"Kush do t'i zëvendësojë këta njerëz të mëdhenj?"
Jeta është rrugëtim deri në pafundësi, por kur ikin njerëzit e mëdhenj të artit, të kulturës, të fjalës dhe veprës së urtë filozofike, diçka këputet në mes. Vetiu shtrohet pyetja: Kush do t'i zëvendësojë këta njerëz të mëdhenj?
Pa dyshim se çdo kohë do të ketë brezin dhe gjeneratën e vet, por dashurinë dhe emocionet e këndshme për punën e tyre, nuk ka për t'i zëvendësuar askush! Është kjo plejadë artistësh që për decenie me radhë shpirtërisht na mbajtën gjallë, edhe ne këtu, në Kosovën e robëruar; me filma, me drama, me literaturë, me humor e satirë, me vepra të mira, me porosi e përkrahje... nuk është e paktë. Ky ishte ushqimi ynë shpirtëror. Me 1994, në Tiranë. Po luhej një premierë e një drame në Teatrin Kombëtar, (nuk më kujtohet cila ). Kadri Roshi ishte ulur në rreshtat e parë me publikun (në rolin e shikuesit këtë radhë ). Teksa e vërejta nga larg, pa vonuar u ngrita dhe shkova pranë tij, e i thashë: - Më lejoni që t'ju përqafoj! - U ngrit në këmbë, dhe më tha: - Nuk po ju njoh mor bir?! - Jam nga Kosova,- i thashë, dhe dua që në emër të Kosovës të të përqafoj me respektin më të madh! - Mu hodh në qafë dhe më puthi; në ballë, në sy, në faqe.- Më kënaqe mor biri i Kosovës martire,- më tha. Më shumë nuk foli, ngase lotët i rrodhën në për faqe!... Më erdhi shumë keq kur mësova për vdekjen e tij. Më erdhi edhe më keq, që nuk munda të isha në Shqipëri, për ta puthur në ballë, për herë të fundit, artistin e madh të kombit tonë. Më erdhi edhe shumë më keq, që nuk u kujtua askush nga Kosova t'ia dërgonte një tufë karafilash të kuq dashurie prej njeriut, në emrin e Kosovës martire! I lehtë i qoftë dheu i tokës mëmë Artistit të Madh, Kadri Roshi.