E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bos për projektet?!



Ka ardhur koha që Ministria e Kulturës të merret seriozisht me projektet më madhore në vend, të kërkojë t’i institucionalizojë ato, ashtu siç tregon edhe përvoja e vendeve fqinje që trashëgojnë festivale teatri, muzike etj., mbi 30-vjeçarë, duke u financuar në 60% nga shteti. Në këtë rrezik injorimi është Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Butrint që organizohet prej 10 vitesh në Sarandë - a mund t’i japë shteti status dhe të bëhet bos i teatrit antik?! Dy njerëzit që sot drejtojnë MTKRS-në nuk japin asnjë përgjigje për këtë, por deklarohet se po shtohet dhe një festival humori dhe në letra shtohet dhe një festival teatri alternativ - dhe bashkë me këto, në zërin e projekteve janë plot 200 projekte që i ndajnë buxhetit të kulturës 120 milionë lekë

Nuk është hera e parë që Ministria e Kulturës çon në përplasje institucionet publike me njerëzit që bëjnë projekte private kulturore, dy zëra krejt të ndryshëm që financohen prej saj. Por mes vetë komunitetit të artistëve që janë në punë e pa punë, që marrin rroga në shtet e nuk marrin, ka nisur inati i madh i projekteve artistike.

Tani ka dalë në shesh dhe nuk është ndonjë çudi kur të dëgjojmë vetëm gjuhë lekësh sa do marrë një projekt e sa do marrë një festival. Ministri i ri, Adrian Turku, sigurisht nuk e njeh këtë patologji të kulturës, duke mos kuptuar hendekun mes tij, komunitetit artistik dhe kulturës së izoluar të kryeqytetit. Ndërsa ajo që ka marrë përsipër gjithë punët e kulturës qysh në ikjen e Pangos, na u tha se është zv.ministrja Suzana Turku. Kjo, për shumë arsye që janë më se të logjikshme, sepse znj. Turku e njeh mirë gjendjen në ministri, pasi punon aty qysh në mandatin e Bujar Leskajt, ndërsa me Pangon ka qenë krejtësisht e ftohtë në punët e ministrisë.

