"Qeveritarë, kë ngushëlloni? Pse?"
Vdekja është sipari i mbylljes, dhe vjen për të gjithë një ditë. Zemra na e do të vijë me moshë, të vijë nga arsye natyrale dhe jo të vendosin një grup njerëzish të paskrupuj, të pafytyrë, që dinë vetëm të mbushin xhepat dhe me plot gojën, të mos e çajnë ..... për popullin e tyre.
O Zot i madh, si duron akoma e na le që të shfarosemi pak nga pak, nga vetë fara jonë!
Si s'kanë turp, si guxojnë të lëvizin e të dalin nëpër rrugë, nëpër kamera, të japin intervista, të ngushëllojnë...
KË NGUSHËLLONI ?
PSE?
KUR I VRATË ME DUART TUAJA!
Kësaj i thonë, të te vras natën e të të qaj ditën, vetëm që kësaj here i vratë në mes të ditës dhe syri juaj nuk derdhi një pikë loti!
Njeri del e thotë që janë marrë të gjitha masat, si Gjithmonë...
Tjetri del e thotë që ky aksident nuk do ndryshojë rrugën e Shqipërisë drejt NATO-s...
Ndërsa ai më i pafytyri, do dali në ekranin e TV Klan për të dhënë përgjigje, argumentime, vetes së tij, kuptohet, se ato që do thotë nuk i hyjnë njeriut në punë.
Nuk i hyjnë as atyre që nuk u gjendet nami dhe nishani, as atyre që u transportuan me avionë nëpër Europë, as atyre që dergjen nëpër spitale, as atyre që u kthyen nëpër shtëpitë, më falni, nëpër rrënojat e shtëpive, as atyre që po shkulin flokët nga dhimbja, as neve që e jetuam këtë tragjedi nëpërmjet TV dhe që jemi kaq budallenj, që të gjithë që nuk zëmë mend asnjëherë!
Sa herë na shpohet zemra, prapë e ulim kokën, prapë e zëmë gojën me pambuk, kemi gjak me shumicë, kemi pasur dhe në të kaluarën dhe do kemi dhe në të ardhmen.
Pastaj, pse të na bëjë përshtypje?!
Ky është HOBI jonë, të shkatërrohemi, të zhdukemi nga faqja e dheut me DUART TONA!
Po, o Shqiptarë, me DUART TONA!
Se janë duart tona që i japin votat të gjithëve, të kuqve, bluve e portokallinjve, janë duart tona që votojnë për jetën tonë të ZEZË!
Të më falni për këto që shkrova, por nuk mundesha dot t'i mbaja.
Nuk thashë gjëra që nuk i dini.
Nga zemra, si qytetare, si nënë që jam, i çoj ngushëllimet e mia dhe të familjes time, të gjithë atyre që u preken nga kjo katastrofë edhe atyre që e përjetuan si puna ime.