MJERIMI I MONOLOGUT
Vëzhguesve të debatit në mediat shqiptare, veçanërisht të shkruara, gjatë viteve të fundit nuk do t'u ketë shpëtuar rrethsjellja e temave dhe e opinioneve të shprehura. Duket sikur, në bazë të një rregullsie djallëzore, po ato shqetësime vijnë e ikin në ekran të vëmendjes publike, të sjella herë nga po ata ligjërues e herë nga ligjërues të rinj, e të shtjelluara sipas të njëjtave pozicione: etika dhe korrupsioni; hapja apo jo e dosjeve; turizëm apo industri e rëndë; identiteti i shqiptarëve në histori; të krishterë e myslimanë mes nesh; rivendosja e dënimit me vdekje; krimet e komunizmit; çështja e pronave; standardi gjuhësor dhe gegërishtja; disidenca politike dhe Kadareja; shqiptarët dhe bota, dje dhe sot. Temat në vetvete nuk janë të parëndësishme, përkundrazi, trajtimet që u bëhen janë shpesh të nivelit të lartë, nga autorë të përgatitur, të zotët e të penës, megjithatë, ka diçka që nuk shkon, e që lidhet pikërisht me rrethsjelljen.
Përsëritja e temave ka arsyet e veta, nga të cilat themelorja i detyrohet përsëritjes së vetë problemeve në jetën reale, nëse çështja e dosjeve totalitare mbetet e pazgjidhur, atëherë edhe mediat do t'i rikthehen herë pas here; po ashtu, sa herë që ndodhin krime të frikshme, ose veçanërisht të pashpjegueshme, do të ketë grupe ose qarqe që do të kërkojnë rishikimin e Kodit Penal, për t'i ashpërsuar dënimet. Nga ana tjetër, disa tema të natyrës më kulturore, si ato që lidhen me identitetin kombëtar ose me formën e shqipes zyrtare, janë pjesë e ritualit iniciatik të çdo brezi që kërkon t'i dëgjohet zëri në debatet publike, prandaj edhe do të rimerren sa herë që mediat u hapin dyert prurjeve të reja autorësh të zellshëm, ose kur një brez më i ri ia zë vendin një më të vjetri.
Mirëpo jo çdo rimarrje është e thënë të sendërgjohet si përsëritje, as ka arsye të ngatërrohet rrethsjellja me spiralin. Debati publik i shëndoshë vërtet nuk kushtëzohet nga prania ose mungesa e temave të reja në të, por mund e duhet të kërkojë ruajtjen e vijueshmërisë, ose kujtesës intelektuale të palëve pjesëmarrëse. Nëse unë nis të shkruaj sot, bie fjala, për çështjen e krimeve të komunizmit, por duke e trajtuar këtë çështje sikur të mos ish cekur kurrë nga të tjerë në të shkuarën, ose sikur të isha unë i pari që më shkoi mendja ta bëja publike, atëherë unë, dhe ata që më lexojnë mua, jemi duke rrahur ujë në havan. Prandaj është për t'u theksuar që debati publik shtjellohet jo vetëm në hapësirën virtuale midis skajeve të përkundërta, por edhe sipas një përmase kohore, ku trajtimet e sotme themelohen mbi trajtimet e djeshme.
Për fat të keq, ende na mungon kultura për të lexuar, vlerësuar dhe cituar njëri-tjetrin. Të lexosh disa kolegë, të krijohet përshtypja sikur interlokutorët e vetëm të tyre janë Heidegger, Derrida, Zizek, Habermas, Kristeva, Chomsky, Sontag, Huntington, Lacan, Deleuze, Fukuyama e të tjerë heronj të mendimit perëndimor modern; sikurse të krijohet përshtypja tjetër se, për këta autorë, ekzistenca e një konteksti të caktuar brenda të cilit qarkullojnë opinionet e tyre nuk ka ndonjë farë vlere, as rëndësie. Kësisoj, njihen mendimtarët shqiptarë që kanë shumë për të thënë e që e thonë mirë; por nuk ekziston ende një mendim shqiptar modern, që t'i kapërcejë kufijtë e ligjërimit individual, për t'u kthyer në burim dijesh dhe ushqimi shpirtëror për brezat e rinj.
Ndjek diskutimin për hapjen apo jo të dosjeve: pozicionet janë të qarta, argumentet bindëse, logjika e autorëve e qëndrueshme; por pastaj shkon të hapësh gazetat e vitit 2004, ose 2001, dhe e gjen të njëjtin debat të shtjelluar edhe atëherë, me të njëjtat pozicione, argumente dhe logjikë; me të njëjtat fjalë madje në ndonjë rast edhe nga të njëjtët autorë. Debati vjen rrotull, pa dashur e pa mundur t'i përdorë fazat e veta të mëparshme si shkallare për t'u ngjitur më lart. Mirëpo ligjërimi që kërkon t'i rimarrë temat duke i përsëritur pa fund vjen e i ngjan një gjimnastike ideologjike abstrakte me ushtrime të detyruara, të cilat nuk prodhojnë më mendim, as pluralizëm.
