E Diel, 1 Nëntor 2026

"Po u sigurojmë dinjitetin bluzave të bardha"

Shqiptarët prej ko hësh presin një sektor shëndetësor publik më efikas dhe më modern. Aktualisht, ata po përballen me një fenomen, që dukej se i kishte "shpëtuar" vëmendjes së tyre: tarifave të rrepta për shërbimin spitalor. Kjo ndoshta, nuk ishte reforma për të cilën ata ishin përgatitur shpirtërisht, sidomos në kohë krize. Kreu i dikasterit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, i kontaktuar nga "Gazeta Shqiptare" tregon për nivelet e krahasuara të këtyre tarifave, si dhe arsyet e aplikimit të tyre.

Zoti Vasili, keni trefishuar tarifat spitalore. Nuk u jep më fonde Buxheti i Shtetit që e bëtë këtë?

është e vërtetë që shëndetësia shqiptare përfiton fonde nga Buxheti. Janë fonde të rëndësishme, por do të duhej të ishin shumë më të mëdha. Ka një përmi-rësim të vazhdueshëm të financimit. Por, kërkesat në rritje të shqiptarëve për shëndetin, dedektimi shumë i shpejtë i sëmundjeve (më parë kemi pasur njerëz, të cilët nuk e dinin që ishin të sëmurë), mjetet diagnostikuese përherë e më të sofistikuara, njohja dhe informimi mjaft i mirë që sot shqiptarët kanë për shëndetin, e bëjnë këtë financim të pamjaftueshëm. Reformat në shëndetësi nuk janë thjesht tarifat e reja që kemi vënë. Ato janë realiste. Janë të ndryshme, sigurisht nga disa tarifa të mëparshme, që ishin poshtëruese për sistemin dhe vlerën e shërbimeve që ai jep. Një vizitë më parë kushtonte vetëm 2 mijë lekë të vjetra. Sa vlera e një sanduiçi. I njëjti mjek që vizitonte me këtë shifër në QSUT, pranonte vizita për 20-30 mijë lekë të vjetra në një klinikë private. Ishte një realitet fiktiv, që krijonte një pozicion të turpshëm për institucionet publike, kur pikërisht sistemi shëndetësor publik përballon sot mbi 90 për qind të shërbimeve mjekësore të vendit. Nuk kishte pse të kishim më tarifa poshtëruese. Me ndryshimin e tarifave, ne kemi kthyer dinjitetin dhe normalitetin e sistemit. Ndryshimet më të dukshme tarifore natyrisht ndodhën në QSUT. Por, nuk ka asnjë shqiptar që të mund të thotë se maja e mjekësisë shqiptare, mjekët më të mirë nuk ndodhen në QSUT. Me tarifat ne po përpiqemi t'u themi jo informalitetit, abuzivizmit, përfitimit në të zezë. Shumë herë më tepër janë pacientët e siguruar në spitalet tona, të cilët nuk kanë nevojë të paguajnë. Pensionistët i përfitojnë shërbimet tona pa pagesë. Fëmijët gjithashtu. Të gjithë të tjerët, në moshë pune dhe që paguajnë sigurimet shëndetësore, po ashtu përfitojnë shërbimin shëndetësor falas.

E megjithatë, njerëzit ankohen për tarifat e reja...

Duhet ta kuptojmë se mjekësia është shërbimi më i kushtueshëm publik që ofron vendi ynë. Ekzaminimi më i thjeshtë kushton reagentë, aparatura. Këto nuk janë produkte që i gjejmë pa pagesë. Aparaturat dhe lëndët e para blihen në Evropë, me çmimin që i gjen edhe një gjerman apo anglez. Ky është tregu ndërkombëtar. Ne blejmë barnat vetëm në Evropë. Shqipëria përballet me çmimet ndërkombëtare, ndërkohë që shpenzimet për shëndetësinë janë të pakta. Mjekësia kërkon pafundësisht para. Kur një i sëmurë shtrohet në spital, shtrimi është një hoteleri spitalore. Secili spital në botë afishon tarifën e tij. Krevati ynë spitalor ka një shërbim të plotë spitalor që ofrohet, ekzaminimet e duhura, barnat për trajtimin mjekësor. Nëse bëjmë një faturë, çmimi del shumë i lartë. Ende shumë nga ne kanë idenë se këto mund të bëhen pa para. Kjo gjë është e pamundur. Nëse e pranojmë këtë, do të vazhdojmë të kemi një sistem që dëmtohet, degradohet në mënyrë të përditshme, derisa të mos jetë më në gjendje të qëndrojë në këmbë.
Ju përmendni tarifat tona të reja. Nëse një pacient shtrohet në një spital të huaj, do të detyrohet të paguajë deri në 8 apo 10 mijë euro. Ndërsa të pasiguruarit (vetëm ata) tek spitalet tona paguajnë 20 mijë lekë të vjetra në natë. Thelbi i reformës tek ne është përgjegjësia e lartë në administrimin e fondeve. Kuptimi nga ana e qytetarëve te ideja e vjetër e një mjekësie falas duhet davaritur një herë e përgjithmonë. Po përdorim një përgjegjshmëri të re për sistemin. Po përdorim ndërgjegjësimin maksimal politik. Në krye të këtij sistemi dhe të reformës është vënë vetë kryeministri i vendit. Ende kemi shumë për të bërë. Shqiptarët paguajnë për sigurimet shëndetësore vetëm 3.4 për qind të të ardhurave (ata që sigurohen). Maqedonasit, fqinjët tanë, paguajnë 11 për qind. Ka plot shtete të tjera, ku paguhet shumë më tepër se kaq.

