Kronikë ballkanase
"Kronikë boshnjake", novela e Ivo Andriçit, është jo shumë e njohur për lexuesin e huaj. Për më tepër, mbetet pothuajse e panjohur për lexuesin shqiptar. Europianin, si vëzhgues i jashtëm i "enigmës ballkanase", kjo vepër mund ta ndihmonte sadopak për të mundur të kuptojë, e për t'i vënë emrin që duhet trazirës, konfuzionit, e kompleksitetit ballkanas të dy dekadave të fundit. Ngjarjet zhvillohen në qytetin boshnjak Travnik, një pikë periferike, ku e ndajnë fatin tre emisarët e fuqive të kohës, konsulli i Bonapartit, Atasheu austro-hungarez, e Veziri turk. Ky qytet i parëndësishëm, gëlon nga intrigat e tyre e përgojimet e vendasve. Mosbesimi dhe tallja është reciproke: përbuzja, mungesa e respektit midis palëve, ushqen rrethin vicioz me intrigën ballkanase. Midis personazheve, dallohet ndihmësi i Konsullit bonapartist, një i ri, i cili të paktën përpiqet të gjejë fillin në atë lëmsh të ngatërruar nëpërkëmbjesh reciproke. Ndryshe nga të tjerët, gjykimi i tij, përpiqet të depërtojë përtej steriotipizimit, pjellë e mendjes së ngurtë të eprorit të tij. Pas një bisede me abatin françeskan Ivo, ai mëson diçka thelbësore. Katolikët vendas, qëllimisht nuk i mirëmbanin rrugët. Përkundrazi, i shkatërronin për të mos lejuar vizitorët e paftuar, autoritet turke, t'i përdornin ato. Kurse për turqit, moskujdesi, lënia pas dore e rrugëve, kishte qenë një nga mënyrat për të kufizuar kontaktet e malësorëve katolikë me perëndimin kristian.
Por argumenti i tij nuk e bindi eprorin e tij: - "Ju nuk mund ta shpjegoni situatën me ndonjë arsyetim që është bindës. Prapambetja e këtyre njerëzve, para së gjithash vjen prej keqdashjes, keqdashjes së lindur brenda vetes, karakteristikë e brendshme e tyre, siç edhe e shpjegoi veziri. Kjo keqdashje shpjegon gjithçka". Ndihmësi ia pret: - "Në rregull, por si e shpjegoni ju këtë keqdashje në vetvete? Ku e kanë marrë ata atë?". Konsulli u hodh në mbrojtje: - "Ku? Nga? Po të them, është diçka e brendshme, Do të jepet rasti të bindesh vetë". "Shumë mirë, - vazhdon ndihmësi, - por deri sa të bindem, më lejo t'i qëndroj pikëpamjes sime; që të dyja, keqdashja e mirësia e këtyre njerëzve, janë rrjedhojë e rrethanave në të cilat ata jetojnë e zhvillohen. Nuk është mirësia, e cila na shtyn ne të ndërtojmë rrugët, por dëshira për të shtrirë komunikimin fitimprurës e influencën tonë; e shumë njerëz e shikojnë këtë, si një "keqdashje" nga ana jonë. Kështu që keqdashja jonë na shtyn ne të ndërtojmë rrugët, ndërkohë, e tyrja i shtyn ata t'i urrejnë e t'i shkatërrojnë ato, kur munden". Kaluan vite, ngjarjet të reja u rrokullisën; Atasheu dhe Konsulli e lanë Travnikun. Kryeplaku i Travnikut, më në fund, ndjehet i hakmarrur nga largimi i vizitorëve të paftuar e pa bereqet. "Shtatë vjet, shtatë vjet! Sa shumë zhurmë e eksitim kishte për shkak të atyre konsujve… e atij…Bunaparta? Bunaparta kështu, Bunaparta ashtu! Ai do të bëjë këtë, ai nuk do të bëjë atë…! E… ashtu siç erdhi, shkoi. Perandorët u ngritën dhe e mundën Bunaparta-n. Njerëzit do të flasin për ta (konsujt) edhe nja një vit. Fëmijët do t'i imitojnë konsujt… dhe pastaj do të harrohen sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Dhe çdo gjë do të jetë siç ka qenë gjithmonë, sipas vullnetit të Zotit".
