Lluka mbetet drejtor ekzekutiv i AKP-së

Shkëlzen Lluka do të mbetet drejtor ekzekutiv i Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kështu ka vendosur bordi i AKP-së në mbledhjen e parë në të cilën janë marrë vendime pas më shumë se 8 muajsh pauzë. Lluka do të mbetet në krye të bordit, edhe pse ai kishte pranuar një mendim nga zyra ligjore e AKP-së së mandati i tij ka përfunduar më datën 26 janar të vitit 2012, shkruan sot “Koha Ditore”. Mendimi ligjor i kësaj zyre ishte bazuar në shpalljen e konkursit që ishte bërë me rastin e pranimit të tij, në të cilën ishte kërkuar një kandidat që do të kishte mandat 2 vite për udhëheqjen e AKP-së. Posa Bordi i Drejtorëve të AKP-së kishte vendosur për të, Lluka kishte pranuar një e-mail nga Departamenti i Resurseve Njerëzore se kohëzgjatja e kontratës së punës ishte në përputhje me konkursin.
Por, zyrtar të AKP-së për gazetën kanë thënë se Lluka ka mandat, pasi ai buron nga vendimi i bordit të AKP-së, i cili ishte marrë më 26 janar të vitit 2011. E në vendimin e bordit për emërim të tij në krye të AKP-së nuk është cekur fare periudha kohore e qëndrimit të tij në pozitën e drejtorit menaxhues të AKP-së.
“Prandaj, drejtori menaxhues ka mandat deri sa Bordi i Drejtorëve nuk vendos ndryshe”, ka thënë zyra për media e AKP-së.
Bordi i AKP-së, edhe të enjten ka konstatuar se drejtori ekzekutiv i AKP-së ka mandat dhe se do të vazhdojë të jetë në këtë pozitë edhe në të ardhmen. Bordi po ashtu ka vendosur që të hartohet një rregullore e brendshme në të cilën do të tregohet se si do të procedohet në të ardhmen sa i përket çështjes së drejtorit ekzekutiv.
Në mbledhjen e bordit është diskutuar edhe për disa shitje që janë bërë në të kaluarën, e të cilat kanë pritur me muaj miratimin nga ana e Bordit. Në mbledhje është diskutuar për vendimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të “Trepçës” për rritje të pagave. Bordi ka vendosur që rasti të procedohet për miratim nga ana e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme./Indeksonline/