Mendoni të rrisni tarifën e sigurimeve shëndetësore?
Jo, këtë nuk e kemi menduar. është ende shpejt. Tani po kujdesemi që të paguajnë të gjithë, të gjithë të hyjnë në sistem. është në të mirë të tyre, nuk shërben vetëm për të sjelle fonde të reja për mjekësinë tonë publike. Ne kemi një sistem të parandalimit të sëmundjeve ngjitëse, që është ndër më të mirët në Ballkan. Kemi vlera për të ruajtur dhe për t'i zhvilluar. Por, pjesa spitalore kërkon gjithnjë e më shumë para. Kemi dëgjuar shpeshherë qytetarë që flasin me entuziazëm (dhe kanë të drejtë) për strukturat spitalore që kanë parë nëpër Evropë. Por asnjë nga këta qytetarë nuk ka qenë në këto struktura pa paguar. Thotë "djali apo vajza, apo kushëriri më pagoi", por ama kjo faturë ka qenë me mijëra euro. Kanë parë se, kur kanë hyrë në çdo spital të huaj, aty ekziston një filtër burokratik shumë preciz. Ku çdo hap i tyre, çdo ekzaminim, ka pasur faturë, çmim. Pra, një mjekësi me cilësi të lartë, por që paguhet hap pas hapi. Qytetarët e Bashkimit Evropian paguajnë 16-18 për qind të të ardhurave të tyre në sigurime shëndetësore. Desha këtu të vlerësoj punën e jashtëzakonshme të stafit mjekësor të sistemit pu-blik. Përballojnë me miliona vizita, me mijëra e mijëra ndërhyrje kirurgji-kale. Janë me dhjetëra mijëra njerëz që vizitohen e kurohen në sistemin tonë dhe dalin të shëruar për të vazhduar jetën dhe punën. Nuk do lodhem kurrë së bëri krahasimin e mëposhtëm: ne kemi shumë përdorues makinash në Shqipëri, me qindra mijëra vetë. Sa prej tyre nuk e kanë të paguar sigurimin e makinës? Janë shumë të paktë. Duhet ta paguajnë patjetër, se policia rrugore nuk i lë të qarkullojnë. Por sa prej tyre kanë paguar sigurimin shëndetësor? Pse pranohet ekonomia e tregut tek taksa e makinës dhe jo tek sigurimi për shëndetin, për jetën? Të gjitha paratë e sigurimit shëndetësor janë përballë syve të qytetarëve. Të gjitha përdoren për sistemin publik. Tarifat e tij janë të gjitha të afishuara dhe çdo qytetar mund të zgjedhë. Njëkohësisht, kemi krijuar edhe një filtër. Nuk mund të shkosh menjëherë në spital për një patologji të zakonshme. Kemi mjekë shumë të mirë në sistemin bazal, atë të poliklinikave dhe ambulancave, të cilat po vazhdojnë të pajisen. Spitalet largojnë një pjesë të mirë të abuzivizmit dhe punës në të zezë, me para në dorë, nga pacienti tek mjeku. Po ashtu, paratë që shpenzoheshin për ekzaminime të shumta të pafrytshme mënjanohen. Ulja e rëndësishme e numrit të vizitave e çliron spitalin, për të dhënë një performancë sa më të mirë për të sëmurët me probleme reale. Po synojmë të masim punën, të masim kostot dhe të shpenzojmë sipas kostove.

A nxirrni fitim me tarifat e reja që keni vënë?
As që mund të mendohet të nxirret fitim. Tarifat e reja të ekzaminimeve mjekësore, krahasojini me cilindo laborator privat, janë sa gjysma e tarifave të klinikave dhe spitaleve private. Madje, një nga presionet e vazhdueshme dhe të drejta të mjekëve dhe personelit laboratorik publik është kur thonë: "Të paktën, të arrijmë në kosto!". Tarifat tona janë ende nën kosto në këtë drejtim.

