"Ligji mes Vlorës dhe klanit qeveritar"
Është qesharake ky insistim i klanit qeveritar, të cilët mendojnë se me sjelljen e tyre aspak serioze në lidhje me këtë temë kaq të rëndësishme për të ardhmen (jo vetëm të qytetarëve të Vlorës, por gjithë vendit - e konkretisht të ardhmen e turizmit në këtë vend) do të japin ndonjë ndikim tek opinioni publik. Askush nuk mund të më bindë p.sh., se insistimi i qeverisë është në interes të "Popullit". Se ky popull ka plot 17-vjet që po vuan për drita e ujë etj., pikërisht për shkak të paaftësisë të qeverive, e tani meqë na i paska ngecur "veza" në bythë të pulës, na u dashka të pranojë një zgjidhje të tipit "prish shtëpi e bëj kasolle". Çfarë bën kjo qeveri për mëse 17-vjet? Më falni për shprehjen, i bënë m.. këtij populli e tani për të kënaq ata që kanë marrë paratë e promocionit (flitet për rreth 5 milionë euro të shpërndara nëpër xhepat e mbështetësve qeveritarë të projektit) duhet të ndotim një vend ku bëjmë pesë ditë plazh në verë? Nuk kemi të gjithë mundësitë financiare të ministrave e deputetëve tanë, që të shkojmë të bëjmë pushime jashtë. Më qesharakja, është që tani përdorin dhunën kundër protestuesve sepse dikush aty lart na tregoka Ligjin e që duhet t'i bindet qytetari Ligjit! Natyrisht që duhet t'i bindet qytetari Ligjit, por kur gjithë ky popull sheh se si një ministër hajdut tenderash rrugësh nuk do t'ia dijë për Ligjin, e kur një prokuror shkarkohet pa pyetur për Ligj e Kushtetutë, pse u dashka që Ligji të veprojë vetëm për popullin e thjeshtë? Kisha dhe një lutje për gjithë bashkëqytetarët apo bashkëlexuesit e kësaj rubrike, sepse shoh në disa opinione që bien viktimë e demagogjisë së klaneve që janë paguar për të lejuar në Vlorë një hale të këtillë. Lutja ime është kjo: Të jesh shqiptar e ta duash vërtetë të ardhmen e vendit tënd, nuk mjafton të dish të shkruash e flasësh shqip, por të trajtosh me seriozitetin e duhur çdo zhvillim të tij, në çdo aspekt! Kush është i interesuar që Vlora të jetë po ai vend për turizëm ashtu si e ka krijuar Zoti, bashkohuni me qytetarët e Vlorës në mbrojtje të saj.