Tenderi me Vlorën
1 Euro ia vuri çmimin Fatos Nano sipërfaqes prej 18 ha në Gji të Vlorës dhe kishte një blerës të vetëm, "La Petrolifera". Sali Berisha e quajti këtë korrupsion të Fatos Nanos dhe tha se do ta anulonte tenderin për Vlorën. Kjo nuk ndodhi. Sali Berisha firmosi tenderin. Me këtë tender veç sipërfaqes prej 18 ha "Petrolifera" do të kontrollojë një territor me një rreze 500 m nga sipërfaqja e blerë d.m.th., rreth 100 hektarë të tjera përreth sipërfaqes prej 18 ha (shih Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, versionin e plotë. Theksojmë se qytetari i thjeshtë nuk ka shans ta gjejë atë diku, pavarësisht se ligji kërkon që ajo të jetë publike). Po kështu, ngjitur me "La Petroliferën", Fatos Nano vendosi t'i falë 14 hektarë plazh e pyll kompanive të naftës për të ndërtuar një TEC, që i duhet naftësjellësit AMBO për të pompuar 1 milionë fuçi naftë çdo ditë. Por Nano firmosi edhe faljen e territorit prej 550 ha po në këtë hapësirë për vepra nafte. Nga ana tjetër, menaxherët e naftësjellësit AMBO e kanë që tani në dorë gjithë Gjirin e Vlorës, qëkurse skafet, edhe lodër kalamajsh të jenë, nuk lejohen të qarkullojnë në Gji të Vlorës. Të gjitha këto firma të Nanos po i vulos Sali Berisha.
Afera në Gji të Vlorës duket vërtetë si një tender me Vlorën. Përmbledhtazi. Kompanive të paracaktuara i ofrohet një territor prej 550 ha + gjithë Gjirin e Vlorës, për 30 milionë USD në vit + 1 Euro. Nga shumë burime të ndryshme konfirmohet se rreth 5 milionë USD janë hedhur për promocion (kupto në xhepat e vendimmarrësve kryesorë). E veçanta është se në tender kanë hyrë, pasi e morën vesh aferën, edhe qytetarët e Vlorës, të cilët thonë se territorin prej 550 hektarë e blejmë Ne, 100 herë më shtrenjtë. Kjo ofertë e qytetarëve të Vlorës nga organizatorët e tenderit (Nano, Sali) doli disi e paparashikuar, edhe pse futja e qytetarëve në tendera të tillë kishte ndodhur një herë me tenderin e importimit të plehrave të Italisë në Shqipëri.
Qytetarët e Vlorës tani, sipas ligjit, sanksionuar edhe në Kushtetutë, kërkojnë që tenderi Nano-Sali të anulohet dhe të ribëhet dhe fituesi të shpallet me referendum. Ata janë kaq shumë tolerantë kur thjesht kërkojnë që të respektohen rregullat e lojës, paçka se açik tenderi i takon atyre.
Por Saliu, duket edhe me këshilla të Nanos, i dalë tashmë në pension, vendosi që t'i arrestojë e t'i rrahë qytetarët e Vlorës. Megjithëse ai ka një eksperiencë personale që kjo skemë nuk funksionon, të paktën në Vlorë, duket ai ka vendosur ta provojë edhe njëherë.
E ndërsa jep urdhra arrestimesh e rrahjesh, komandant Saliu nuk po i ndigjon as këshillat e ekspertëve, as "lajthitjet" e qytetarëve, se po kollofit "çorbë të prishur" nga lobet e naftës.