Pse të ndodhë kështu? Si mund t'ia lejojë vetes kultura shqiptare bashkëkohore që t'i shpërdorojë vlerat e veta intelektuale, duke i lënë dialoguesit të sillen si kali në lëmë? Vallë ta kenë fajin autorët vetë, që për shkak të provincializimit të vetë ligjërimit publik shqiptar, bien në dashuri me tingullin e fjalës së tyre dhe nuk duan t'ia dinë për nevojën e rrjetëzimit me kolegët, ose pjesëmarrjes në një mendim dialogjik kompleks, ku e tëra të jetë më e madhe se pjesët? E vërteta është se ligjërimit publik te ne i mungojnë alarmisht referencat e kryqëzuara, ose vetëdija e folësve për folës të tjerë; thua se ligjëruesit e paskëshin të pamundur ta vënë veten, simbolikisht, në rolin e marrësit, ose të publikut. Shumë kolegë duan të flasin, me shpresë se diku përtej gjendet gjithnjë i gatshëm një mega-publik dëgjuesish të pashtershëm e të mahnitur nga spektakli i egove. Për pasojë, ligjërimi publik katandiset në kakofoni monologësh.
Ka diçka komike në sjelljen e autorit A, i cili shkruan për një temë çfarëdo, bie fjala privatizimin e shërbimeve publike, duke shpërfillur krejt çfarë ka shkruar, po për këtë temë, kolegu tjetër B gjerë e gjatë para dy muajsh; sa kohë që B, kur t'i rikthehet kësaj teme në gazetën e vet së shpejti, do ta shpërfillë krejt edhe ai kontributin e A; edhe pse publikut, në përgjithësi, ndërveprimi ose dialogu mes këtyre dy autorëve do të vlente ku e ku më shumë se mendimet ose opinionet e tyre vetjake. Ka diçka njëlloj komike edhe në sjelljen e autorit C, që kujtohet ta citojë kolegun B vetëm e vetëm për t'ia shkatërruar krejt tezat e mundësisht reputacionin dhe familjen deri në dy breza ose për t'ia hequr dëshirën e të shkruarit në gazeta të paktën. Prandaj segmentimi i ligjërimit publik, ose kakofonia e zërave, nuk mund të shpjegohen vetëm me hipertrofinë e egove të autorëve, sa kohë që ligjëruesit vetë janë të parët që do ta pikasin paradoksin e shpërfilljes së Tjetrit në dialog. Përveç psikologjisë, ka edhe faktorë të tjerë, ndoshta më vendimtarë, që duhen sjellë në vështrim.
Nga këta faktorë, ndoshta kryesori është roli që i kërkon t'i ngarkojë politika debatit publik, e që mund të mos përkojë gjithnjë me qasjen ndaj së vërtetës, ose shkoqitjen e temave të ndërlikuara për t'ia bërë publikut më të lehtë të zgjedhë, ose të formojë opinione. Për nga natyra e vet, politika nuk u rri dot mënjanë këtyre zhvillimeve, sidomos kur është fjala për çështje që nesër do të përthyhen në vota, ose që mund të cenojnë ekuilibrat demokratikë; prandaj politika është gjithnjë palë e debatit. Kjo nuk do të thotë, megjithatë, se debati është në shërbim të politikës. E majta dhe e djathta, për shembull, mund të mbajnë qëndrime të ndryshme e shpesh të kundërta në lidhje me ç'duhet bërë për infrastrukturën në Shqipëri, por debati në lidhje me përparësinë që i duhet dhënë ndërtimit të termocentraleve në bregdet, nuk ka arsye të politizohet deri në atë shkallë sa t'i shërbejë thjesht riprodhimit të kundërvënieve midis së majtës dhe së djathtës.
Nga një pikëpamje, debati publik i shërben politikës tërthorazi, duke e ushqyer me ide, argumente dhe opinione; por politika orientohet vetvetiu drejt marrjes ose mbajtjes së pushtetit, ndërsa dialogu mes palëve të debatit publik i shërben së vërtetës dhe vetënjohjes më shumë sesa interesave të palëve, ose edhe të individëve. Me fjalë të tjera, është ngatërresë e palejueshme ta reduktosh debatin publik në mediat në mjet për riprodhimin e skajeve ose të palëve të luftës politike, madje edhe në ato raste, jo të pakta, kur autorë pak a shumë "të pavarur" i shprehin hapur simpatitë e tyre e sidomos antipatitë e tyre për këtë apo atë forcë e lëvizje politike në Shqipëri.
Liria e shprehjes në publik është e drejtë e vyer që e kemi fituar së voni e që nuk kemi mësuar ta përdorim si duhet; sikurse nuk kemi arritur të kuptojmë se në rrethanat e shoqërisë pluraliste, shkëmbimi i lirë i mendimeve midis palëve është lojë me shumën jo zero, ku të gjitha palët dalin të fituara; jo lojë me shumën zero, ku fitorja e njërës palë nënkupton humbjen e tjetrës. Mirëpo kusht për ta gëzuar këtë privilegj është kujtesa intelektuale, ose vijueshmëria e vetëdijes së mendimit modern shqiptar, e cila nuk do të arrihet veçse kur palët të fillojnë ta perceptojnë realisht njëra-tjetrën. Rrethsjellja përfton shterpësi dhe e shteron entuziazmin për të ligjëruar; ndërsa kultivimi i vetëdijes pluraliste në dialog është sot rruga kryesore për ta pasuruar mendimin kombëtar.