E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Gramshi, së shpejti superfuqi energjetike rajonale

Kryeministri premton hapjen e 7 mijë vende pune nga HEC-et 
Kryeministri Berisha njëkohësisht dhe kreu i Partisë Demokratike në vijim të fushatës elektorale është ndalur në qytetin e Gramshit. Në takimin e zhvilluar me banorët e këtij qyteti, kreu i qeverisë ka premtuar se kjo zonë së shpejti do të jetë në krye të përpjekjeve të qeverisë për ta shndërruar Shqipërinë në superfuqi energjetike rajonale, duke premtuar në këtë drejtim edhe hapje të vendeve të punës. U garantoj juve, se në 4 vitet që vijnë vetëm me HEC e Banjës dhe me hidrocentrale të tjera të kaskadës së Devollit do të punësohen rreth 7000 punonjës. Por ky është vetëm njëri, nga një seri hidrocentralesh të tjera, të cilët janë në ndërtim e sipër apo nisin ndërtimin. Gjithashtu disa Hidrocentrale të vogla me kapacitet nga 4,7 deri në 20 megavat, hynë të gjitha në prodhim brenda këtij mandati. Dhe që të gjitha së bashku janë të barabarta me HEC e Ashtës, nënvizoi ai. Edhe në këtë qytet, kreu i qeverisë nuk ka harruar të hedhë kritika ndaj kundërshtarit të tij politik, kreut të opozitës, Edi Ramës. Ai u bëri thirrje të gjithë socialistëve, anëtarëve të partive të tjetra, që të mos harrojnë faktin se Edi Rama në parlamentin shqiptar votoi kundër koncesionit të Kaskadës së Devollit, kundër të gjitha koncesioneve. Mos harroni se, ai votoi kundër rritjes se rrogave dhe të pensioneve dhe në muajin prill kur ne kishim parashikuar rritjen më të madhe të tyre në një rast unik dhe të paprecedent Edi Rama që me grupin e vet drejtues i kanë rrogat e tyre miliona lekë, kërkonte që të mos rrisja rrogat tuaja, të mos rrisja pensionet tuaja, theksoi Berisha duke shtuar në këtë drejtim se fjala e qytetarëve dhe interesat e tyre janë në qendër të vëmendjes së tij. Duke garantuar se në katër vitet që do të vijnë, ky rreth do të jetë një rreth evropian, kryeministri Berisha ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve gramshiotë për ecjen e sigurt të një fitoreje madhështore, të fitores së projektit evropian, siç e ka cilësuar ai.  
Premtimet
Kryeministri Berisha ka bërë një sërë premtimesh për qytetarët e Gramshit, nëse mazhoranca e djathtë fiton zgjedhjet e 28 qershorit. Fillimisht ai është ndaluar në hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe në asfaltimin e çdo rrugë të këtij rrethi, çdo rrugicë të lagjeve. Zotohem se në katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë në çdo fshat të këtij rrethi dhe do të fusim ujin e pijshëm brenda çdo familjeje. Jam këtu për tu dhënë fjalën se në 4 vitet që vijnë të gjitha shkollat e Gramshit do të jenë të reja ose të rindërtuara, theksoi ai. Berisha ka përmendur arritjet e kësaj qeverie, si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, dyfishimi i rrogave dhe pensioneve, ndërtimi i 5900 km rrugë, sjellja e Shqipërisë në krye të rritjes ekonomike në Evropë, vendosja e Shqipërisë e dyta në botë për klimën e biznesit, lufta pa kompromis kundër korrupsionit, të cilat sipas tij bëjnë të mundur parashtrimin nga ana e tij të platformës së Gramshit evropian, e Shqipërisë evropiane. Ndër të tjera, ai ka përmendur edhe faktin se brenda vitit 2010 në këtë rreth nuk do të ketë qytetar shqiptar që të marrë më pak se dy dollarë në ditë. Deri tani kemi parakaluar 2 vende të BE-së dhe unë zotohem se në 4 vitet që vijnë do të parakalojmë 6 vende të BE. Ne ju bëjmë thirrje nga ky shesh të gjithë qytetarëve të Gramshit, të gjithë shqiptarëve demokratë, socialistë, të çdo lloj bindje, të bashkohemi së bashku në projektin tonë evropian. Ëndrra evropiane është ëndrra e të gjithë shqiptarëve. Ëndrra evropiane është projekti më i bukur për fëmijët tanë. Ne që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, do të bëjmë realitet ëndrrën tuaj evropiane, nënvizoi kreu i qeverisë. Sipas tij, Partia Demokratike ka miqtë më të mëdhenj në Bruksel, Paris, Londër, Berlin, Romë kudo në botë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›