E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të dal sot në demonstratë...

... jo se kështu thotë Edi Rama, apo opozita. Jo, nuk do të shkoj për këtë qëllim. Do të dal në demostratë se kam mbi një dyzinë vitesh si gazetare e terrenit, dhe neveritem kur shoh atë parlament që më kall datën, që më bën të marr nipër e mbesa në telefon e tu them mos e hapni televizorin... që më bën edhe për shkak të punës të detyruar të dëgjoj shprehjet vulgare të parlamentarëve tanë, ...legena, ...bllokqena, ...zhvishuni lakuriq, ...të q... robt, ...ta bëj fëtyrën si shollë këpucësh, ....të zhduk nga faqja e dheut..., b...q, ...hajdut, ....kusar, ....bos droge,...tregtar prostitutash, ....me breke e pa breke, ....të kap prej zhelesh, ....të bëj nënën e të bëj babën, ....ta ngre të vdekurin nga varri e të kall në varr të gjallë... të pyes e s’të pyes,....s’të llogaris e të jap urdhëra....
Do dal në demostratë, sepse nuk e shihja dot kryetaren e Kuvendit që qeshte e zgërdhihej, duartrokiste e ulëriste, kur dëgjonte kryeministrin që thotë të tilla pisllëqe, e më pas kur dëgjon deputetët e opozitës që i kthejnë sharjen. Të paktën të kishte kapur ndonjërin prej zhelesh e ta kishte nxjerrë jashtë.
Ja, kjo më bën të dal në demostratë. Nuk më bën të dal në demostratë korrupsioni. As videoja. As përgjimi. As akuza për mungesë demokracie, e as mungesa e parave në treg.
Nuk kam besim te qeveria, por nuk kam besim as te opozita. Por do dal në demostratë, sepse e ndjej që Ina Rama duhet të japë dorëheqjen. Do dal në demostratë, sepse e di që gjyqësori nuk funksionon apo funksionon më së miri kur i hedh dhe ndonjë lekë përsipër. Do të dal në demostratë që ta vë Ina Ramën përballë përgjegjësisë që të mos bredhë dyerve të ambasadave për të kërkuar mbështetje, por të fillojë të veprojë vetë, ose të iki, e t’i hapë udhën ndonjë ‘trimi’.
Do dal në demostratë që të them se nuk kam frikë. Nuk më tremb as Berisha me fjalorin e tij monstruoz në një gjendje jo shumë normale psikike, e as Rama me qetësinë in extremis para një situate që më le pa gojë.
Më tremb mungesa e reagimit kolektiv, për t’u bërë të gjithë bashkë, e të shporrim këtë kastë politikanësh të neveritshëm që po na i heqin ditët një e nga një me një stres të paparë. Ndoshta po të kem me vete të tjerë që mendojnë si unë, do të bëhemi shumë, dhe të paktën, arrijmë të mposhtim frikën.
Dua të dal në demostratë që të shoh se nesër do të kem një parlament tjetër, një tempull demokracie, e jo një tufë horrash që duhet t’u vëmë përpara një ditë në seancë plenare librin e “Edukatës Qytetare” që e kemi mësuar në klasën e katërt fillore. Jo, shoqëria civile nuk e bën këtë, sepse ka frikë. Nuk fusin dot në kuvend ca libra që ti mësojnë deputetët. Jo se kanë frikë për jetën, por kanë frikë për lekët. Pjesa më e madhe e tyre mbahen me paratë e buxhetit të shtetit.
Unë s’kam frikë për të thënë fjalën time. Për këtë arsye do të dal në demostratë.
Do të dal në demostratë që të mos na thërrasin herë tjetër nëpër dyer ambasadash, gazetarë e analistë apo përfaqësues të shoqërisë civile, dhe njëlloj si politikanët, të bëjmë spiunlliqet e Shqipërisë sonë, në mënyrë të turpshme. Të mos ndjejmë asnjë kompleks inferioriteti para kujtdo evropiani që shton përfitimet e rrogës së tij për shkak të krizës së tejzgjatur në Shqipëri. Sepse fatin e Shqipërisë sime, fatin e Shqipërisë sonë, e kemi vetë në dorë. Për këtë arsye do të dal në demostratë. Dhe nëse këta politikanë më bëjnë karshillëk, do të godas...Sepse nuk e duroj dot këtë lloj regjimi frike, që vetëm demokraci nuk e ka më emrin. Për të gjitha këto, e të tjera që nuk i kam thënë, do të dal në demonstratë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›