Dashuritë shekspiriane, “antikuare” në Vlorë
Cfarë e bën një shkrimtar të sukseshëm në një vend si Shqipëria kur kriza e leximit është vajtimi më i madh për letërsinë? Sigurisht për lakmitarët e librit, ata që shkruajnë romane, dhe që duan të ndjehen intime me lexuesit është një sfidë tepër e vështirë sot. Kjo si duket nuk e ka trembur, me arsye Ben Blushin, ku me librin e tij të parë “Të jetosh në ishull” për shumëkënd ka qenë hezitim ta quanin shkrimtar. Debati ndodhi si kurrë ndonjëherë. U përfshinë dhe të zjarrtët dhe të urryerit e komercializmit. Dhe prap asgjë nuk ndodhi- përveç faktit të pamohueshëm që shumë prej nesh iu kthyen leximit të historisë së vërtetë shqiptare. Kjo është merita që nuk i duhet mohuar këtij autori. Si duket “loja” me historinë është çelësi i artë i shkrimtarit Ben Blushi që vjen para lexuesit me romanin e dytë të tij “Otello, Arapi i Vlorës”, duke befasuar për “rrufenë” e sjelljes së këtij botimi në distancë nga i pari, pra brenda një vit për të shkruar sërish tek lexuesi. Ishe libri i parë që i ka shërbyer Blushit të hidhet në letërsi në mënyrë të rrufeshme, duke sjellë librin e dytë. Në promovimin e librit të parë, vetë Blushi u pat shprehur se inspirimi ka qenë i hershëm, por momentet e ftohjes me kryetarin e partisë së tij, Ramën, e bënë ta shfrytëzojë “pushimin” për të bërë letërsi duke shkruar romanin e parë.
Botuesit i tij “Toena” ka pasur garancinë e shitjeve nga romani i parë duke shënuar një shifër rekord, me mbi 20 mijë kopje në dhjetë muaj, që ka vendosur sërish ekskluzivitetin edhe për romanin e dytë të Blushit.
Ndërsa Blushi, dje, në promovimin e romanit të ri e ka pohuar se donte të bënte një kronikë shqiptare, ashtu siç ndjehet nostalgjia në reliktet apo antikuaret - në këtë detaj të një trashëgimie shpirtërore kërkon rremimin. Ngjarjet shtrihen në vitet 1300-1400 dhe zhvillohen në dy qendra urbane të njohura të kohës së Mesjetës, në Venedik dhe në Vlorë, marrëdhëniet politike e tregtare midis të cilave ishin mjaft intensive për kohën. Sfondi historik është real: Vlora e viteve para pushtimit turk dhe përpjekjet e kryezotit të saj, Balshës II, për të zgjeruar zotërimet e tij dhe për të përballuar vërshimin e turqve në Jug të vendit. Historitë që të çojnë tek personazhet konsiderohet karremi i Blushit, duke çuar në gjetje origjinale dhe intriga të pabesueshme të autorit - dhe pikërisht në këtë libër ai merr nga Shekspiri, nga tragjedia e njohur “Otello, Arapi i Venedikut”, në të njëjtët role, por të vendosur në kohë gati 100 vjet më parë se tragjediani i njohur të kishte lindur. Otello, Desdemona, Emilia, Jago, Kasi etj., janë figura të njohura të letërsisë botërore, por që në këtë roman veprojnë jo vetëm në Venedik, por më shumë në Vlorë, në bashkëveprim me shumë figura interesante vlonjate të krijuara nga autori, si mjeku i famshëm Stefan Gjika, trimi lab Andrea, turku pushtues Hamiti etj. Romani i dytë i Ben Blushit është mbi të gjitha një roman mbi dashurinë. Dhe atje ku ka Otello, Desdemonë e Jago nuk mund të mungojnë xhelozitë, tradhtitë, intrigat, ligësitë, vuajtjet e vrasjet në një shoqëri të zhytur në vese e interesa të paskrupullta.