E Diel, 1 Nëntor 2026

"Danas": Thaçi e Daçiq po fshehin të vërtetën

Burime diplomatike të gazetës beogradase “Danas”, kanë thënë se deklarata e përbashkët e kryeministrit serb, Ivica Daçiq, dhe atij kosovar, Hashim Thaçi se pas raundit të shtatë të bisedimeve nuk janë “as afër as larg marrëveshjes”, fsheh nga opinioni publik të vërtetën se ata janë marrë vesh rreth Asociacionit të Komunave Serbe. Siç i është thënë “Danasit” ata janë pajtuar që Asociacioni të formohet sipas parimeve të Planit të Ahtisaarit.

Sipas burimeve jozyrtare të kësaj gazete, “ky asociacion do të përbëhet nga dhjetë komuna me shumicë serbe në krejt Kosovën e Metohinë”, gjashtë prej të cilave janë në sistemin vetëqeverisës lokal, plus katër komuna të veriut të Kosovës.

Komunat serbe vetë do të bartin një pjesë të kompetencave të tyre tek Asociacioni. Zgjidhja, siç është thënë, në thelb nuk do të bjerë ndesh me Kushtetutën e Kosovës, përderisa në takimin e radhës, më 2 prill, Daçiq e Thaçi do të duhej të gjenin një zgjidhje se si komunat në veri të kalojnë nga sistemi serb në atë kosovar, ngase zgjedhjet lokale në Kosovë nuk do të mbahen para vjeshtës. Thuhet se këto zgjedhje do të mund të organizoheshin bashkë me zgjedhjet parlamentare në Kosovë, në mars të 2014-s.

Po të njëjtët burime bëjnë të ditur se palët janë afër marrëveshjes për telekomunikacionin. Kosova thuhet se do të duhej të merrte kodin telefonik +383, përderisa serbët do të kishin “operatorin”, të cilit do t’i jepej leja e punës për Kosovë. Për takimin e 2 prillit ka mbetur shqyrtimi i çështjes për energjinë, financimin e institucioneve serbe në Kosovë nga ana e Beogradit, si edhe të asaj, nëse palët do të obligohen për arritjen e marrëveshjes me deklaratë të përbashkët apo me nënshkrimin e marrëveshjes.

Edhe pse përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ka paralajmëruar 2 prillin si një datë për takimin përmbyllës, burimet e “Danasit” kanë thënë se nuk përjashtohet mundësia që muajin e ardhshëm të mbahet edhe një takim “solemn” me të cilin do t’i jepej fund raundit të parë të bisedimeve. Sipas burimeve jozyrtare, në vjeshtë, nën udhëheqjen e komisionerit për Zgjerim, Stephan Fyle, pritet të bisedohet për borxhet, sigurimet, dëmshpërblimet e luftës, pensionet dhe çështje të tjera sociale./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›