"Togjet e plehrave nuk u bëjnë nder banorëve të Tiranës"
Taksa e pastrimit për Tiranën është e ulët dhe nuk paguhet rregullisht nga të gjithë. Në kohët jo shumë të lashta, kur dollarët mungonin apo nuk kishte kompani private pastrimi, ambienti qytetar ruhesh e pastrohej me punë vullnetare nga i gjithë komuniteti që banonte në atë territor. Tirana si dhe qytete dhe ambiente të tjera të vendit, janë shumë të ndotura nga mbeturinat dhe ato nuk i japin nder banorëve që jetojnë rreth e rrotull. Përveç të tjerash, këto ambiente të ndotura në çdo çast mund të prodhojnë epidemi, dhe siç dihet eliminimi i tyre kërkon shpenzime shumë më të mëdha se pastrimi i plehrave. Në vitin 1997, komuna e Riminit ku unë jetoj, dërgonte shumë kazanë plehrash dhe dy kamionë, si dhuratë për pastrimin e qytetit të Lezhës. Të rinj vullnetarë italianë dhe emigrantë shqiptarë niseshin së bashku në Shqipëri, që të merrnin pjesë në pastrimin e rrugëve nga plehrat që prodhoi ai vit i mallkuar. Ushtarët spanjollë pastronin bregun e Shëngjinit, francezët rrugët e Durrësit etj. Me qindra makina luksoze shihen sot në 2008 në rrugët e Tiranës. Mos vallë këta zotërinj të rinj nuk kanë mundësi të mbështesin materialisht Bashkinë e Tiranës, për të zgjidhur problemin e pastrimit? Krerët e tërë partive politike, si dhe baballarët e kombit që banojnë në Tiranë, nuk i kemi dëgjuar asnjëherë të bërtasin për pastrimin e ambienteve. Në situata të vështira për vendin, kudo në botë, forcat politike që përfaqësojnë vërtetë interesat e popullit dhe të vendit, bashkojnë forcat dhe gjejnë së bashku zgjidhjen për të kapërcyer situatën.