Si ndjehen mjekët me rregullat e reja që janë vënë?
Ndjejnë se u është kthyer dinjiteti. Një mjekësi normale është një mjekësi formale, korrekte. Korrekte nga pikëpamja profesionale, korrekte në anën e lëvizjes së parave. Nuk besoj se ka ndonjë mjek të qetë kur merr para në mënyrë abuzive, që nuk trembet se mos i përgjohet telefoni apo se mos dikush e denoncon me SMS. Që nuk është ndjerë në stres se mos, papritmas, duke dalë nga salla e operacionit, i vënë prangat. Ky ka qenë një mësim shumë i ashpër, por që mjekëve u dha të kuptojnë se marrëdhënia formale që ne stabilizuam është një marrëdhënie që u bën mirë atyre. Sistemi ynë prodhon mjekë me shumicë. Studimi është i hapur në vend apo jashtë tij. Nuk ka arsye të vazhdojmë të mbajmë në këmbë një mjekësi informale të bazuar në ryshfetin dhe mitmarrjen. Një mjek që bën shumë më tepër punë, vizita, ndërhyrje kirurgjikale, trajtime pacientësh, do të paguhet më shumë. Një tjetër më pak. Besoj se jemi në normalitetin e sistemit ku jetojmë.
A mund të akreditohen mjekët, të testohen ata me njohuritë moderne të sotme të profesionit që kanë?
Kemi filluar një reformë të veçantë, që quhet reforma e edukimit të vazhduar. Kemi futur sistemin e krediteve për mjekët që në muajin janar të këtij viti. Mjekët janë të detyruar të ndjekin aktivitetet shkencore të fushës së tyre dhe të përditësojnë dijet që kanë, të cilat duhet të certifikohen. Ata duhet të provojnë që aftësia e tyre profesionale është e plotë dhe mbahet gjallë. Preokupimi ynë themelor është që të ngrihet cilësia e shërbimit mjekësor dhe kjo realizohet kur kemi mjekë dhe infermierë të përgatitur mirë. Kjo nuk është çështje tarifash. Ato janë në periferi të reformës. Mund të indeksohen në vartësi të ecurisë së lekut me euron apo dollarin. Diçka që vlen 30 mijë lekë të vjetra sot, mund të vlejë nesër 40 mijë lekë.
Ndërkohë po shkojmë drejt një normalizimi të raportit të bluzave të bardha me qytetarët dhe pacientët. Keni muaj që nuk dëgjoni denoncime për mitmarrje nga ana e mjekëve. Sistemi i vetëm që funksionon është ai i syve të qytetarit. Mijëra sy të qytetarëve janë ata që mbrojnë sistemin. Detyra e ministrisë është të bëjë rregulla që të sigurojnë transparencën e veprimeve në sistem. Dhe, pikërisht, kemi vënë rregulla të qarta se si lëviz pacienti nëpër spitalet tona. Duke ditur si dhe ku lëviz, evitojmë informalitetin. Së dyti, kemi përcaktuar çfarë duhet të ketë mjeku kur komunikon me pacientin. Kemi detajuar dokumentacionin që e lidh dhe pasqyron këtë raport. Së treti, kemi një mekanizëm permanent kontrolli të brendshëm. Nga kontrollet dalin masat ndëshkimore. Secili mjek që thyen rregullat ka bërë një kontratë me veten e tij. Ne nuk favorizojmë askënd. Kush thyen rregullat, del nga sistemi. Asnjëherë nuk kam hezituar të marr masa ndaj shkeljeve të vërtetuara. Pacienti i siguruar, sa herë hyn në spitalet tona, pajiset me kuponin përkatës, që vërteton të qënit i siguruar të tij dhe që nuk ka nevojë të paguajë qoftë edhe një lek të vetëm. Nëse ndonjë mjek u kërkon diçka më shumë, janë të ftuar të denoncojnë. Marrëdhënia e mëparshme informale bënte që asnjë nga palët të mos e dinte mirë raportin me tjetrën. Krijohej një raport i turpshëm, sikur një palë donte të zhvaste tjetrën. Nuk është ky morali i bluzave të bardha shqiptare. Kemi një klasë mjekësore të mirë, të mençur dhe të kualifikuar. Duhet t'i krijojmë stimujt e duhur moralë dhe financiarë, por, njëkohësisht, edhe ta lehtësojmë nga presionet e panevojshme. Në pikëpamjen etike, për mua, fjala e qytetarit vjen përpara fjalës së mjekut, por, në pikëpamje të diagnozës dhe mjekimit profesional, fjala e parë është e mjekut. Shpeshherë qytetarët bëjnë mjekun me pa të drejtë. Mjekut i duhet krijuar i gjithë mjedisi normal që të punojë: rregulla të qarta, financim i duhur dhe një raport normal qytetar-mjek do të bëjnë të kemi një shëndetësi normale, që tenton të jetë gjithnjë e më e avancuar. Në rast se këto raporte nuk do të respektohen, do të kemi një krizë të vazhdueshme, ku të gjithë do të jenë të pakënaqur. Mjekët do të jenë të shqetësuar dhe qytetarët të pakënaqur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›