"Deklarata justifikuese dhe të turpshme të Kryeministrit"
Lëvizja "Mjaft!" është thellësisht e tronditur nga shpërthimi i fabrikës së vdekjes në Gërdec dhe solidarizohet me familjet e viktimave të një prej tragjedive më të mëdha në këto 17 vjet. Nga ana tjetër, jemi të tronditur edhe nga deklaratat justifikuese dhe të turpshme të Kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë, të cilët në më shumë se një rast e kanë klasifikuar ndodhinë si aksident, dhe në vend që të mbajnë përgjegjësi publike, janë shndërruar në zëdhënës të mortit të radhës.
Kompania shqiptare e tregtimit të skrapit ka punësuar banorë me mëditje, gra e fëmijë për bukën e gojës. Shumë nga punonjësit e tjerë, bazuar mbi vetë dëshmitë e tyre, ishin të patrajnuar, ndërsa kushtet e punës rezultojnë jashtë çdo standardi dhe çnjerëzore. Armët janë grumbulluar në një fshat dendësisht të banuar, që tani është kthyer në një varrezë masive, me burra, gra, dhe fëmijë.
Vetë kjo qeveri, përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr.138, datë 14.03.2007, ka sanksionuar se "Procesi i çmilitarizimit e çmontimit duhet të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të Forcave të Armatosura...". Diçka e tillë nuk ka ndodhur.
Kujtojmë se ky është precedenti i dytë, që nga tragjedia e ngjashme e Dhëmbanit në Tepelenë, në 2006-ën. Përballë këtyre fakteve, Ministri i Mbrojtjes duhet të ndiqet menjëherë penalisht dhe kryeministri Sali Berisha duhet të japë menjëherë dorëheqjen, për sa kohë, si kreu i qeverisë, është personalisht përgjegjës për keqqeverisjen që shkaktoi këtë katastrofë njerëzore. Në rast se kjo qeveri nuk merr përgjegjësi dhe institucionet përkatëse nuk veprojnë në bazë të ligjit dhe moralit njerëzor, Lëvizja "Mjaft!" do të organizojë qytetarët në protesta, deri në dorëheqjen e Kryeministrit dhe ndjekjen penale të Ministrit të Mbrojtjes.
*Drejtor Komunikimi i "MJAFT!"