Ky dialog hap një dritare të vogël, për të shpjeguar dinamikën ballkanike. Ballkani, duke filluar nga shekulli i XVIII-të me veprën idilike të Bajronit, e në vazhdim, është projektuar si ajo pjesa "tjetër" e Europës. Ndërsa Bajroni dhe Hobbhouse, zbuluan Europën "tjetër", idiliken, udhëtarët europianë që pasuan, imazhin e "tjetrit" e përdorën për të krijuar literaturën e "public fiction" (tregimtari për masat). Ballkani dhe ballkanasit, u eksploruan në zhanret e humorit e ekzotizmit, që afronte e ushqente fantazia e kalimtareve endacake, here-here thjesht ca aventuriere. Sipas dy autoreve akademike ballkanase, Teodorova dhe Goldsworthy, në koshiencën kolektive europiane, - ballkanasit - të influencuar nga një literaturë fiksionale e tillë, imagjinoheshin e akoma imagjinohen si njerëz të pacivilizuar, të dhunshëm, biles deri edhe barbarë. Në kundërthënie me këtë të vërtetë fiksionale, është interesant fakti që realiteti gjuhësor ballkanas, i koinizuar si "Balkan sprachbund", pellg, bashkësi gjuhësore ballkanase, dëshmon për një realitet tjetër; dhënie-marrje intensive, komunikim, reciprocitet të ngushtë gjuhësor midis etnive të ndryshme ballkanike. Ndërkohë, në kontrast me realitetin e këtij uniteti ballkanik gjuhësor, një literaturë e tërë e krijuar jashtë Ballkanit, ka vetëmëkuar konceptin e "ballkanizimit", por fatkeqësisht me konotacione përkeqësuese. Ballkani me "fantazmat" e tij historike, portretizohet si vendi i një "urrejtje reciproke të lashtë", njerëz ksenofobë, të cilët janë gati në çdo moment t'i hidhen në grykë njëri-tjetrit. Në mendjen e europianit, përderisa "keqdashja" është një karakteristikë e lindur, atëherë çdo përpjekje e kontribut, - qoftë financiar, qoftë ushtarak,- do të përfundojë në një dështim.
Është viti 2008; a ndodhemi përsëri përballë kokëfortësisë ballkanase, e paaftësisë së Perëndimit për të ndryshuar të menduarin e situatën e këtij "cepi" të Europës? Perëndimi, pavarësisht motiveve, - idealeve të larta e humanizmit, apo cinizmit të gjeopolitikës, - më në fund, ndërhyri në Ballkan ushtarakisht; ndryshe si ndonjëherë më parë, de facto vendosi protektoratin mbi Kosovën nëpërmjet çizmes së NATO-s. Ndërkohë, Europa, akoma vazhdon të debatojë brenda vetes mbi rolin e super-organizmave siç është OKB-ja, OSBE-ja. Në vitet pas ndërhyrjes në Kosovë, vendet perëndimore, ndoshta për herë të parë në historinë e njerëzimit, ndodhen përballë nevojës së legjitimizimit të doktrinës së "ndërhyrjes humanitare" e pasojave që rrjedhin prej saj. Problemet e pyetjet që ngrihen me ndërhyrjen ushtarake në Kosovë janë shumë dimensionëshe. Çfarë kriteri do të ndiqet për të përcaktuar shkeljen e të drejtave njerëzore, për të justifikuar një ndërhyrje të tillë? Cilat janë objektivat për t'u arrirë dhe kostoja e saj? Si dhe a do të mund ta justifikojë i vetëm argumenti moral humanist, diçka të tillë? Cili duhet të jetë kufiri ndarës midis përparësive humanitare, interesave ekonomike e sigurisë rajonale? Kur, ku, dhe si mund të anashkalohen ligjet ndërkombëtare të respektimit të sovranitetit dhe paprekshmërisë të kufijve të shteteve sovrane?
