Revolucioni Çelsi
10 lojtarë duket se po përgatiten të bëjnë gati valixhet, të cilët në rast të ofertave të majme mund të largohen
Lëvizje me duar të pastra. Nuk është ndonjë slogan politik, por është iniciativa që do të marrë bosi i Çelsit, Roman Abramoviç, në skuadrën e tij pas paraqitjeve zhgënjyese në ndeshjet e fundit. Revolucioni është gati dhe 10 lojtarë duket se po përgatiten të bëjnë gati valixhet, të cilët në rast të ofertave të majme mund të largohen. Sipas të përditshmes “Daily Express”, shuma që mund të përfitohet nga këta 10 lojtarë shkon më shumë se 78 milionë euro. Manjati rus duket se është nxehur shumë pas humbjes së skuadrës së tij në finalen e “Carling Cup” kundër Totenhemit dhe eliminimit në “FA.Cup” nga Barnslei (skuadër e divizionit të dytë) dhe ka vendosur të largojë një pjesë të mirë të lojtarëve, të cilët sipas tij kanë zhgënjyer. Pjesa më e madhe e lojtarëve që do të largohen, janë të dorës së dytë, duke përjashtuar Didie Drogbanë, Frenk Lampardin dhe Andrij Shevçenkon. Ashtu siç është bërë tashmë e ditur, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë nuk është më një objektiv sekret i Milanit, skuadër e cila është gati të shpenzojë 26 milionë euro për të. Lampard prej kohësh është në planet e Barcelonës, e cila në fund të sezonit mund të ketë në krye strategun portugez Zhose Murinjo, që kur drejtonte Çelsin kishte marrëdhënie të shkëlqyera me mesfushorin. Për sa i përket Shevçenkos, drejtuesit londinezë po presin vetëm përfundimin e sezonit për ta shitur dhe rikthimi i tij tek Milani është vetëm çështje kohe. Emrat e tjerë që janë bërë të ditur në të përditshmen britanike janë: Florent Maluda (i blerë 17 milionë euro), Juliano Beleti (5,2 milionë euro), Klaudio Pizarro, Stiv Siduell dhe Tal Ben Haim. Gati për të lënë Londrën është edhe portieri i dytë, Karlo Kudiçini, të cilit i është ngarkuar faji për golin e pësuar kundër Barnsleit, ndërsa Klod Makelele në fund të sezonit do të tërhiqet. Të ardhurat që do të vijnë nga lojtarët e larguar do të shkojnë drejt e në llogarinë e Roman Abramoviç, i cili mund ta çojë shifrën e shpenzimeve për sezonin e ardhshëm në 130 milionë euro. Një çështje më vete është edhe ajo e trajnerit Avram Grant, i cili vetëm nëse fiton Ligën e Kampionëve do të mund të jetë sërish në krye të bluve të Londrës edhe në sezonin e ardhshëm. Në rast të kundërt, Abramoviç është gati të sjellë në “Stamford Bridge” trajnerin e Getafes, Mikael Laudrup.