E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Parada Operistike" çel sezonin artistik në TKOB

TIRANË- Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit nisi mbrëmjen e djeshme sezonin artistik të vitit 2011 me "Paradën Operistike", një shfaqje e arieve më të njohura të muzikës operistike botërore.

Në skenën e këtij teatri artistët sollën edhe një herë për publikun pjesë nga veprat më të sukseshme të sezonit të vitit të kaluar, por edhe pjesë të reja, si një ndërthurje e pjesëve operistike dhe ritmeve muzikore.
Drejtorit i TKOB-së, Zhani Ciko, tha në një prononcim për mediat, se shpeshherë ndodh që duke dëgjuar programin vjetor spektatorët kanë nostalgji për arie shumë të njohura, që jo të gjitha kanë mundësi t’i dëgjojnë gjatë sezonit.
Në këtë Mbrëmje Gala interpretuan solistët që kanë marrë pjesë në shfaqje të ndryshme gjatë vitit, si Marjana Leka, Eva Golemi, Armaldo Kllogjeri, Irini Nikolla, Sonila Baboçi, Eriona Gjyzeli, Shpresa Beka, Armando Likaj, Emiljana Palushaj, etj.

Mbrëmjen e konceptuar si një paradë e solistëve e shoqëroi edhe Orkestra Simfonike e TKOB-it, nën dirigjimin e Zhani Cikos, si dhe trupa e baletit. "Parada Operistike" ofroi për publikun kryeveprat e muzikës klasike botërore të kompozitorëve si Shtraus, Moxart, Franz Lehar, etj.
Ky koncert ishte shfaqja e parë e TKOB-së për këtë sezon artistik, e cila çeli koncertet e dimrit, të cilat do të pasohen edhe nga koncerte të tjera, duke filluar që sot me koncertin simfonik të Orkestrës së RTSH-së, për të vazhduar me koncertin e datës 23 janar kushtuar kompozitorit hungarez Franc Lisz.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›