Çdo lloj përgjigje që nuk merr parasysh nevojën e dëshirën e ballkanasve, për ta projektuar Ballkanin nën një dritë të re, nuk mundet të rezultojë në zgjidhje të qëndrueshme e afatgjata në Ballkan. Kosova është rasti për të provuar këtë të vërtetë të dhimbshme. Ishte pikërisht Kosova, që kulmoi tragjedinë ballkanase të dekadave të fundit. Ishte skenari tragjik që po përsëritej, i cili ndikoi në ndërhyrjen e menjëhershme të Perëndimit, e cila ndaloi një të re katastrofe humanitare. Pavarësisht se, Ballkani ka luajtur një rol të rëndësishëm në histori, influenca e Perëndimit në Ballkan (me përjashtim të Greqisë), ka qenë pothuajse e papërfillshme (B.Jelavich, History of Balkans). Akademikja amerikane shkruan se: "(Ballkani) zakonisht zgjohet (ringjallet) në ndërgjegjen e Perëndimit, vetëm kur bëhet skenë e luftërave ose akteve të dhunës". Ndërhyrja perëndimore në Ballkan e në Kosovë, nuk ishte një plan imperialist, siç përpiqen ta paraqesin mediat sllavofile e serbe, duke dashur të influencojë mendjen e europianit naiv. Në situatën që po zhvillohet, kur shpallja e pavarësisë së Kosovës është çështje javësh, po ashtu, është naive të mendohet që kjo ndërhyrje mbetet thjesht si një akt altruist nga ana e Perëndimit. Perëndimi e hoqi në kurrizin e vet dramën ballkanike; për shkak të gjakderdhjes në pjesën "tjetër" të Europës, provoi vërshimin e qindra-mijëra refugjatëve; bllokimin e rrugëve të tregtisë, ndikimin negativ të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendeve europiane në kufi me këto vende. Së fundi, kuptoi se Ballkani, nuk ishte më periferia e Europës, sidomos kur ajo ushqente ambicien e kishte hedhur hapat për një integrimin europian. Për më tepër, që SHBA-së dhe Europës, pasi derdhën miliarda ushtarakisht e ekonomikisht, stabiliteti i Ballkanit i shërben drejtpërdrejtë interesave ekonomike e gjeostrategjike në këtë rajon kaq të keqkuptuar të Europës Juglindore.
Ta imagjinosh Ballkanin e ta njohësh atë siç është në realitet, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Faktori, që i ka rrëshqitur vëmendjes perëndimore, është dimensioni i vërtetë njerëzor ballkanas. Këtë mund ta bëjnë ata njerëz, që nuk marrin përsipër vetëm të mbeten udhëtarë kalimtarë të një "rajoni ekzotik", duke ushqyer mas-median perëndimore për një serial aventurash të denja për "antropologë" gjysmakë, si në filmin hollivudian Indiana Jones. Ballkani afron shumë më tepër se një primitivizëm arkaik e ekzotik. Ai afron një fytyrë njerëzore shumëdimensionale, thelbësisht e para së gjithash europiane. Ballkanasit janë lutur për një njohje të tillë që prej shekujsh. Do të mjaftonte si fillim, si një lloj ftese, fjalët e një studiueseje antropologe të Ballkanit, si Edit Durham tek "Pesha e Ballkanit". E befasuar edhe vetë, ajo i ofron edhe sot lexuesit europianë, domosdoshmërinë e një konsiderate të tillë.
"Ju e pëlqeni vendin tonë. A do të bënit diçka për ne?- i kërkon një ballkanas Edit Durhamit. E habitur e me kujdes, ajo e pyeti se çfarë mund të bënte për ta. "Shpjegona tek konsulli i ri. Ai nuk na kupton". Ballkanasi shpalli kërkesën e tij sikur "të shpjeguarit" e një kombi të ishte diçka e zakonshme, një lloj pune e përditshme. Të thelluarit, gjykimi i atij të panjohuri nga këto vise të largëta, e befasoi zonjën:-"Por unë vetë, nuk ju kuptoj". Përgjigja e tij ishte edhe më befasuese: - "Gjuhën tonë siç duhet, ndoshta akoma jo, por ne - shpirtin e popullit - po. Çdo njëri thotë kështu…