E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gashi: UP- jep diplomën më kredibile për tregun e punës

Rektorit të ri të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, i janë dashur rreth dy muaj vetëm për identifikimin e gjendjes në UP.

Ai ka thënë se menjëherë pas kësaj ka nisur reformat.

Vështirësitë dhe sfidat në UP, sipas tij, nuk janë tejkaluar asnjëherë plotësisht, që nga periudha e paraluftës, kur mësimi mbahej në objekte private e në kushte të vështira të okupimit.

“Nuk kemi arritur ta rikooperojmë sa duhet cilësinë pas luftës.

Në të njëjtën kohë jemi përballur me integrimin e arsimit të lartë të Kosovës në atë përkatës të Evropës, siç është përfshirja në sistemin e Bolonjës”, ka thënë Gashi, teksa ka shtuar se këto elemente e kanë vështirësuar punën e UP-së.

Sfida tjera po aq domethënëse ai ka përmendur mungesën e hapësirave të bollshme të studimit, mungesën e buxhetit, mbipopullimin me Studentë, vështirësitë buxhetore, që, siç shprehet ai, janë më të ulëtat në rajon, mosharmonizimin e programeve të studimit me tregun e punës. Pastaj keqpërdorimet që janë publikuar se janë ndodhur në ndonjë njësi akademike, siç është Fakulteti i Mjekësisë, falsifikimet e notave, digjitalizimi i shërbimeve, ngrohja gjatë muajve të dimrit, ndërtesa politike-kisha ortodokse dhe të tjera.

Megjithëkëtë, Gashi nuk i përjashton punët e mira që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen në UP.

“UP-ja është sinonim i arsimit të lartë, më i madhi, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Në Kosovë është më i kërkuari për të studiuar në të. Jep diplomën më kredibile në raport me institucionet e tjera, edhe për tregun e punës”, ka thënë Gashi për “Kohën Ditore”, derisa thekson se ndoshta nuk ja marrin për të keq drejtuesit e arsimit privat të lartë.

“Krejt arsimi në Kosovë identifikohet me UP-në. Edhe universitetet e reja të themeluara në Kosovë vazhdojnë të jenë të ndërvarura nga puna dhe reforma në UP”, thotë ai./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›