E Diel, 1 Nëntor 2026

"N.Y.Times": Zgjedhjet, shqiptarët edhe një herë në një udhëtim kaotik

"Zgjedhjet, shqiptarët edhe një herë në një udhëtim kaotik". Kështu shkruan gazeta pretigjoze "New York Times" për situatën zgjedhore në Shqipëri. Shqiptarët janë të lodhur duke u ndjerë të ndarë nga pjesa tjetër e botës, thuhet në një nga të intervistuarit e kësaj gazete. "Ne jemi pjesa e harruar e botës dhe nuk ndjehemi mirë për këtë."
Gazetari Dan Bilefsky thekson se ish të përndjekurit politik ndjehen të harruar nga pjesa tjetër e botës dhe ky izolim mund të duket pak i habitshëm, për faktin se një vend i varfër i Ballkanit jugor u bashkua me Aleancën e Traktatit të Atlantikut të Veriut në prill - një moment me domethënie të madhe simbolike dhe psikologjike për një vend të veçuar nga Perëndimi për më shumë se 40 vjet nën liderin stalinist, Enver Hoxha.
"Tani shqiptarët klithin për më shumë. Të rinj e të vjetër thonë se duan që Shqipëria të bashkohet me Unionin Evropian, në mënyrë që të udhëtojnë lirisht në vendet fqinje, Greqi dhe Itali, pa u rropatur në radhët e gjata për viza apo pa u arratisur tinëz nën hijen e natës ashtu siç kanë bërë qindra e mijëra që nga viti 1990" shkruan më tej gazeta pretigjoze. Gjithashtu gazeta shkruan se nëse zgjedhjet do të jenë paqësore, të lira dhe demokratike, analistët dhe diplomatët thonë se kjo do të përcaktojë progresin drejt rehabilitimit ndërkombëtar.
"Aplikimi që ka dorëzuar së fundmi Shqipëria për anëtarësim në BE tashmë përballet me një skepticizëm të thellë; blloku është i tejzgjeruar dhe ka frikë që të pranojnë nga dera e pasme anarkinë. Uashingtoni, që ka lobuar shumë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, do të ishte thellësisht i turpëruar, nëse zgjedhjet nuk do jenë korrekte" shkruan "New York Times". Gazeta jep me detaje fushatën elektorale në Shqipëri duke shprehur se që tani ajo ka marrë një kthesë të përgjakshme duke theksuar se javën e kaluar, një lider rajonal i një partie të vogël konservatore u vra gjatë shpërthimit të makinës së tij, në atë që anëtarët e partisë së tij e quajtën sulm me bombë.
"Edhe nëse zgjedhjet në vetvete do jenë paqësore, disa diplomatë perëndimorë thonë se ata janë të alarmuar, se qindra-mijëra votues ruralë nuk do kenë mjetet e duhura të identifikimit për të votuar" thekson gazeta pretigjoze. Ndër të tjerash Neë York Times thekson se zgjedhjet janë kthyer në një luftë gladiatorësh, një garë personalitetesh mes dy burrash Berishës dhe Ramës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›