"Të rinjtë pranë librit ", pas Tiranës në të gjithë vendin
>Programi "Të rinjtë pranë Librit " synon ti përcjellë të rinjve mesazhin se vlerat e mirëfillta universale, qëndrojnë te libri dhe se dija është rruga më e shkurtër e integrimit evropian të mbarë shoqërisë. Ky është programi i parë që ka startuar për këtë vit në kuadër të politikave që ndiqen për të rinjtë në Tiranë. Nisma Të rinjtë pranë librit është një nismë që zhvillohet në kuadër të politikave të qeverisë kundrejt politikave kulturore, sigurisht kjo në përputhje me mendimet dhe politikat tona për kulturën.
Në këtë kuadër Drejtoria e Politikave Rinore në bashkëpunim me Drejtorinë e Arteve dhe Letrave kanë realizuar një program, i cili synon të tërheqë vëmendjen e rinisë drejt librit dhe mbi të gjitha dihet që të krijosh dhe të shkruash do të thotë edhe të lexosh. Pra në këtë program, përveç të tjerash, ne mendojmë të përfshijmë takime mes të rinjve të Tiranës me shkrimtarë dhe studiues të ndryshëm, me qëllimin e vetëm të përçojmë tek ata mesazhin se dija është rruga më e shkurtër drejt integrimit në shoqëri dhe gjithashtu në edukimin kulturor, tregon mbi këtë projekt Migena Reçi, drejtore e Politikave Rinore në MTKRS. Ky projekt sipas Reçit, pas Tiranës synon që të shtrihet dhe në gjimnazet e tjera të vendit, por Të rinjtë pranë librit zhvillohet dhe falë një bashkëpunimi me shtëpitë botuese. Është shumë e qartë që përveç përpjekjeve që po bëjmë për ta shtrirë këtë program në të gjitha gjimnazet e Tiranës, dëshira është që ta vazhdojmë edhe në të gjitha shkollat e mesme të qyteteve të Shqipërisë. Mbi të gjitha takimi synon marrjen e titujve të librave që vetë nxënësit duan. Finalizimi i gjithë kësaj do të jetë dhurimi nga ana e MTKRS- së i një fondi me tituj librash artistikë në të gjitha bibliotekat e gjimnazeve të kryeqytetit, dhe kjo do të bëhet duke pasur parasysh kërkesat e vetë nxënësve. Do të ketë gjithashtu edhe një bashkëpunim me shtëpitë botuese për librat, që do tiu dhurohen bibliotekave të gjimnazeve të kryeqytetit. Kemi bërë një kërkim dhe një sondazh në të gjitha bibliotekat në lidhje me librat që ato kishin. Sigurisht që bibliotekat kanë një fond të tyren por synimi ynë është që ta pasurojmë më tej atë. Bibliotekat kanë nevojë për një pasurim, në mënyrë që të kenë tituj të rinj në këtë drejtim, tregon më tej Reçi. Ndërkohë që ky projekt fundin e tij do ta ketë në datën 23 prill, në Ditën Botërore të Librit, ndërkohë që drejtorja Reçi tregon se këtë vit janë akorduar një sasi e konsiderueshme fondesh,por një pjesë e fondeve që shpenzohen për të rinjtë do të jepen dhe nga donatorët. Ne si drejtori në planet tona kemi fondin e të rinjve për librin, fondin artistik, që ka të bëjë me mbështetjen e të rinjve në fusha të tjera të jetës publike, të kulturës, të zhvillimit të aktivitetit artistik që sigurisht do ti paraprijnë dhe disa aktivitete të tjera që ne do të ndërmarrim me gjimnazet e Tiranës, por nuk do të qëndrojmë vetëm tek gjimnazet, por do të kalojmë edhe tek universitetet. Fondi këtë vit është goxha ambicioz për rininë, por ky fond është gjithnjë dhe në bashkëpunim dhe me donatorët e tjerë, prandaj nuk mund të ketë një shifër të përcaktuar, përderisa ne kemi dhe partnerë që na mbështesin në aktivitetin tonë me të rinjtë, tregon drejtorja Reçi. Takimet e shkrimtarëve me të rinjtë do të ofrojë mundësi të reja për shkëmbim informacioni dhe për krijimin e urave lidhëse midis nxënësve të shkollave të mesme dhe shkrimtarëve të letërsisë shqipe dhe asaj të huaj.