E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sipas modelit që na pëlqen!

Nga Besi BEKTESHI
Jemi në një moment që duhet të ndahemi nga tranzicioni dhe mizerja, si në ekonomi dhe ligje, por edhe në shtetëzim dhe intelektualizëm. Natyrisht them mizerja, por fjala është pikërisht për varfërinë e cila në të vërtetë nuk është as në resurse dhe as në fuqi njerëzore, por në trashëgiminë qeverisëse dhe politike që kemi, dhe që vazhdojmë të kemi pafundësisht. Pak a shumë është një moment kur duhet të bëjmë dallimin në se jemi për një kapitalizëm human dhe me rregulla demokratike të forta, apo për një mish-mash midis socializmit idiot dhe trutharë e barktharë të dikurshëm dhe kapitalizmit korruptiv dhe mospërfillës ndaj të drejtës, që sundon sot!! Për të bërë një lloj arsyetimi, duhen referenca dhe pikërisht këto referenca që kanë të bëjnë më shumë me konceptet se sa me ideologjitë, mund të merren nga të thënat e një prej më brilantëve politikanë dhe Kryeministra britanikë, që është Winston Churchill. Politikani i shkëlqyer edhe për batutat ka thënë: Kapitalizmi është një padrejtësi ndarje e pasurisë, kurse komunizmi është një shpërndarje e drejtë e varfërisë. Ne jemi sot pikërisht mbi këtë frazë. Jemi ulur ngeshëm mbi këtë të thënë të madhe dhe nuk po luajmë dot. Ne i kemi të dy standardet e deklaruara të Churchill-it. Kemi një kapitalizëm të pa drejtë që shpërndan pasurinë në mënyrë akoma më shumë të padrejtë dhe kemi pastaj në bazën poshtë, një ndarje të drejtë dhe barabartë të varfërisë. Kjo duket në pasurimin e disa shtresave që kryesisht janë politikanët dhe lidhjet e tyre me biznesin, por përsëri në bazë maxhoritare politikën, dhe një shtresë poshtë që qeveritë e mbajnë me varfërinë e drejtshpërndarë të sistemit varfanjak ndihme, rrogash të vogla dhe asnjë sigurie për jetën në trajtimin e punësimit, shëndetit dhe sigurisë të përgjithshme. Shikohet qartë diferenca midis dy shtresave, të cilat ndahen përditë e më shumë. Një 10-të përqindësh i popullsisë që jeton me një mesatare mbi atë perëndimore dhe pjesa tjetër që jeton rreth 7-10 herë me të ardhura më pak. Ka edhe një 20 përqindësh tepër të varfër që jeton përditë në hall ekstrem të të ushqyerit dhe të pasigurisë jetike për të nesërmen. Rreth 18-të vite tranzicion nuk mjaftuan të rregullonin një drejtësi sociale në Shqipëri. Për më tepër nuk u rregullua prona dhe puna, por edhe u lejua informaliteti në këtë dy kolona të kapitalizmit për të justifikuar pastaj edhe varfërinë vetë. Duke thënë se: Hë se dinë se si të fitojnë dy lekë.
Por mbas kësaj, hyn në punë edhe një frazë tjetër e Churchill-it. Ai thotë: Unë jam gjithmonë gati të mësoj, megjithëse jo gjithmonë më pëlqen që të tjerët të më mësojnë!!
Në lartësitë tona qeverisëse nuk ka vend për pjesën e parë të së thënës. Jo vetëm Kryeministri aktual dhe disa të tjerë përpara, por edhe në dikastere dhe drejtori është një histeri njerëzish që dinë gjithçka dhe nuk pranojnë të mësojnë diçka. Sepse janë të gjithë të ditur deri në infinit. Po ti shtosh kësaj dhe servilizmin dhe frikën lart nga shefi, atëherë duhet të pranojmë se as që ju duhet gjë të tillë njerëzve, mësimi dhe eksperienca në qeverisje dhe politikë, sepse nuk kanë qëllim qeverisjen e mirë dhe politikën e tillë.
Kanë vetëm një qëllim që është shfrytëzimi i postit në të shumtën e rasteve për pasurim dhe për këtë gjë ju vlen më shumë gabimi, se sa ecja normale qeverisëse dhe ana ligjore dhe humane për zhvillim. Sepse janë më të vështira mësimet e drejta dhe humane të demokracisë dhe janë më të konceptueshme nga njerëzit e mangët si intelektualisht dhe moralisht, të gjitha maskarallëqet e poshtërsitë që janë shpikur për të kundërshtuar ligjin dhe demokracinë. Mbas 18-të vitesh mund të them se kemi fanatikë te mos demokratizimi dhe ecjes në një shtet ligjor dhe të kontrolluar nga drejtësia. Sepse, përsëri Churchill-i ka një të thënë për këtë problem. Ai thotë: Fanatik është ai që nuk mund të ndërrojë ide dhe nuk ka ndërmend të ndërrojë argument. Po ku më tepër se në këtë vend, mund të gjejë aplikim kjo frazë e statistit dhe politikanit të madh britanik?!!