Prej kësaj mund të marrësh përgjigje se çfarë po ndodh konkretisht, me gjithë projektet e lëna në gjysmë nga ish-ministri Pango. Por, asgjë nuk ka ndodhur deri tani veçse dëgjesës të së njëjtës muzikë: të mblidhet këshilli artistik, e pastaj të vendoset. Ndërsa jashtë kësaj hermetike, veprimtari që mbahen në këmbë me kotheret e ministrisë, ca për miq, e ca për shokë, e të tjerë të partive që vijnë në pushtet - i ka zënë patologjia e projekteve. Sindroma e përhershme pse rrezikohen çdo vit veprimtaritë është koka e ministrave: në çfarë hëne do të jenë, nëse janë aq të zellshëm t’i lexojnë dosjet fill e për pe, edhe pse bëhet fjalë për shumë të mëdha dhe veprimtari prestigjioze. Por, asnjë nga këto nuk dëgjon kurrë. Një shkrimtar i dëgjuar që bën pjesë në këshillin artistik të ministrisë, pra një nga ata që duhet të shohin dosjet dhe t’i firmosin sipas peshës së kanarit, tha se një festival teatri që është bërë i bujshëm duhej të mbahej me fuqitë e veta tani, se ka dhjetë vjet organizim dhe duhej të kishte arkën. Ky shkrimtar, pra, as që e kishte idenë se çfarë ishte kjo veprimtari, kur pohoi se nuk kishte shfletuar asnjë faqe të dosjes, dhe nuk kishte marrë pjesë qoftë dhe për kuriozitet në asnjë edicion - se si janë mekanizmat e mëtejshme për këtë shkrimtar nuk kishte kuptim, pasi atij i ishte thënë kështu, prerë - se nuk meriton më fonde nga ministria. Gjithë kjo është një replikë, sigurisht jo ballë për ballë mes Fatos Kongolit (ky është i fundit për t’u pyetur në ministri) dhe Festivalit të Teatrit të Butrintit që bëhet çdo vit në Sarandë, në skenën antike. Edhe këtë vit, që ka përvjetor, pra mbush dhjetë vjet nga organizmi, që është i vetmi i kësaj natyre, dhe që ka këtë moshë, që i ka shërbyer artistëve si shkollë teatri, që ka shërbyer për marrëdhënie të drejtpërdrejta turistike – pra, edhe këtë ky festival ka një këmbë në varr e një sipër tij. Festivali i Teatrit në Butrinti është një “model” për të kuptuar se strategjia ndjek MTKRS-ja në këto dhjetë vite - pavarësisht se cila forcë politike vjen në krye. Me çfarë janë ballafaquar gjithë këto vite organizatorët e festivalit të Butrintit është një skaner i mirë se çfarë ngjet me Ministrinë, dhe arsyet politike për ta mbajtur këtë festival. Alfred Bualoti, ideatori i “Butrint 2000”, dhe poseduesi i Qendrës Mesdhetare të Teatrit (të gjithë natyrisht e kanë një emër të madh për teatrin) nuk ka miq, shokë politikanë, as nuk bën pjesë në aferat politike - është krejt jashtë këtij realiteti. Të këtij model marrëdhënie janë dhe dy organizatorët e tjerë të festivalit Adonis Filipi, për “Skampa”-n, në Elbasan apo Dhimitër Orgocka për komedinë në Korçë. Por duhet thënë e vërteta festivali i Butrintit është ndoshta gjetja më madhore për një festival teatri ndërkombëtar që ka lindur në këto dhjetë vite. Pavarësisht se kush e organizon, financimi nga Ministria e Kulturës nuk ka qenë ndonjë çudi e madhe përveçse një detyrimi institucional për një nga projektet më serioze dhe cilësore mbi teatrin në vend. Për ta minimizuar këtë veprimtari, shuma që mbyll dosjen e saj është prej 40 milionë lekë të reja, si buxhet i përgjithshëm financiar, ndërsa ministria gjithnjë është kërkuar mbështetje vetëm me një të tretën e kësaj shume. Sigurisht për kurrizin e ministrisë kjo shumë është e madhe, pasi i duhet të mbajë në ankth dhe katër-pesë festivale të tjera të teatrit, që janë po ndërkombëtare, të krijuar pothuaj këto pesë vite të fundit. Po ashtu janë plot dhjetë festivale të përvitshme folklorike që dorëzojnë çdo vit projektin pranë MTKRS-së. Ajo që bën çudi në këto financime është se për të përqendruar veprimtaritë është ngritur Qendra Kombëtare Kinematografike, ashtu sikurse funksion Qendra Kinematografike Filmit. Por edhe në këtë rast nuk mungojnë absurdet - pasi disa veprimtari filmike, qoftë festivale apo projekte private të pavarur vazhdojnë të sjellin projekte në ministri dhe të marrin dy herë para nga fondet publike, si nga qendra ashtu dhe nga ministria. E kësaj natyre na duket edhe Qendra Folklorike. Në listën e projekteve të propozuara vihet re se ka të njëjtë emra që aplikojnë dy apo tri herë për veprimtari të ndryshme, për të marrë pra para nga ministria. Sa për teatrin ata njerëz, privatë, që kërkojnë mbështetje financiare nga ministria për një festival, detyrimisht, nuk kanë ku ta përplasin kokën, pasi ligji për teatrin që parashikon ngritjen e qendrës dhe financimin prej andej, do t’i qartësonte këto marrëdhënie, që shpesh na dalin diabolike në sektorë të tjerë. Për të mos ironizuar më tej janë dhe shumë festivale të muzikës klasike, ku përfshihen zëra lirike, instrumentalë, koralë, frymoret etj. Për instrumentin e violinës janë dy projekte të propozuar, festivale që nuk dihet kur dhe si organizohen, duke zbuluar kështu dhe mungesën e dosjes së shtypit për secilën prej tyre.

