E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, sindikatat në protestë ndaj politikave të qeverisë

Greqia është përfshirë sërish nga protestat. Kryeqyteti i vendit, Athina është kthyer mbrëmjen e së martës në arenë të protestave të fuqishme të organizuara nga sindikatat dhe unionet e ndryshme. Edhe këtë herë, ashtu si në protestat e ditëve më parë, sindikatat kanë nxjerrë në shesh mijëra njerëz, të cilët protestojne ndaj politikave të qeverisë dhe krizës së thellë ekonomike në vend. Pasi u mblodhën në sheshin përpara akademisë, portestuesit marshuan në rrugët kryesore të Athinës për t'u grumbulluar para sheshit të parlamentit, ku deputetët po zhvillonin një seancë plenare, tema e diskutimit të së cilës konsistonte në shpëtimin e vendit prej falimentimit ekonomik. Protestuesit kërkuan prej qeverisë anulimin e masave tepër shtrënguese që ka ndërmarrë ndaj klasës punëtore.
Qeveria është në konsultime për të bërë një sërë ndryshimesh në sistemin fiskal dhe social me qëllim uljen e deficitit tepër të lartë të financave të vendit, që kanë cuar ekonominë në prag falimentimi total. Ndërsa kryeministri Papandreu deklaroi se nuk do të lejojë falimentimin e vendit edhe opozita konservatore e Antoni Samaras duket se do të përkrahë mazhorancën në ndërmarrjen e masave ekonomike që ka paralajmëruar. Më herët lideri i Demokracisë së Re deklaroi se do të mbështesë qeverinë me qëllim shpëtimin e financave publike edhe pse në shumë pika politikat e dy partive janë të ndryshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›