E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i drogës, rënie e tranzitimit të heroinës e kokainës



Policia e Shtetit deklaron se gjatë kësaj periudhe janë arritur rezultate të mira në drejtim të goditjes së krimit të organizuar. Nga hetimet ka rezultuar se destinacion për trafikun e heroinës janë Italia dhe Greqia. Në krahasim me vitet e mëparshme ka rënë ndjeshëm sasia e drogës heroinë që tranzitohet nëpërmjet Shqipërisë për në drejtim të Italisë dhe Greqisë. Kjo konfirmohet edhe nga statistikat e këtyre vendeve. Ndërkohë që sasia e kokainës që tranzitohet nga Shqipëria është e papërfillshme. Sipas statistikave të bëra publike nga autoritetet italiane, është kapur 6 kg e 583 gramë heroinë, 3 kg e 272 gramë kokainë dhe 4 kg marijuanë. Ndërkohë që në Shqipëri nga Sektori i Luftës Kundër Drogës janë sekuestruar 47 kg heroinë, 813 gr kokainë, 2008 kg marijuanë/hashash, si dhe janë asgjësuar 6712 rrënjë kanabis sativa. Lidhur me drogën e sekuestruar janë arrestuar në total 224 persona. Për trafik heroine janë 56 raste me 82 autorë të arrestuar. Në lidhje me lëndën narkotike të hashashit dhe marijuanës, gjatë këtij viti janë evidentuar 87 raste dhe arrestuar 119 autorë, ndërkohë që 6-mujorin e parë të vitit të kaluar kanë qenë 54 raste të evidencuara me 93 autorë të arrestuar. Rezultate shumë të mira në luftën kundër lëndëve narkotike kanë ardhur pasi janë realizuar me sukses 17 operacione, duke zbatuar teknikat dhe aplikimet speciale të hetimit. Gjithashtu, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe autoritetet gjyqësore të vendeve të tjera janë zhvilluar 4 operacione ndërkombëtare, nga 2 operacione që janë zhvilluar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Detaje

47 kg heroinë e sekuestruar

813 gr kokainë

2008 kg marijuanë e hashash

201 persona të arrestuar

17 operacione të zhvilluara

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›