Këto janë raste që flasim vetëm për projekte që janë kthyer në festivale të përvitshme - duke përjashtuar në këtë kontekst projekte të dorës së dytë, për të cilat asnjëherë nuk ka munguar ironia se ministria është shndërruar në një fondacion ku mund të fusë dorën çdokush, bashkë me një mik për të marrë një dorë lekë pa shumë mund. Bashkë me këto përmbushet fondi i caktuar vetëm për zërin e projekteve në ministri - një financim i llogaritur, aq sa është deklaruar, prej 120 milionë lekë. Dhe sigurisht nga këtu lindin pretendimet e organizatorëve të festivaleve - për nga rëndësia kombëtare se çfarë vendi zënë me projektet e tjera. Kjo është një nga pikëpyetjet më të mëdha që realisht duhet të përballet ministria, dhe tani të paktën t’i japin drejtim dy krerët e ministrisë - pra dy njerëzit me mbiemrin e njëjtë, Turku.

Me të drejtë një prej tyre, Alfred Bualoti, shpesh thotë në media se “ne duhet të ballafaqohemi me projektet e ministrisë; çfarë është Butrinti në krahasim me një këngëtar?!”. Duke filluar që nga Festivali i Ohrit, me 1 milion euro në sezon, festivali i Sarajevës “Mess Festival” që shkon 800 mijë euro, po shkojmë në Beograd tek Bitef për të cilin financohet rreth 2 milionë festival, në Bullgari në festivalin barna etj. - këto festivale që kanë mbi 40 vjet organizim, e dikush 25 vjet, mbështeten kryesisht nga shteti. Kur themi kryesisht nga shteti do të thotë që mbi 60% të buxhetit ata e marrin nga shteti, se ndryshe nuk mundet që ata të kenë impakt me festivalin, ndryshe nuk janë të garantuar. Por, pa diskutuar aq shumë këto për nga standardi, dhe sikur mos të mjaftojë inflacioni i festivaleve të teatrit, ministri i Kulturës pa shumë bindje na njohur me një tjetër projekt sikur po bëhet gati një festival humori, që në fakt duhet thënë është një veprimtari që hapet e mbyllet, duke na dhënë përshtypjet e qartë se vjen prej miqësive - në mos vlerë tjetër nuk ka. Po ashtu, nga lista e projekteve që ministria ka publikuar në ëebsite shohim se është shtuar edhe një projekt festivali teatror, ndërkombëtar për Teatrin Alternativ nën logon e shoqatës “Për menaxhimin e artit dhe kulturës”. Aq sa kemi prezantuar është minimalja për të kuptuar se çfarë ndodh në një vit në ministri, dhe mes komunitetit artistik- pasi bëhet fjalë për një fluks projektesh që deri më 15 shkurt (afat për dorëzimet e fundit) numërohen plot 200 projekte artistike, nga shoqata dhe individë privatë. Fati i tyre një për një nuk dihet- prandaj pre e gjithë kësaj hapësire publike çdo vit bien projektet më të mëdha siç është p.sh., Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Butrint. Organizatorët e këtij festivalit janë të parët, që kanë denoncuar dështimin e zbatimit të ligjit të sponsorizimit pasi ka vite që provon dyer për të gjetur mecenatin po nuk ja ka dalë. Tani që edhe Ministria e Kulturës nuk ka ndonjë interes politik, apo lidhje të tilla sigurisht që do mbetet rrugëve nëse nuk ndërhyn dhe Kryeministri - dera e fundit që zgjedhin organizatorët për të mbijetuar - dhe ja kanë dalë. A ka ardhur koha, pa ndjekur gjithë këtë falanga, të rishikohet statusi i këtyre projekt-veprimtarive duke vërejtur se kush meriton të institucionalizohet apo për të vendosur përfundimisht të mbyllen - në këtë rast është dëshmuar se ka grupe të gatshme, që dikush tjetër zëvendësimin e “shpenzimeve” nga fondet publike - apo shteti të mos tërhiqet për t’u bërë përfundimisht bos i tyre.

