Babi, ki kujdes
Piersilvio Berluskoni
Piersilvio Berluskoni, i biri i ish-kryeministrit italian, paralajmeron te atin qe te jete me i kujdesshem me jeten e shfrenuar qe ben
“Duhet të ketë më shumë kujdes”. Është ky komenti që Piersilvio Berluskoni bën ndaj ish-kryeministrit italian, kur sheh fotografitë e të atit të rrethuar nga vajza të bukura dhe të reja në moshë. Gjatë një interviste për revistën “Vanity Fair”, Piersilvio shpjegon se ia ka thënë shpesh të atit të jetë i kujdesshëm, veçanërisht kur ekspozohet para shtypit. Por kavalieri, i cili po përpiqet të rizgjidhet kryeministër i Italisë për herë të tretë, është shumë i lumtur dhe i pëlqen të jetojë. Kështu të paktën shprehet i biri. “Sa herë që e shoh nëpër gazeta apo revista të rrethuar nga vajza të bukura, buzëqesh e them me vete, eh çfarë personazhi që është. Por e di sesi është gatuar. Është galant dhe do që ta pëlqejnë të gjithë. Megjithëse i them shpesh që të ketë kujdes dhe mendoj se duhet të jetë më i kujdesshëm. Por nuk ke çfarë t’i bësh, është karakteri dhe forca brenda tij. Ai ka një dëshirë të madhe për të jetuar”, - shprehet Piersilvio Berluskoni. Ai rrëfen gjatë intervistës, se ka zhvilluar kohët e fundit një ndjenjë mbrojtjeje kundrejt të atit. “Kur kaloj rrugën me mamin apo Marinën (e dashura), mundohem gjithnjë t’i kap për dore. Tani kam filluar ta bëjë këtë gjë edhe me babin”, - vazhdon djali i Berluskonit, i cili ka deklaruar shpesh se ai nuk i ndjen 71 vitet që mban mbi shpatulla. “Në fakt është një gjë që ndjej unë ta bëj, sepse ai nuk ka nevojë. Por dorën ma jep me kënaqësi, sepse është një burrë i dashur”, - vazhdon i biri. Piersilvio shpjegon se ngjan shumë me të atin, lidhur me këtë aspekt, pra nevojën e kontaktit fizik me njerëzit që do.