjik, aq e sotshme duket gjithë çka ai ka lëvruar në fillimin e viteve 1900.
Hans Kastorpi çuditet nga kompetenca e madhe mjekësore e doktorëve të sanatoriumit Berghof. Por ai ende nuk ka njohur italianin Setembrini, një rilindës, iluminist dhe humanist i të gjithë kohëve. Nuk është takuar as me Naftën, një jezuit e konservator i mbyllur, por me dije të pamasa.
Tjerrja e mendimeve dhe ideve, debatet dhe analizat e thella filozofike mes këtyre dy personazheve e ndryshojnë përfundimisht botën e Hansit. Ai është një djalë i ri, audiencë e përkryer për këta dy mendimtarë që rrahin vazhdimisht trutë mes tyre deri në stërhollimet më të fundit të fjalës, në rrekjen për të gjetur pasues.
Berghof është një sanatorium, por në të vërtetë është një laborator i madh personazhesh nga çdo cep i botës me kulturat dhe zakonet e tyre. Tomas Man, një kirurg i thekur karakteresh, u bën një bisturi të hollë gjithë profileve, madhështisë dhe kotësisë së tyre, me stil artistik të patëmetë.
Në këtë vend të izoluar ku janë përqendruar kaq shumë qytetarë të botës me jetët e tyre të ndryshme, ku marrin udhë ide të mëdha, ku luftohet për të jetuar, sigurisht se ka vend për dashuri. Tomas Man nuk e glorifikon këtë ndjenjë si klishe, e paraqet si antidotin më të mirë dhe për sëmundjen e rëndë të mushkërive.
Mali magjik në shqip, me më shumë se 1000 faqet e tij në dy vëllime, do të ishte më pak magjik nëse nuk do të ishte përkthyer me pasionin e duhur. Shqipërimi që i ka bërë Afrim Koçi nuk vë bark në asnjë moment, as kur libri vjen nga fundi, ku natyrshëm mund të vërehen shenjat e lodhjes.
Para Malit magjik nuk qëndron dot indiferent. Kur e kalon atë, ndien se ke bërë një alpinizëm shpirtëror të pashoq.