Lista e Projekt-Propozimeve për Fondin Kulturor 2009 të mbërritura në MTKRS nga data 15 janar - 15 shkurt 2009, më poshtë janë vetëm organizime festivalesh në fusha përkatëse

Festivalet e Teatrove

-Festivali i Katërt Ndërkombëtar i Monodramës “Albamono 08”, Shoqata Kulturore-Artistike Iliria; Dhimitër Orgocka

-Festival Ndërkombëtar Aktrimi Apolon ’09, Teatri Bylis, Fier, Klajd Marku

-Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Alternativ / Shoqata “Për Menaxhimin e Artit dhe Kulturës” Gëzim Kame

-Festivali Rajonal i Teatrit rinor “Edicioni i Parë”/Rinoteatër, Shtëpia e Kulturës “Dhimitër Orgocka”, Bashkia Maliq

-Hapja-Openness Edicioni i 11-të Ndërkombëtar i Teatrit Kontemporan Skampa 2009-Festivali i teatrit bashkëkohor evropian; Adonis Filipi, Elbasan

-Festivali Vera e Adriatikut, Kastriot Cipi (nuk përcaktohet natyra e festivalit)

Festivale Folklorike

-Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Sazeve dhe Orkestrinave Popullore”, në Korçë

- FFTK i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë”, në Lezhë

-FFTK i Këngës Popullore Mbarëqytetare”, në Shkodër

-FFTK i Iso-Polifonise”, në Vlorë

-FFTK i Valles Popullore – Lushnje

-Festivalin Folklorik i Veglave të Muzikës Popullore, Gjirokastër

-Festivali Ndërkombëtar “Përmeti Multikulturor”, Përmet

-Festivali “Oda Dibrane”, Peshkopi

-Festivali Folklorik Mesdhetar “VLORA 2007”, Vlorë

-Festivali i Shoqatave Folklorike, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike

Esat Ruka

Festivale Klasike

-Edicioni i XVI i Festivalit” Ditët e Muzikës së Re Shqiptare ‘09, Muzika e Re Shqiptare

Nestor Kraja, Dorian Cene

-Konkurs-Mbarëkombëtar i Zërave Lirikë “Jorgji Truja”, Takuina Adami, Presidente Epta Albania

- Maratona e Muzikës Violinistike edicioni i katërt, Shoqata Bota e Artit, Ina Kosturi

- Klasik-Artistët e Rinj Shqiptarë në Sezonin Ndërkombëtar të muzikës, Miqtë e Muzikës

Pjetër Guralumi

-“Camerata e Tiranës” Shoqata “Artema”, Denada Toçe, Koncerte, Aktivitete të ndryshme

-Albania Dance Meeting 2009, Festivali Internacional i Dansit Modern e Kontemporan Durrës Beauty, Gjergj Prevazi, Dansi Modern e Kontemporan

-Festivali i 9-të Shopenian, Shoqata “F. Choplin”, Akademia e Arteve, Rudina Ciko

-Festivali Evropian Koral i Shqipërisë –edicioni i tretë, Syri Blu, Besim Petrela

-Konkursi Ndërkombëtar Violinistik “Çmimi Islam Petrela”, Shoqata Kulturore Arstistike Ëndërr për Muzikën, Mirela Jovani

-“Tre tenorët 2009”, Edmond Tullumani

-Festivali i dhjetë ndërkombëtar i vokalit operistik të Shqipërisë “Marie Kraja”, Shoqata Kulturë Media art, Zana Çela.

-Speheres dhe Hemispheres Festival ‘09, Shoqata Aelfior-Aleksandër Peci

-Festivali ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve”, Shoqata Franko-shqiptare Argjiro, Ilda Mara

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›