E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapja e "Durrës-Kukës", Berisha: Rruga e kombit

Në hapjen e rrugës "Durrës-Kukës", kryeministri Sali Berisha u shpreh se kjo është një ditë historike, pasi inagurohet korridori i kombit, vepra më e madhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pavarësisë së Kosovës për mbarë kombin shqiptar. "Korridori i kombit është nderimi më i madh për mijëra burra shqiptarë që flijuan jetën e tyre për bashkim kombëtar, është vepra më e madhe e ndërtuar në të gjithë historine tonë", u shpreh Berisha. Sipas kreut të qeverisë, rruga do shndërrohet në një faktor të rëndësishëm të bashkëpunimit të vendeve të rajonit. "Kjo është vepra më e madhe publike e të tëra kohrave që ka ndërtuar Shqipëria", tha Berisha. Por kryeministri nuk la pa përmenduar edhe arritjet e qeverisë së tij, si rritja e pensioneve, rritja e pagave për mësuesit e infermierët, ndërtimin e 6000 metrave rrugë në gjithë Shqipërinë, ndërtimin apo rindërtimin e 12 mijë shkollave e të tjerë. "Në një kohë të shkurtër Shqipëria ndryshoi më shumë dhe më shpejt ase kurrë", tha kreu i qeverisë. Në fund të fjalës së tij, Berisha tha se korridori është "themeli i infrastrukturës moderne dhe se në 4-vitet që vijnë Shqipëria do kapë një horizont të ri".
Në fjalën e tij, kryeministri i Turqisë, Tayyip Erdogan shprehu krenarinë për faktin se pjesë e rrugës "Durrës - Kukës" ka qenë firma Bektel Enka. "Shpreh kënaqësinë që jam në përurimin e kësaj autostrade që do lidhë Kosovën me portin e Durrësit", tha Erdogan. Kryeministri turk, përgëzoi kryeministrin Berisha, ministrat përkatës dhe teknicienët që punuan për realizmin e kësaj rruge. "Kjo rrugë nuk do bashkojë vetëm vendet, por edhe zemrat tona", tha Erdogan. Më tej, kryeministri i Turqisë tha se rruga "Durrës- Kukës", veçse një nismë e madhe infrastrukturore është edhe qytetërim. "Ne jemi krenar që është realizuar një rrugë e tillë në një terren kaq të vështirë", theksoi ai.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni për shkak të një udhëtimi në SHBA, për të kryer takimet e planifikuara në axhendën e tij kryeministrore.
Në rrugën "Durrës Kukës" janë ndërtuar 29 ura gjigande, të cilat shtrihen përgjatë gjithë aksit Rrëshen - Thirrë. Ato përbëjnë në total një gjatësi prej 4.3 km rrugë. Ndërtimi i autostradës Rrëshen- Kalimash pritet të sjellë një zhvillim të madh pas përfundimit. Ajo ka pasur një impakt jo të vogël në ekonominë vendase edhe gjatë ndërtimit të saj. Pas përfundimit, kjo vepër madhore do të lidhë me një distancë jashtëzakonisht të afërt, bregun e Adriatikut me kufirin me Kosovën. Ajo do të jetë një segment i rëndësishëm i transportit rrugor kombëtar në Shqipëri. Ndërtimi i autostradës është veçanërisht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, sepse lidh tregjet e Europës Juglindore me rrugët kryesore ndërkomëtare detare, nëpërmjet portit më të madh të vendit, atij në Durrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›