E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ej, mos i thuaj njeriu" Kiço Londo: Një projekt interesant në teatër

Premiera në skenën e Teatrit të Metropolit vjen për publikun falë bashkëpunimit të Arian Çanit me regjisorin Hervin Çuli
Të gjithë e njohin si gazetar dhe drejtues të një emisioni, por duket se tashmë Arian Çani do të provojë aftësitë e tij edhe në teatër, në gjininë "One man show", mjaft e njohur në mbarë botën prej vitit 1960. "Ej, mos i thuaj njeriu" titullohet shfaqja ku për rreth një orë gazetari Çani do të komunikojë me spektatorët në mënyrë interaktive, duke trajtuar fenomene, të cilat i hasim rëndom në jetën tonë, por që nuk kemi pasur asnjëherë mundësi t`i themi me zë të lartë. Premiera "Ej, mos i thuaj njeriu" do të jepet në skenën e Teatrit të Metropolit, të dielën në 17 maj në orën 20:00. Ajo vjen për publikun e kryeqytetit falë një bashkëpunimi të Arian Çanit me regjisorin Hervin Çuli dhe Teatrin e Metropolit. Dje për të treguar diçka më shumë rreth kësaj premiere doli në një konferencë shtypi dhe drejtori i këtij teatri, Kiço Londo, i cili u shpreh se kjo premierë ishte një projekt interesant,i cili vjen në vijim të projekteve të stinës pranverore që do të prezantohen në skenën e këtij teatri. Ky është një projekt i ri dhe interesant që i prezantohet publikut tonë, në vazhdën e projekteve të stinës teatrore 2008-2009. Falë kësaj shfaqjeje do të ndërpritet shiriti i komunikimit televiziv të Çanit, dhe do të marrë jetë një tjetër lidhje e tij me teatrin.  Duke e quajtur të vonuar sjelljen e kësaj gjinie në skenën e teatrit shqiptar, drejtori Londo tha se projekti sapo u paraqit u pëlqye. Nuk mbaj mend se kush e propozoi i pari mes Çanit dhe Çulit, por di që menjëherë pas ardhjes së tyre tek ne, projekti u pëlqye dhe u miratua. Pas premierës në 17 maj, Ej, mos i thuaj njeriu, do të vihet në skenë pesë ditë në javë, nga e shtuna në të mërkurë, deri në fillim të muajit qershorit. Shfaqjet e gjinisë One man show janë mjaft të njohura në mbarë botën prej vitit 1960, kur kjo gjini u prezantua për herë të parë në SHBA. Ndërkohë që teatri i Metropolit është bërë mbështetës dhe i një aktiviteti tjetër muzikor që ka startuar në kryeqytet. Tirana po kalon disa ditë nën ritmet e muzikës xhaz, e cila vjen pranë publikut nga emra të njohur botërorë. Në Teatrin e Metropolit ka startuar Vesa Jazz Festival, i cili ka sjellë në kryeqytet personazhet nga më të njohurit në nivele ndërkombëtare të kësaj muzike, që nga saksofonisti Hal Singer 90-vjeçar, i cili konsiderohet një nga legjendat e gjalla të muzikës xhaz, por pjesëmarrës janë dhe emrat më të rinj të muzikës xhaz në Itali.
Ej, mos i thuaj njeriu !, Arian Çani si aktor në skenë
Gazetari i njohur, Arian Çani del për herë të parë në një One Man Show në skenën e Teatrit të Metropolit. Histori dhe situata plot humor të zi do tju shoqërojnë gjatë gjithë shfaqjes. Ej, mos i thuaj njeriu !, kështu quhet spektakli teatral që kësaj here vjen krejt ndryshe nga ajo që jeni mësuar të ndiqni çdo të premte në ekranin e televizionit. Gjithçka që Çani nuk na ka rrëfyer dot nga ekrani do të mund ta shijojmë nga afër në skenën e Teatrit të Metropolit, duke filluar nga 17 maji, ora 20.00. Thelbi i këtij show teatral është rrëfimi dhe çmitizimi i disa fenomeneve moderne të jetës sonë të përditshme.
Një këndvështrim shumë interesant, provokues, origjinal dhe subjektiv që autori e ndan me publikun në sallë. Një komunikim i drejtpërdrejtë interaktiv që tenton të sjellë në vëmendje ngjarje, situata dhe rrethana të cilat i përjetojmë çdo ditë në forma të ngjashme. Fenomene të shndërruara në mite moderne që ne i ndeshim rëndom dhe gjithandej në jetën tonë si publiciteti, spoti i Pangos, modeli i ri i rrobave të banjës, të varfrit, klasa politike dhe zgjedhjet e 28 qershorit, televizioni si një makth, fatura e një shfaqje në teatër, dhimbja para ndarjes me publikun, etj...Çani mban distancën e duhur higjenike, por duke mbajtur njëkohësisht dhe një qëndrim të hapur ndaj këtyre miteve moderne. Qëllimi: çmitizimi pa ua zbehur vlerën dhe rëndësinë e tyre. Me pak fjale, një rrëfim që mbështetet në detaje dhe histori të thjeshta, të cilat njerëzit shpesh i thonë me zë të ulët. Çani merr kurajon të na i tregojë me zë të lartë...  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›