E Diel, 1 Nëntor 2026

"Derivate të liderëve politikë që persekutojnë ndërgjegjen e popullatës"

Në përgjithësi, duket sikur tranzicioni shqiptar ka kultivuar pushtetarë tjetërlloj, ndërsa ka provokuar një frymë mediokriteti të egër në filozofinë e atyre që kanë qeverisur deri tani. Klasa politike shkëputet njëherësh nga baza me një eufori mediokre dhe përbuzje të papritur për shtetasit shpirtthjeshtë. Krijohet një hendek i madh mes të rëndësishmëve dhe hallexhinjve, mes pushtetarëve dhe të komanduareve; përtej propagandës politike, që është drejtimi i vetëm ku politikanët shqiptarë harxhojnë energji me pasion të vërtetë, ka vetëm hipokrizi,vjedhje spektakolare, egoizëm primitiv dhe vetëm korrupsion të pandalur. Pushtetarëve shqiptarë ju mungon totalisht ndjeshmëria civile dhe humanizmi; përkundrazi, shpesh duket sikur ata ngazëllehen me shtimin e problemeve të të tjerëve,të cilat në shumë raste, vetë ata i krijojnë. Mund të gjesh drejtues meskinë lart e poshtë, të zgjedhur për të zgjidhur probleme, këlyshë të injorancës, që lumturohen ekskluzivisht me thellimin e perbindshem të hendekut mes tyre dhe njerëzve të ndershëm që për të jetuar punojnë dhe durojnë; nëpër zyrat e administratës shtetërorë gjen përditë drejtues hajdutë, ordinerë që persekutojnë ndergjegjen e popullatës; shqiptarët që udhëheqin kanë një shtytje rebele e cila ngjan me një hakmarrje brenda llojit ndaj ndershmërisë së mbetur. Drejtorë bythëvarur e injorantë, që abuzojnë kafshërisht me pushtetin, në kurriz të qytetarëve, duke shpërfillur gjithçka, vetë misionin e tyre dhe shtetin e tyre, pijanecë, jargamanë, servilëe qafështrembër, që shiten për mbretër e perandorë në zyrat ku ndërlikohet gjithçka e nuk zgjidhet asgjë, pra shefa të tille ka në Shqipëri sa të duash. Por këta janë derivate të udhëheqjes së lartë, mbi të cilën pra është kabineti qeveritar dhe vetë zoti President i Republikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›