Në cilën fazë të këtij tranzicioni të gjatë shqiptar është vënë re ndonjë kryeministër apo njeri i fuqishëm në pozitë dhe opozitë që ka ndërruar ide? Po, kanë ndërruar parti dhe tesera të tilla, kanë ndërruar pushtete dhe ofiqe, por jo ide. Sepse nuk munden ta bëjnë këtë gjë, sepse një shumicë e madhe e tyre janë brumosur me idetë e partisë mëmë.
Për më tepër, po edukojnë dhe favorizojnë edhe të rinj si politikanë dhe ministra që të jenë modeli i tyre. Pikërisht sipas shëmbëlltyrës së tyre dhe që janë pastaj pak si Berisha, pak si Nano, pak si iksi dhe ypsiloni dhe pak si liderët e tjerë. Tani mbase ka edhe si Rama... etj etj Kuptohet se ka edhe modele të rinj dhe që po provohen nga PS-ja në bazë të ndryshimit të saj me lidershipin Rama. Por gjithmonë të katapultuar në politikë, jo me resurse dhe intelektualizëm, por me modelin që na pëlqen dhe tani biles është forcuar shumë, duke të bërë gati për të vjellë me një dorë zëdhënësish shtypi që po shëmtojnë edhe vetë institucionet dhe partitë, por edhe vetë demokracinë. Zëdhënës që bëjnë me duar dhe këmbë që deklarojnë me patos dhe zë të lartë fjalët e shefit edhe pse janë të rinj. Zëdhënës që deklamojnë më shumë se shefat dhe këtë e bëjnë që në mosha të reja sepse kanë mësuar të servilosen dhe të llastohen me trimëri me këtë servilizëm të pështirë. Po, sepse kanë mësuar se po të servilosen gjatë dhe shumë, përfundojnë ose ministra, ose në kabinete dhe pse jo në lartësitë partiake. Por modeli që na pëlqen është edhe në faktin që nuk ndërrojnë argumentdhe këtu thënia e anglezit të madh, vërtetohet plotësisht. Kemi politikanë dhe politkëbërje që nuk ndërron ide dhe nuk ka ndërmend të ndërrojë argument. Servilosjet dhe lëpirjet në botë, politika jonë i quan ide të reja dhe të ndërruara dhe po ashtu dhe argumente të reja. Por në zbatim pastaj....! Nuk ka ndonjë ndryshim dhe tanimë jemi mësuar me fanatizmin e modelit që na pëlqen dhe që nuk është as mish as peshk, por një model që krijon kushte për mbijetesën e mediokritetit dhe mos kalimit në argumente të ri dhe të tjerë, që përbëjnë pastaj edhe ekuivalenten e qartë të ecjes së natyrshme në demokraci. Sot jemi përpara zgjedhjeve të reja politike. Por ka vetëm zgjedhje të reja dhe jo argument të ri. Ka ndoshta ndërrime pushteti dhe është e dyshueshme në se do të ketë ndërrim idesh, por mund të ndodhë, që nuk do të ketë as ide dhe as argumente të rinj dhe kjo është më e pakta që mund të pretendojmë, sepse mund të ketë edhe më keq se kaq. Idetë dhe argumentet për ne i kanë të huajt. Vetëm të huajt. Si për ekonominë dhe për politikën. Sepse, po nuk bënë ato vërejtje dhe konsulta, ne nuk mund të kemi një drejtësi të drejtë. Po nuk u kujdesen ato, për ne nuk do të kishim as karta dhe as regjistrim, por as kthime të iniciativave nganjëherë të marra të modelit tonë që na pëlqen. Sot grupimet PD dhe PS do të përplasen në 28 qershor dhe tendenca është në njërën anë vazhdueshmëria dhe premtimet për pikërisht këtë, dhe në anën tjetër e reja që po jepet me anën e lidershipit Rama në takimet e tij.
Në se do të jetë edhe ky moment zgjedhjesh një realitet i ri, kjo do të shikohet dhe në se do të jetë një kalim tranzicioni edhe kjo do të shikohet. Por në se do të largohemi njëherë e përgjithmonë nga modeli që na pëlqen, kjo është shumë e dyshueshme. Shumë e dyshueshme, sepse karakteristikat e deritanishme si të vjetërve dhe atyre të rinjve që këto të vjetër kanë lejuar të bëjnë karierë politike, kanë konservatorizmin e njerëzve që nuk ndërrojnë dhe marrin ide të reja dhe nuk kanë as argumente të rinj. Kushedi mbase ka edhe ndonjë të re apo ndërrim politike e domosdoshme për parti dhe individë që prosperojnë gjatë, por deri tani prosperojnë ato që kanë mentalitet dhe ide të vjetra dhe për më tepër ato të trashëgimisë së dikurshme politike e transplantuar në demokraci.

Last Updated on Friday, 08 May 2009 12:39

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›