Familja e Julianit, të pakënaqur nga kërkimet e policisë

Edhe pse hetimet përdhe pse hetimet për zhdukjen e 10-vjeçarit Julian Çela vijojnë, familjarët e tij kanë filluar të ndihen skeptikë për punën e bërë deri tani nga forcat e policisë për gjetjen e djalit të tyre. Familjarët e 10-vjeçarit të zhdukur prej afro një muaji, nuk pranojnë të japin detaje apo të flasin gjatë me mediat.
Por, kuptohet qartë nga fjalët e tyre, që nuk janë aspak të kënaqur me hetimet e policisë. Familjarët e Julianit, pohojnë se hetimet po ecin ngadalë. Babai i 10-vjeçarit, i pyetur se çfarë mendimi ka për hetimet e policisë, rrëfen se policia duhej ta kishte gjetur deri tani. “Unë nuk di se çfarë ka thënë policia deri tani, unë për vete nuk di asgjë. Policia duhej të kishte punuar më shpejt. Nuk kam se çfarë t’ju them më tepër”, mbyll bisedën, nëndrejtori i Antiterrorit pranë strukturave të SHISH, Skënder Çela. Ndërkohë që, pak ditë më parë, në një lidhje telefonike për “Gazetën Shqiptare”, Çela ka pohuar se ai ende nuk ka asnjë pistë për zhdukjen e djalit të tij. “Nëse do kisha pistë hetimi, do dilja ta kërkoja vetë”, ka rrëfyer pak ditë më parë, babai i Julianit për “GSH”, raporton Ballkanwb.
Ndërkohë që, prej afro 24 ditësh policia vijon hetimet për gjetjen e 10-vjeçarit Julian Çela, deri tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij. Vetëm pak kohë më parë, policia sekuestroi kamerat e sigurisë të 80 bizneseve në kryeqytet, duke sekuestruar pamjet filmike të tyre, por duke mos gjetur asgjë konkrete.
Duhet theksuar fakti se, çdo ditë forcat e policisë vijojnë kontrollet në terren, duke mos lënë qendra interneti, fast-food-e dhe dyqane pa pyetur për Julin, siç e thërrasin shkurt 10-vjeçarin. Në këto kushte, policia ka filluar të dyshojë se Julian Çela mund të jetë jashtë Tiranës dhe kontrollet duhet të shtrihen edhe në qytetet e tjera të vendit. Burime nga policia bëjnë me dije, se tashmë kur janë bërë kontrolle intensive në kryeqytet, ka një dyshim se djali i punonjësit të SHISH-it mund të jetë jashtë kryeqytetit. Pista e hetimeve të policisë është përqendruar tek largimi me dëshirë i Julianit, i cili dyshohet se tashmë mund të jetë bërë pjesë e ndonjë grupi adoleshentësh që grabisin qytetarët apo banesat. Vetëm pak ditë më parë, policia ka bërë të mundur identifikimin e personit me të cilin është parë për herë të fundit Julian Çela.
Sipas policisë, bëhet me dije se bëhet fjalë për shtetasin Gëzim P., i cili dyshohet si një person që rekruton adoleshentë brenda grupit të tij për t’i bërë pjesë të grabitjeve apo vjedhjeve në kryeqytet. Sot bëhen afro 24 ditë që nga zhdukja e 10-vjeçarit, ndërkohë që policia deri tani nuk ka asnjë gjurmë për Julian Çelën. Policia bën me dije se hetimet vazhdojnë, ndërkohë që ekziston mundësia që shumë shpejt kontrollet të shtrihen edhe në qytetet e tjera të vendit. /Indeksonline/